Ndërlidhjet

logo-print
Në Kosovë nuk dihet numri i personave që vuajnë nga sëmundjet mendore. Sipas profesionistëve shëndetësorë, identifikimin e personave që vuajnë nga sëmundjet mendore vështirësohet nga fakti se rastet e tilla izolohen dhe nuk trajtohen nga strukturat përkatëse.

Autoritetet e rendit thonë se ka raste kur në Policinë e Kosovës raportohen raste të sulmeve nga ana e personave që vuajnë nga sëmundjet mendore. Sabrie Kamberi nga Policia e Kosovës shpjegon më shumë...

Policia krejt çka mund të bëjë është t’i marrë këta persona dhe ti dërgojë në qendrën neuropsikiatrike në QKUK.
Normalisht që pas ankesave që i marrim nga qytetarët, varësisht me çfarë raste paraqesin në polici, mirëpo jo vetëm nga ankesat, policia merr veprime të tilla edhe kur i takon këta persona. Policia krejt çka mund të bëjë është t’i marrë këta persona dhe ti dërgojë në qendrën neuropsikiatrike në QKUK. Kjo është ajo çfarë policia mund të bëjë, dhe ka kompetenca të bëjë për këta njerëz”, thotë Kamberi.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, njëherazi psikiatër, thotë për Radion Evropa e Lirë, se njerëzit që vuajnë nga sëmundjet mendore, përfundimisht nuk paraqesin asnjë rrezik për qytetarë.

Mendoj se në mënyrë përfundimtare të sëmurët mendorë nuk paraqesin asnjë rrezik serioz për qytetarët e vendit, madje jo më tepër sesa të tjerët, të cilët nuk kanë atribut të sëmundjes mendore por që janë në gjendje të kryejnë vepra të rënda penale”, shprehet Agani.

Sipas tij, duhet të shmanget stigmatizim i personave që vuajnë nga sëmundjet mendore.

Natyrisht se duhet të ketë kujdes të shtuar ndaj disa gjendjeve psikike, posaçërisht ndaj atyre që ndonjëherë kanë kryer vepra penale dhe të cilët me vendim të gjyqit janë liruar nga vuajtja e dënimit, për shkak të mungesës së vetëkritikës dhe përgjegjshmërisë për kryerje të veprës, dhe për këtë kategori nevojiten shërbime të specializuara që do t’i përcjellin ata nga repartet psikiatrike në qendra të shëndetit mendor”, thekson Agani.

Ndërkaq Linda Gusia, sociologe, mendon se personat që vuajnë nga sëmundjet mendore nuk e marrin përkujdesjen e duhur nga shteti.

Është shumë evidente që sado që kanë nevojë, njerëzit me probleme nuk kanë përkujdesje nga shteti e sidomos kjo kategori e shoqërisë. Ne i shohim duke bredhë rrugëve pa përkujdesje. Kjo ka të bëjë me një traditë të mëhershme, si që qendrat e përkujdesjes mendore kanë qenë shumë të këqija dhe trajtimi ka qenë shumë i keq".

"Vetëm nëse familjarët kanë dashur t’i heqin qafe këta njerëz i kanë dërguar atje, derisa kjo ka mbetur ende, edhe pse është rehabilituar pak imazhi, sepse tani kanë pacientët përkujdesje më të mirë dhe trajtim më të mirë”, shprehet ajo.

E zoti Agani, pohon se qendrat rehabilituese nuk janë të mjaftueshme në Kosovë..

Këto qendra nuk janë të mjaftueshme, edhe përkundër përpjekjeve, numri i tyre nuk u rrit; edhe përkundër përpjekjeve, kemi nevojë për katërfishim të kapaciteteve të lëmive të shëndetit mendorë, dhe formimin e qendrave të reja dhe trajnimin e kuadrit të nevojshëm. Ne si Ministri e Shëndetësisë jemi duke bërë përpjekje ta adresojmë edhe këtë problem, por nuk është lehtë”, thekson ai.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, margjinalizimi i personave që vuajnë nga sëmundjet mendore nuk i zgjidh pasojat me të cilat përballen ata, por vetëm i thekson edhe më shumë ato.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG