Ndërlidhjet

Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ai thotë se para se të vazhdojnë bisedimet për çështje teknike, duhet përgatitur për temat politike. Sipas tij, për një gjë e tillë është nevojshme që të dyja palët të përfaqësohen nga elitat politike.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, Serbia e ka ndërprerë dialogun me Kosovën, me arsyetimin se nuk mund të flitet për çështje teknike përderisa nuk zgjidhet çështja e vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës. A mendoni se kjo situatë mund të tejkalohet, kur kihet parasysh qëndrimi i Prishtinës zyrtare që të mos bisedohet për çështje politike, por vetëm për ato teknike?

OLIVER IVANOVIQ
Fillimisht, nuk jam i sigurt se ky është qëndrimi i Prishtinës zyrtare, sepse deklaratat më të reja të zyrtarëve të lartë, kryetares, kryeministrit, si dhe përfaqësuesve të partive politike opozitare, tregojnë se dialogu politik nuk është edhe aq i padëshirueshëm.

Përkundrazi, mendoj se të gjithë po vetëdijesohen se kjo situatë, ashtu çfarë është, nuk është e definuar deri në fund dhe se këtu është shumëçka e padefinuar, por secili nga këndi i tij shikon se cilat janë temat për të cilat mund të bisedohet.Por, dialogu politik është i domosdoshëm.

Për këtë arsye unë mendoj se para vazhdimit të bisedimeve për çështje teknike, duhet përgatitur për temat politike. Kjo është krejtësisht e sigurt dhe është e nevojshme që nga të dyja palët të jenë dy elita politike, të cilat do të kenë legjitimitetin, që do të dilte nga zgjedhjet e reja, por edhe besueshmërinë, sepse do të dilnin me propozime konkrete dhe me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a mendoni se mund të vazhdojnë bisedimet për çështjet teknike para se të zgjidhet çështja e vendkalimeve kufitare?

OLIVER IVANOVIQ
Unë mendoj se çështja do të zgjidhet. Vetë fakti se ka ardhur deri te ky zhvillim i ngjarjeve, tregon se e gjithë kjo është mjaft e komplikuar dhe se veprimet e njëanshme thjeshtë nuk duhet shpërblyer. Kjo është arsyeja se pse unë mendoj që këtë çështje duhet kthyer në fillim, në situatën para 25 korrikut.

Thjeshtë, për shkak se në atë mënyrë dërgohet porosi e qartë se kushdo që e bën ndonjë veprim të njëanshëm, nuk do të mund të llogariste në mbështetjen ose nuk guxon të llogarisë se mund ta kapitalizojë atë veprim të njëanshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, nga udhëheqësit e serbëve në veri të Kosovës, jo rrallë dëgjohen kritika të ashpra në adresë të Beogradit zyrtar, se nuk po i mbështet serbët e veriut të Kosovës. A mendoni se, në këso rrethana, këta udhëheqës mund të dalin nga kontrolli i Beogradit dhe rrjedhimisht edhe situata në veri të ashpërsohet?

OLIVER IVANOVIQ
Mospajtimi ose pikëpamjet e ndryshme për situatën janë krejtësisht normale dhe logjike. Në këtë, madje nuk luan shumë rol përkatësia në partitë e ndryshme politike. Thjeshtë, njerëzit në terren janë në pozitë tejet të vështirë. Ky është një frustrim i grumbulluar dhe frikë e përditshme për sigurinë e tyre.

Njerëzit e tillë, sipas rregullit, kanë qëndrime tejet radikale. Udhëheqësit e pushtetit në Serbi, kushdo qoftë në pushtet, duhet të kenë një perspektivë të gjerë para vetes, sepse për këtë shkak dalin këto diferenca të vogla, të cilat sipas mendimit tim të thellë, paksa edhe ekzagjerohen edhe nga shtypi.

Një çështje tjetër mjaft me rëndësi është se përfaqësuesit e komunave lokale, janë të vetëdijshëm që përderisa hyjnë në disa tema, në fakt e prekin politikën shtetërore. Megjithatë, situata i detyron ta bëjnë këtë, për shkak të sjelljes së misioneve ndërkombëtare në Kosovë, si dhe sjelljeve të shqiptarëve të Kosovës.

Do të thotë, merren me disa gjëra, të cilat, në princip, nuk do të jenë detyrë dhe përgjegjësi e tyre. Por, që e gjithë kjo të sillet në situatë normale, duhet të arrihet marrëveshja për vazhdimin e dialogut, duhet që gjendja të kthehet ashtu siç ka qenë, duhet që serbët të shkojnë në shkollë dhe punë ashtu siç e kanë bërë këtë deri më 25 korrik. Do të thotë, duhet kthyer situatën në normalitet dhe t’ju kthehemi bisedimeve. Pastaj, nuk do të kemi më probleme të këtilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet në Prishtinë kanë akuzuar Serbinë se ajo qëndron prapa aksioneve të serbëve në veri, të cilët kanë barrikaduar rrugët. Si u përgjigjeni këtyre akuzave?

OLIVER IVANOVIQ
Një gjë të tillë mund ta thotë vetëm një qeveri jo inventive, e cila është mësuar që Sllobodan Millosheviqi t’u jetë fajtor për të gjitha. Sllobodan Millosheviqi ka vdekur. Prandaj, kjo qeveri në Beograd është krejtësisht demokratike dhe me vizion tjetër. Për fat, popullata në teren, popullata serbe në Kosovë e ka përvojën e vet historike dhe e ka mënyrën e vet të sjelljes dhe duke ju falënderuar asaj ata kanë mbijetuar gjithë këto vite.

Prandaj, përfaqësuesit lokalë të serbëve, do të thotë, kryetarët e komunave, sipas ligjit për situata të jashtëzakonshme, kanë formuar shtabet. Ligji për situata të jashtëzakonshme nënkupton se duhet të marrin disa masa, kur në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të rrezikuara jetët dhe pronat e njerëzve.

Ata këtë e kanë bërë, në përputhje me disa baza ligjore. Beogradi është i obliguar që të mbështesë të gjithë serbët dhe të gjithë qytetarët që nuk janë serbë, por që Serbinë e ndjejnë si shtetin e tyre. Prandaj, Serbia duhet të vazhdojë të punojë në atë mënyrë, pavarësisht se kush është në pushtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund, zoti Ivanoviq, serbët në veri, përmes barrikadave të vendosura, kanë krijuar një lloj vetizolimi. A mendoni se një gjë e tillë i dëmton interesat e tyre?

OLIVER IVANOVIQ
Nuk do ta thosha këtë, sepse aspak nuk paraqet izolim të serbëve. Ne kemi gjetur mundësitë që të kemi komunikim me pjesën tjetër të Serbisë, që për ne është me rëndësi ekzistenciale. E them thjeshtë se nuk është aspak e lehtë, por nëse gjendja kthehet sikur ka qenë para 25 korrikut, ne nuk kemi asnjë arsye që t’i mbajmë ato barrikada.

Në rast të tillë, jam i bindur se kryetarët e komunave do t’i shkarkonin shtabet e tyre për situata të jashtëzakonshme dhe në të njëjtën kohë do t’i pastronin të gjitha vendkalimet dhe do ta normalizonin situatën lidhur me udhëtimin në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
E nëse kjo nuk ndodhë?

OLIVER IVANOVIQ
Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë barrikadat do të mbeten.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG