Ndërlidhjet

Organizohen në barrikada


Zupç
Zupç
Situata e sigurisë në veriun e Kosovës ka vazhduar të jetë e qetë, njoftojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës, ndërkohë që po vazhdojnë hetimet lidhur me shpërthimin e mjetit ekspodues në një veturë në veriun e Mitrovicës.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se policia është duke e përcjellur me vëmendje gjendjen në veri të Kosovës....

“Sa i përket situatës së përgjithshme të sigurisë, nuk kemi pasur incidente që do ta rrezikonin këtë formë të sigurisë në veri të Kosovës, e në veçanti në veri të Mitrovicës. Policia e Kosovës është duke e bërë punën e saj, i referohem rastit të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, përkatësisht, vënies së një mjeti eksploziv në një automjet civil të një përkthyesi në kuadër të EULEX-it".

"Policia është duke i ndjekur hetimet dhe kemi marrë edhe njoftimin nga ekspertët e KFOR-it për identifikimin e mjetit shpërthyes, që besohet se në këtë rast ka qenë eksploziv plastik, i vendosur në automjet”,
ka thënë Hoti.

Në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës gjendja përshkruhet të jetë e qetë, ndërkohë që përfaqësuesit e serbëve lokal thonë se dhjetëra qytetarë po qëndrojnë pranë barrikadave.

Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb, thotë se serbët kanë ngritur tenda, pranë pengesave që kanë venë në vendkalimet kufitare, ku edhe kanë organizuar jetën, duke iu përshtatur rrethanave, si dhe klimës së ftohtë që mbretëron gjatë netëve.

“Për ta kaluar natën në këto kushte, njerëzit i ndezin zjarret, vishen më ngrohtë, ndizen kubetë dhe ziejnë çaj e kafe. Por, alkooli është i ndaluar. Këtu në Mitrovicë, është ngritur tenda për njerëzit që qëndrojnë gjatë natës në karrige. Këtu kalohet nata, kujdestarojnë, vëzhgojnë, kontrollojnë dhe lajmërojnë. Ngjashëm është edhe në Leposaviq, në Zubin Potok, në Bërnjak dhe vendet tjera”, tha Ivanoviq.

Në anë tjetër, zëdhënësi i policisë, Hoti, thotë se një tendë e tillë është vënë edhe pranë barrikadës së vendosur mbi urën kryesore që lidh brigjet e lumit Ibër në Mitrovicë...

“Aty, në bazë të informacioneve që kemi, janë kryesisht personat që janë të punësuar në organizatat e ndryshme punuese në veri të Mitrovicës, kryesisht nga strukturat paralele. Ne kemi informacion se ka grupe të ndryshme kriminale që bëjnë presion dhe kërcënime të ndryshme te këta persona dhe qytetarë të rëndomtë, që të kenë prezencën e tyre fizike në hapësirën e urës".

"Qëllimi kryesor është që kjo të ngrish në një masë më tepër formën e provokimit ndaj qytetarëve tjerë apo edhe vet organeve të rendit”,
thotë Hoti.

Por, Ivanoviq thote se në barrikada kanë organizuar jetën me vetëdëshirë serbët lokal të veriut të Kosovës, në mënyrë që të jenë pranë tyre dhe t’i mbrojnë ato..

“Në barrikada merr pjesë praktikisht e gjithë popullata e veriut të Kosovës, thuajse 100 për qind. Çfardo tentimi për të kualifikuar apo mashtruar njerëzit, të cilat vijnë nga ana e përfaqësueve të institucioneve të Kosovës, se kinse kemi të bëjmë me kriminalitet dhe se populli është peng i kriminelëve, e ofendon mendjen e shëndoshë”, tha Ivanoviq.

Sipas tij, barrikadat për serbët nuk nënkuptojnë ndonjë formë të vetizolimit, por qëndresën dhe mbrojtjen, për shkak se, siç ka thënë ai, ata ndjehen të frikësuar dhe të rrezikuar.

Sidoqoftë, zyrtarët e Beogradit, tashmë kanë pohuar se vendkalimet kufitare në veriun e Kosovës duhet të jenë temë e bisedimeve në kuadër të dialogut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një gjë të tillë e ka hedhur poshtë Prishtina zyrtare, duke thënë se dialogu mund të përfshijë vetëm çështjet teknike dhe jo ato politike.
XS
SM
MD
LG