Ndërlidhjet

Marrja e kontrolli mbi vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, në Bërjakë dhe Jarinjë, nga Qeveria e Kosovës dhe vendosja e forcave të KFOR-it në këto vendkalime, i kanë shërbyer si shkas Serbisë që të ndërpresë bisedimet në kuadër të dialogut që kishte nisur me Kosovën.

Analistët e çështjeve politike vlerësojnë se procesi i dialogut tash gjendet në fazën e rishikimeve, për përgatitje më të mirë nga të dyja palët, për faktin se tashmë është parë se dialogu nuk pati sukses për shkak se nuk kanë qenë të siguruara kushtet që të arrihen rezultate të mira.

Analisti Behlul Beqaj, vlerëson se për të pasur sukses dialogu me Serbinë dhe të arrihen rezultate konkrete, Kosova duhet të insistojë që të demilitarizohet rajoni verior i saj, ku së fundmi janë parë edhe grupe kriminale të armatosura, si dhe të shpërbëhen strukturat ilegale. Në të kundërtën, Beqaj thotë se nuk do të ketë rezultate pozitive.

Besoj se, pas të gjitha presioneve ndërkombëtare, nga institucionet më me peshë, dialogu do të vazhdojë, por pa rezultate, meqë po dialogun pushteti i Kosovës, që nuk ka mbështetje të gjerë, me pushtetin e Serbisë, që është peng i krimit të organizuar dhe nacionalistëve ekstrem. Prandaj, qëllimi i vazhdimit të dialogut mbetet dialogu e jo rezultatet konkrete”.

Analisti Ismajl Hasani, vlerëson se pa një presion të Bashkimit Evropian, që do të ishte i efektshëm mbi Beogradin, vështirë se mund të rinisë dialogu.

Unë konsideroj se ardhja e zotit Kuper në rajon, konkretisht edhe në Prishtinë, ka detyra dhe rekomandime specifike, por që nuk përjashton edhe pamundësinë e Bashkimit Evropian për të konkretizuar gjërat, për të disiplinuar palën serbe. Kjo, në kuadër të lëvizjeve diplomatike, quhet edhe ardhje rutinë, për të parë mundësinë, mbase edhe për të bërë sondazhe se a është pala serbe vërtetë e interesuar për vazhdimin e negociatave apo ka synime tjera”, thotë Hasani.

Ndryshe, jo rrallë në opinionin kosovarë, është shpërfaqur përshtypja se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, po rrëshqet drejt një dialogu për çështje politike. Analisti Beqaj, thotë se që nga fillimi, dialogu ka qenë i orientuar drejt temave politike.

Dialogu do të vazhdojë, sipas të gjitha gjasave, në mes të atyre që, ta them kushtimisht apo në mënyrë simbolike, që nuk kanë vesh dhe atyre që nuk po shohin se çfarë po ngjanë nëse eventualisht nuk ka rezultate konkrete. Unë mendoj se Serbia po dëshiron ta ketë veriun si pjesë të pushtetit të saj, ndërkaq që Kosova po dëshiron që ta ushtrojë më në fund atë obligim që e ka kushtetues. Këtu, ndërmjetësi duhet me qenë në favor të një gjendje, e cila objektivisht, nëse asgjë tjetër, një vlerë të përbashkët të Serbisë, të Kosovës dhe bashkimit Evropian, siç është sundimi i ligjit, e bën reale. E kjo, deri më tash, i ka munguar”, shprehet Beqaj.

Ndërkaq, analisti Hasani, shpreh mendimin se që nga fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, palët kanë qenë të vetëdijshme se problemet që dalin nga trajtimi i çështjeve teknike, mund të shndërrohen në çështje politike që do të duhej vënë në tavolinën e bisedimeve.

Edhe më tutje, bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si palë që janë të involvuara në këto procese, nuk e kanë të qartë se kur do të ndodhë ajo që quhet në diplomaci shndërrimi i një çështje apo evaluimi i një çështje në një çështje tjetër. Por, unë nuk di se kur do të ndodhë ajo, për faktin se barrikadimi i pjesës veriore në Kosovë ka krijuar probleme shtesë. Do të thotë janë krijuar probleme, të cilat që nga viti 1999, Kosova nuk i ka pasur”.

Sido që të jetë, me qëllim të nxitjes së rifillimit të dialogut, ndërmjetësuesi evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Kuper, tashmë po viziton Beogradin, ndërkohë që pritet ta vizitoj edhe Prishtinën.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG