Ndërlidhjet

Procesi mund të shtyhet (?)


Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni po përcillet me probleme të shumta të natyrave teknike që rrezikojnë mbylljen e procesit në afatin e paraparë, më 15 tetor.

Problemet kryesisht kanë të bëjnë me mungesën e regjistruesve, që në masë të madhe kanë ngadalësuar ritmin e regjistrimit

Ritëm më të ngadalshëm të mundshëm nuk e di a mund të ketë.
Ritëm më të ngadalshëm të mundshëm nuk e di a mund të ketë. Nëse vazhdon me këtë tempo ne nuk garantojmë vetëm që nuk do të kryhet në afatin e paraparë, por deri atëherë nuk do të mbulohet as me 30 për qind me regjistrues. Probleme janë madhore dhe të natyrave të ndryshme, na mungojnë regjistruesit në çdo rreth ku duhet të ketë”, deklaroi Nimet Beqiri, drejtues i komisionit komunal regjistrues në Tetovë.

Ai, për këtë, fajin ia hedh Entit Shtetëror të Statistikës në Shkup, që sipas tij, nuk ka bërë azhurnimin e listës të personave që kanë konkurruar për regjistrues që të mund atyre t’u jepen autorizimet për kyçjen në proces.

Me probleme të këtilla përballen edhe zonat tjera të banuara kryesisht me shqiptarë.

Në rajonin e Gostivarit, thuajse nuk ekziston komunikimi mes qendrës dhe zonave me të thella, ndërsa edhe këtu është evidente mungesa e regjistruesve.

Probleme ende ka lidhur me regjistruesit, disa regjistrues shqiptarë na mungojnë, kurse probleme kemi edhe me disa fshatra më të largëta, pasi komunikimi me qendrën është shumë i rëndë, për shkak të mungesës së pajisjeve teknike, ende nuk kemi kompjuterë, telefona e kështu me radhë. Por, me duket se afati i regjistrimit do të vazhdojë”, tha Memetali Emro, drejtues i komisionit regjistrues në Gostivar.

Komisioni Qendror i Regjistrimit është në dijeni të problemeve të këtilla.

Nënkryetari i komisionit, Bujar Osmani, thotë se po punohet për evitimin e tyre, por në rast të vështirësimit të procesit, ai nuk përjashton mundësinë e shtyrjes së afatit për 15 ditë.

Nuk duam që afati i regjistrimit të kërcënojë procesin e realizimit, mendoj se është më me rëndësi që regjistrimi të jetë i suksesshëm se sa ai të realizohet në një kohë të caktuar. Prandaj do të kërkojmë që deri në 15 ditë të prolongohet afati që të mundet të krijohet një komoditet ku regjistruesit të kenë hapësirë të arrijnë në çdo vendbanim dhe të regjistrojnë çdo qytetarë”, u shpreh nënkryetari i Komisionit Shtetëror për Regjistrim, Bujar Osmani.

Ndërkohë, pas dilemave të paraqitura mes regjistruesve për shkak të interpretimit ndryshe të ligjit, anëtarët shqiptarë të KSHR-së, gjithashtu kanë apeluar për regjistrimin e të gjithë mërgimtarëve shqiptarë, të cilët, në Maqedoni kanë qëndruar të paktën një herë brenda vitit të fundit.

Regjistrimi ka nisur më 1 tetor, ndërsa është përcjellë me tensione dhe polemika të shumta, gjë që çoi në dorëheqjen e krerëve të komisionit, të cilët u zëvendësuan me të tjerë, vetëm një ditë pas nisjes së procesit.
XS
SM
MD
LG