Ndërlidhjet

Drevs: Nuk do të presim shumë për largimin e barrikadave


Komandanti i ri i KFOR-it Erhard Drevs ka thënë se KFOR-i parapëlqen që largimi i barrikadave në veri të bëhet në bazë të ndonjë marrëveshje politike. Por, ai në një konferencë për gazetarë ka bërë të ditur se KFOR-i nuk do të presë deri në pafundësi për këtë gjë dhe ka shtuar se misioni ka mundësi që t’i heqë 16 barrikadat në veri për kohë shumë të shkurtër.

“Janë 16 barrikada dhe nuk ka afat kohor. Se kur do të hiqen barrikadat sot të varet nga popullata në Mitrovicën veriore, nga zhvillimi i situatës. KFOR-i do të sigurojë ambient të sigurt për të gjithë. KFOR-i është në gjendje në çdo kohë që të heqë çfarëdo barrikade. Dhe si fakt, aktualisht, një ushtrim nga një njësi e madhe e jona, po stërvitet për heqjen e bllokadave rrugore me mjetet që kemi ne disponim”, tha në një konferencë për gazetarë, komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs.

Ai ka thënë se KFOPR-i rezervon të drejtën për të reaguar në çdo kohë për të përmbushur misionin e vet, por edhe për të mbështetur në përmbushjen e misionit si institucionet e Kosovës ashtu edhe ato ndërkombëtare. Ai ka thënë se po të mos reagonin ushtarët e KFOR-it, në kohën kur u sulmuan në Jarinë, aty do të kishte edhe të vdekur.

Komandanti gjerman Erhard Drevs, ka thënë se me barrikadat rrugore, që paraqesin veprim të paligjshëm, serbët po e bllokojnë vetveten. Ai ka thënë se KFOR-i nuk do të durojë deri në pafundësi bllokimin e rrugëve.
XS
SM
MD
LG