Ndërlidhjet

Shmangin debatin për veriun


Në Parlamentin e Kosovës...

Në Parlamentin e Kosovës...

Grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë shmangur hapjen e një debati të ri për gjendjen në veri të Kosovës.

Ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila e filloi këtë debat, por kërkesa e saj nuk u mbështet as nga partitë në pushtet dhe as nga ato në opozitë.

Duke arsyetuar këtë nismë, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se ajo kërkonte thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për faktin se në veri territori është jashtë kontrollit, ndërkohë që atje ka një agresion të Serbisë.

Ai thotë se kjo seancë ka mundur të nxjerrë si përfundim edhe miratimin e një rezolute me të cilën do të përcaktoheshin veprimet e mëtutjeshme të institucioneve të Kosovës në atë pjesë të vendit.

Në fund të debatit do të mund të nxirrej një rezolutë e cila do t’í drejtohej Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me masat që do të duhej ndërmarrë në veri të vendit. Veriu i Kosovës nuk është vetëm çështje personale e Qeverisë së Kosovës dhe në këtë mënyrë edhe deputetët do të mund ta jepnin një kontribut të rëndësishëm në krejt këtë që po ndodhë në veri”, shprehet Konjufca.

Kërkesa e Vetëvendosjes nuk u mbështet nga pjesa tjetër e subjekteve politike dhe deputetëve të Kuvendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës, subjekti më i madh opozitar në Kuvend, thotë se deputetët e kanë thënë mendimin e tyre në lidhje me gjendjen në veri dhe tani i takon qeverisë që të angazhohet për zbatimin e rekomandimeve që kanë dalë nga ai debat.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se kjo parti politike nuk mbështet nisma të cilat përfundojnë me një debat në Kuvend dhe nuk nxjerrin asnjë përfundim apo vendim.

Sa i përket kësaj kërkese, LDK-ja nuk e ka parë të arsyeshme ta përkrahë sepse nuk duam të jemi pjesë e debateve vetëm sa për të thënë diçka, vetëm sa për të folur".

"Konsiderojmë se situata aktuale është e tillë, që Kuvendi i Kosovës nuk mund të bëjë më shumë se ç’ka bërë deri më tani. Kuvendi i Kosovës duhet të jetë një lloj kujdestari i sjelljeve dhe veprimeve të qeverisë, eventualisht nëse ka rrëshqitje në aspektin e bisedimeve, ku mund të preket sovraniteti i Kosovës
”, thotë Beqiri.

Deputeti Beqiri rikujton se Kuvendi i ka dhënë mbështetje të fuqishme edhe KFOR-it në angazhimet dhe veprimet në veri të Kosovës.

Kurse për më tepër, ai thotë se për gjendjen atje, tani duhet të përkujdesen organet e rendit që të kthejnë situatën nën kontroll.

Kjo tash është çështje ekzekutive më tepër, është çështje e organeve të sigurisë që ta qojnë deri në fund këtë punë që e kanë nisur në heqjen e barrikadave, dhe ne inkurajojmë KFOR-in dhe EULEX-in që të shkojnë deri në fund me këtë punë të nisur”, thekson Ismet Beqiri.

Në anën tjetër, deputeti Glauk Konjufca thotë se solidarizimi i opozitës me qeverinë nënkupton pajtimin e tyre në heshtje me një fakt të ri, që sipas tij, ka të bëjë me një dialog politik që po përgatitet për veriun e Kosovës.

Për këtë dialog, sipas deputetit Konjufca, me pozicionet e tyre po pajtohen edhe partitë opozitare.

Kemi të bëjmë me një situatë politike e cila po e nxjerrë në pah një konsensus të ri politik në mes të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, për krijimin e një ekipi të ri të unitetit për të shkuar në negociata të reja me Serbinë dhe për të rihapur edhe njëherë yshtjen e territorit të Kosovës. Jemi të shqetësuar se kemi të bëjmë me një projekt politik i cili në fund do të rezultojë me gjymtimin e Kosovës, me një 'bosnjëzim' të Republikës së Kosovës”, thotë Konjufca.

Ndërkohë, subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk e ka komentuar nismën e Vetëvendosjes për debat në Kuvend në lidhje me veriun.

Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës tashmë i ka kushtuar një seancë gjendjes në veri dhe përmes një rezolute u pati dhënë mbështetje qeverisë dhe mekanizmave ndërkombëtarë që të vendosin kontroll në doganat në veri dhe të shtrijnë autoritetin në komunat veriore.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG