Ndërlidhjet


Modifikimi i planit të Ahtisarit, që do të nënkuptonte kompetenca shtesë për komunat serbe, ndryshimi i politikës së Beogradit karshi Kosovës dhe gatishmëria e Serbisë për ta njohur Kosovën, sipas analistëve në Kosovë e Serbi mund të çojnë në zgjidhjen e problemit të veriut.

Por, me palët që mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta, zgjidhja vështirë se do të arrihet shpejt.

Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, thotë se aktualisht është vështirë të nisë ndonjë dialog që ka për qëllim zgjidhjen e çështjes së veriut, duke vënë në pah se situata në veri është e rëndë dhe me mundësi të përshkallëzimit.

Pozicionet ende janë ekstreme. Serbia ende nuk ka hequr dorë dhe ende nuk mendon se ndarja e Kosovës është e paarritshme, ndërsa Prishtina ka në duar të veta vetëm planin Ahtisari.
Pozicionet ende janë ekstreme. Serbia ende nuk ka hequr dorë dhe ende nuk mendon se ndarja e Kosovës është e paarritshme, ndërsa Prishtina ka në duar të veta vetëm planin Ahtisari. Në veri qytetarët janë shumë agresivë dhe nuk pajtohen me kurrfarë procesi që mund të integronte ata apo që mund t’i ofronte në çfarëdo sistemi kushtetues të Kosovës. Prandaj sigurisht se faktori ndërkombëtar do të jetë i fokusuar që situata të mos eskalojë dhe që kjo status quo të fillojë të zgjidhet”, tha Rashiti në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Por, nga tërë kjo situatë, e cila u vu në qendër të debatit, pas aksionit të qeverisë kosovare për të futur nën kontroll pikat kufitare në veri, Vladimir Paviçeviq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd sheh një shans të mirë për përmirësimin e raporteve mes dy vendeve.

Sipas tij, hapi i parë do të ishte dërgimi i një mesazhi se Serbia pranon gjendjen ekzistuese dhe shpreh gatishmërinë, që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por nën disa kushte.

Në këtë kuptim mund të bisedohet për katër gjëra: e para është që të ofrohen garanci të qarta për banorët minoritarë serbë në tërë Kosovën, e dyta që të sigurohet shtetësia për pjesëtarët e popullit serb në Kosovë, e treta të mundësohet liria e lëvizjes për serbët që jetojnë në veri të Kosovës dhe në enklava, dhe e fundit është rregullimi i ligjshëm i mbrojtjes së monumenteve dhe kulturës serbe dhe qasja e lirë në këto lokalitete”, tha Paviçeviq.

Vlladimir Paviçeviq thotë se është i vetëdijshëm se ndryshimet në politikat ekzistuese me siguri se do të nxisnin pakënaqësi te ata që janë të prekur nga këto propozime. Por, ai thotë se këtu më nuk bëhet fjalë për një problem që i takon vetëm Kosovës dhe Serbisë, por tërë Ballkanit Perëndimor.

Nëse duam që të kemi një zgjidhje, është e domosdoshme që të ndryshohen qëndrimet dhe pozicionet ekzistuese.
Nëse duam që të kemi një zgjidhje, është e domosdoshme që të ndryshohen qëndrimet dhe pozicionet ekzistuese. Mendoj se inicimi i ndryshimeve të tilla do të sillte të mira të gjitha palëve, e më së shumti do përfitonte i tërë rajoni”, tha Paviçeviq.

Për të arritur çfarëdo marrëveshje, sipas analistëve, dialogu politik do të jetë i paevitueshëm. Por, palët janë tepër këmbëngulëse në qëndrimet e tyre, çka sipas Naim Rashitit aktualisht e bën të vështirë dialogun.

Sa i përket zgjidhjes, natyrisht se ky proces do të shkojë drejt një modifikimi të Ahtisarit me disa kompetenca shtesë në krijimin e njëfarë lloj autonomie për veriun duke pasur për bazë Ahtisarin, por kompetencat për komunat, apo asamble për veriun do të zgjeroheshin me kompetenca shtesë dhe bashkëpunim direkt me Beogradin, por brenda rendit kushtetues. Por, sërish dy kryeqytetet janë shumë larg. Për këtë arsye do të mbetet që zgjidhja të gjendet në vitet e ardhshme përmes një dialogu të drejtpërdrejtë mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha Rashiti.

Veriu i Kosovës nuk i është bindur Prishtinës asnjëherë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Për 12 vjet rresht atje funksionuan strukturat paralele të financuar nga Qeveria e Serbisë.

Veriu i Mitrovicës ka qenë arenë përleshjesh ndëretnike disa herë përgjatë 12 vjetëve të shkuara, shpesh duke lënë për pasojë të vdekur, të plagosur e shumë dëme materiale.

Plani i Ahtisarit parasheh krijimin e komunës veriore të Mitrovicës, duke i dhënë qeverisë lokale kompetenca të zgjeruara. Por, serbët lokalë nuk kanë pranuar këtë plan dhe rrjedhimisht pakoja zbatohet vetëm në jug të lumit Ibër.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG