Ndërlidhjet

Guximi për të menduar ndryshe





Stiv Gjobs, bashkëpronari i kompanisë Apple dhe njeriu i cili i solli botës iPod-in, iPad-in, iPhone-in dhe kompjuterin Macintosh, vdiq në moshën 56 vjeçare.


Shumë pak kohë, pasi u dha lajmi për vdekjen e tij, në ueb-faqen e kompanisë Apple u shfaq një fotografi e tij me emrin dhe datat “1955-2011”.

Gjobsi ishte përballur me kancerin që nga viti 2004.

Ai do të kujtohet si një vizionar që udhëhoqi një epokë të re të inovacioneve të teknologjisë, nga kompjuterët e deri te telefonat.

Pak orë pas vdekjes së tij, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë nga presidenti Barak Obama.

Stivi ishte një nga inovatorët më të mëdhenj amerikan, mjaft i guximshëm sa të mendojë ndryshe, mjaft i fortë sa të mendojë se mund ta ndërrojë botën, dhe mjaft i talentuar sa t’i bëjë këto. Duke ndërtuar një nga kompanitë më të suksesshme të planetit, ai përfaqëson frymën e zgjuarsisë amerikane”, thuhej në këtë deklaratë.

Ngushëllimet erdhën nga vende të ndryshme të botës, derisa fansat e produkteve të kompanisë Apple, kanë shfrytëzuar rrjetet e ndryshme sociale për të shprehur dhembjen e tyre.

Fred Velez, qytetar, ishte në mesin e punëtorëve dhe konsumatorëve të cilët u mblodhën jashtë selisë dhe dyqaneve të Apple, për të nderuar zotin Gjobs.

"Mendoj se ai ishte një artist, një biznesmen i jashtëzakonshëm. Ai ka ndërruar jetët tona në shumë mënyra. Unë mendoj se për shumë njerëz nga brezi im, iPod ishte një punë e madhe. Ju e dini, ai është thjesht një ikonë, jo vetëm një ikonë amerikane, por një ikonë e botës", tha Velez.

Gjobs e themeloi kompaninë Apple me shokun e tij nga shkolla së mesme, Stiv Uozniak, në një garazh, në vitin 1976.

Në një fjalim në Universitetin e Stanfordit, në Kaliforni, në qershor të vitit 2005, Jobs tregoi për atë kohë.

"Uozniak dhe unë e filluam Apple në garazhin e prindërve të mi, kur unë isha 20 vjeçar. Ne punuam shumë, dhe për 10 vite Apple u shndërrua nga një garazh me dy persona, në një kompani 2 miliardë dollarësh, me më shumë se 4,000 punëtorë. Ne sapo kishim lëshuar në treg krijim tonë më të mirë, Macintosh-in, dhe unë sapo isha bërë 30 vjeç”.

Gjobsi më pas u përfshi me dy firma të tjera për kompjuterë, Next dhe Pixar.

Në vitin 2001, firma lansoi “iTunes”, programin digjital për muzikë.

Po ashtu, gjatë vitit 2001, Gjobs zbuloi edhe iPod-in, i cili mundësoi që njerëzit të kishin deri në “1,000 kënge në gjep”.

Në vitin 2007 arriti edhe iPhone touch-screen, me ç’rast Apple pati deklaruar se ka shitur 100 milionë sosh.

Por, në vitet e fundit, gjendja shëndetësore e Stiv Gjobs u përkeqësua. Ai pati një operacion për kancerin pankreatik në vitin 2004, pastaj bëri një transplant në vitin 2009, ndërsa ka qenë nën përkujdesje mjekësore që nga janari i këtij viti.

Gjobs la punën si shef ekzekutiv gjashtë javë më parë, me arsyetimin se nuk është më në gjendje të kryejë detyrat e tij.

Në një deklaratë, familja e zotit Gjobs tha:

Stivi vdiq në mënyrë paqësore, i rrethuar nga anëtarët e familjes. Në publik ai njihej si vizionar, ndërsa në jetën private ai kujdesej për familjen tij. Jemi falënderues për të gjithë njerëzit që janë lutur për Stivin gjatë kohës sa ishte sëmurë”.

Gjobs la pas vetes gruan Lauren dhe katër fëmijë.(e.b.)


XS
SM
MD
LG