Ndërlidhjet

Nuk do të lejohet kthimi dhunës

  • RFE /RL

Mbledhja e ministrave të mbrojtjes në Bruksel

Mbledhja e ministrave të mbrojtjes në Bruksel


Ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s kanë rikonfirmuar edhe një herë, në takimin e tyre të së mërkurës në Bruksel, përkushtimin për të vazhduar misionin e KFOR-it në Kosovë, dhe për të siguruar një ambient të qetë, paqësor dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kosova ka qenë një ndër temat kryesore në ditën e parë të takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare, që u zhvillua në selinë e aleancës në Bruksel.

Duke folur pas këtij takimi, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka thënë se KFOR-i tash e 12 vjet është i suksesshëm dhe ka siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

Ne nuk do të lejojmë kthimin e dhunës nga e kaluara”, është shprehur Rasmusen, duke thënë se në ngjarjet e fundit KFOR-i kishte vepruar me kujdes në kuadër të mandatit që ka.

Rasmusen ka folur gjithashtu edhe për bashkëpunimin e EULEX-it, si diçka kyçe për të ruajtur stabilitetin në Kosovë, dhe e ka quajtur këtë bashkëpunim shumë të mirë.

Mirëpo, Rasmusen ka thënë se një progres më i madh në aspektin politik nevojitet në Kosovë, prandaj, sipas tij, të gjitha çështjet duhet të zgjidhen përmes dialogut.

Ai kështu ka kërkuar nga palët që në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të gjenden zgjidhje për problemet tjera në Kosovë.

Ndërkohë, mësohet se disa ministra të vendeve anëtare të NATO-s kanë shprehur shqetësim për zhvillimet në veri të Kosovës, dhe kanë kërkuar edhe nga Prishtina, edhe nga Beogradi, që të jenë të përmbajtura dhe të ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate.

Disa shtete anëtare kanë ripërsëritur pohimet se nuk mund të lejohet kurrfarë ndarje e Kosovës, dhe se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen duke respektuar vendimet ndërkombëtare.

Po ashtu mësohet se disa shtete anëtare të NATO-s kanë thënë se me kujdes duhet të rishqyrtohen të gjitha mundësitë e zvogëlimit të numrit të ushtarëve të NATO-s, dhe që të mos nxitohet me këtë, përderisa të mos ketë garanca të sigurta se situata nuk do të eskalojë në të ardhmen.

Kështu që, pritet që planet për zvogëlimin e mëtejmë të ushtarëve të NATO-s, të shtyhen për më vonë, kur situata të jetë më e mirë, kanë pohuar disa diplomatë në NATO.

Takimi i ministrave të mbrojtjes vazhdon edhe të enjten.
XS
SM
MD
LG