Ndërlidhjet

Akuza të reja në rastin Politkovskaja


Autoritetet ruse thanë se do të sjellin akuza të reja ndaj të dyshuarit në vrasjen e gazetares rusë, Ana Politkovskaja, e cila u vra pesë vite më parë.

Politkovskaja, e cila punonte për “Novaya Gazeta” u vra në moshën 48 vjeçare në banesën e saj në Moskë më 7 tetor të vitit 2006.

Politkovskaja ishte e njohur për kritikat ndaj Kremlinit, korrupsionit në Rusi dhe luftës në Çeçeni.

Edhe pesë vite pas vrasjes, autoritetet ende nuk kanë dënuar askë lidhur me këtë rast.

Sot, Komiteti Hetues i Rusisë njoftoi se është duke shtuar akuzën ndaj Lom-Ali Gajtukajev, një çeçen që akuzohet për organizimin e vrasjes.

Komiteti tha gjithashtu se do të sjellë akuza të reja kundër vrasësit të dyshuar, Rustam Makmudov dhe disa të dyshuarve të tjerë.

Autoritetet kanë akuzuar së fundi zyrtarin e lartë të policisë, Dimitri Pavliuçenkov, për ndihmën e organizimit të vrasjes, por mbetet e paqartë se kush ka urdhëruar vrasjen e gazetares ruse.

Në një deklaratë të lëshuar sot, organizata Amnesty International vlerësoi se “është bërë pak progres” në pesë vitet e kaluara rreth “rritjes së sigurisë për gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut”.
XS
SM
MD
LG