Ndërlidhjet

Fitueset e Çmimit Nobel për Paqe


Instituti Norvegjez i Nobelit të premten ka shpallur se fituese të Çmimit Nobel për Paqe, për vitin 2011, janë tri femra: presidentja e Liberisë, Ellen Xhonson Sirlif, veprimtarja për paqe e lindur në Liberi, Lejman Bovi, dhe aktivistja për të drejtat e njeriut në Jemen, Tavakul Karman.

Në arsyetimin e Institutit është theksuar se ato janë nderuar për “betejën e tyre jo të dhunshme për sigurinë e femrave dhe për të drejtat e femrave për të pasur pjesëmarrje të plotë në ndërtimin e paqes”.

Shpalljen e fituesve të Çmimit Nobel për Paqe e bëri Torbjorn Jagland, kryesues i Komitetit Norvegjez të Nobelit, në Osllo:

Komiteti Norvegjez i Nobelit shpreson se çmimi për Ellen Xhonson Sirlif, Lejman Bovi dhe Tavakul Karman, do të ndihmoj për ta përfunduar shtypjen e grave, që ende ndodhë në shumë vende dhe për ta njohur potencialin e madh, që mund ta përfaqësojnë gratë për demokraci dhe paqe”, tha Torbjorn Jagland.

Më tutje, ai e ka lavdëruar punën e zonjës, Ellen Xhonson Sirlif, për sjelljen e paqes në vendin e saj dhe për drejtësi sociale dhe ekonomike, prej se ajo u bë presidente e Liberisë.

Ellen Xhonson Sirlif është femra e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike presidente në Afrikë. Prej inaugurimit të saj në vitin 2006, ajo ka kontribuar në sigurimin e paqes në Liberi, në promovimin e zhvillimit ekonomik dhe social dhe për forcimin e pozitës së grave”, tha Jagland.

Duke folur për veprimtarinë e fitueses tjetër, Lejman Bovi, zoti Lagland tha se puna e saj ishte fundamentale për përpjekjet për paqe në Liberi dhe në Afrikën perëndimore.

Lejman Bovi i ka mobilizuar dhe organizuar gratë përgjatë linjave ndarëse etnike dhe religjioze, për ta përfunduar luftën e gjatë në Liberi dhe për të siguruar pjesëmarrjen e grave në zgjedhje. Prej atëherë ajo ka punuar për forcimin e ndikimit të grave në Afrikën Perëndimore, gjatë luftës dhe pas saj”, tha Jagland.

Pastaj ai ka folur edhe për fituesen e tretë, Tavakul Karman, duke thënë se vendimi, që asaj t’i jepet çmimi, thekson pikëpamjen e Komitetit të Nobelit se “shtypja e grave është çështja më e rëndësishme në botën arabe”.

Në pjesën më të madhe të përpjekjeve të saja, para dhe gjatë pranverës Arabe, Tavakul Karman, ka luajtur rol udhëheqës në betejën për të drejtat e grave dhe për demokraci në Jemen”, tha Jagland.

I pyetur se përse nuk janë nderuar edhe aktivistët e tjerë për involvimin e tyre në demonstratat e Pranverës Arabe, kundër sunduesve autoritarë, zoti Jagland tha se puna e zonjës Tavakul Karman kishte filluar shumë më herët se kryengritjet popullore, që nisën në fillim të këtij viti.

Tavakul Karman ka treguar guxim shumë para se të filloj revolucioni. Para shumë vitesh ajo u ngrit kundër regjimeve më autoritare dhe autokratike në botë. Mendoj se nuk mund të fitohet Çmimi Nobel për blogje, megjithëqë unë i nderoj shumë blogerët. Por, ne dëshirojmë t’i nderojmë ata që ishin mjaft të guximshëm, para se mediat botërore ishte atje dhe raportonin”, tha Jagland.

Tavakul Karman ka pasur rol të liderit në organizimin e demonstratave, kur filluan protestat jo të dhunshme kundër regjimit të presidentit të Jemenit, Abduallah Ali Saleh, në muajin janar.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në muajin prill të këtij viti, Tavakul Karman tha se ajo i ka parë miqtë e saj të afërt të rrahur ose të qëlluar nga forcat pro-presidentit dhe se edhe ajo vetë ishte sulmuar nga personat e armatosur lojale ndaj regjimit.

Përkundër dhunës, zonja Karman tha se ajo mbetet e përkushtuar për taktika jo të dhunshme, që ishin përdorë edhe nga heronjtë e saj: Nelson Mendela, Martin Luter King dher Mahatma Gandi.

Ajo thekson se pas dhunës së regjimit kundër demonstruesve, pjesëmarrësit në protesta ishin bërë edhe më të qëndrueshëm në kërkesat e tyre.

Ata u zemëruan shumë dhe u bënë edhe më rezistues ndaj regjimit. Ata kishin vullnet për realizimin e kërkesave të tyre legale, për arritjen e paqes dhe lirisë dhe për përmbysjen e regjimit”, pat thënë Tavakul Karman.

Në reagimin e saj të parë, pas fitimit të këtij çmi prestigjioz, ajo tha se atë çmim e ka dedikuar për “të rinjtë e revolucionit në Jemen dhe për popullin e Jemenit”.

Të tri fitueset, më 10 dhjetor në Osllo të Norvegjisë, do ta marrin Diplomën e Nobelit, medaljen e artë dhe pjesëmarrje të barabartë në shumën prej 1.48 milionë dollarë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG