Ndërlidhjet

Propozohet statusi i rajonit evropian për veriun


Në urën mbi lumin Ibër...
Në urën mbi lumin Ibër...
Statusi i rajonit evropian, është opsioni i radhës i propozuar për zgjidhjen kalimtare të çështjes së veriut të Kosovës. Një ide e tillë është lansuar nga Lëvizja Evropiane e Kosovës, përkatësisht kryetari i saj Belul Beqaj.

Gjatë një debati në Qendrën Mediale në Çagllavicë, Beqaj tha se me këtë zgjidhje, do të ofrohej bartja e sovranitetit të veriut nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, përkatësisht EULEX-it.

Duhet vetëm të rikonfigurohet misioni ekzistues, në kuptimin e ristrukturimit të pushteteve, qoftë ekzekutive dhe ligjore dhe duke konsultuar dhe bashkëpunuar edhe me Gjykatën Evropiane në kuptimin e ndërtimit të marrëdhënieve specifike të këtij rajoni me Kosovën, Serbinë dhe natyrisht me Bashkimin Evropian, që kjo pjesë e Kosovës të merr statusin e rajonit Evropian”, ka thënë Beqaj.

Opsionet shtesë jashtë Pakos së Ahtisarit, janë vlerësuar si zgjidhje virtuale të cilat nuk ekzistojnë, nga ana e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq.

Gjatë këtij debati ai tha se veriu i Kosovës do të duhej të kalonte nëpër fazat nëpër të cilat kanë kaluar dhe po kalojnë komunat tjera me shumicë serbe poshtë Ibrit, të cilat sipas tij, kanë fituar një vetëqeverisje lokale.

Plani i Ahtisarit nuk është diçka e përkryer, por ofron zgjidhje dhe ai do të duhej të vlente për të gjithë njësoj, tha Petroviq.

Ndërsa ka ftuar serbët e veriut që në vend të barrikadave të bashkëpunojnë me institucionet e Prishtinës, ai tha se zgjidhja për veriun buron edhe në deklaratën e kancelares gjermane, Angela Merkel drejtuar Serbisë për shuarjen e strukturave paralele në Kosovë.

Angela Merkel erdhi në Beograd me porosi të qartë. Disa këtë porosi e panë si presion, por unë mendoj se gjërat duhet të rrjedhin në atë drejtim të cilin ajo e tha.
Angela Merkel erdhi në Beograd me porosi të qartë. Disa këtë porosi e panë si presion, por unë mendoj se gjërat duhet të rrjedhin në atë drejtim të cilin ajo e tha”, ka deklaruar Petroviq.

Qytetarëve që jetojnë në veri duhet dhënë rastin që së bashku, përmes projekteve zhvillimore të ndërtojmë të ardhmen tonë”, thotë zëvendëskryeministri Petroviq, i cili nuk sheh ndonjë arsye që të ketë një status të veçantë për veriun.

Ndërkohë, Belul Beqaj, duke arsyetuar idenë e tij, thotë se statusi i rajonit evropian për veriun do të ishte zgjidhje kalimtare deri në vendosjen e normalitetit në këtë pjesë dhe kthimit të saj nën juridiksionin e shtetit të Kosovës.

Nuk është mirë që t’i kemi dy kritere për një popull, por nuk është mirë që t’i kemi dy kritere për dy shtete. Pse fillimisht të mos bëhet një veprim emergjent i cili është interes edhe i Serbisë si shtet por edhe i Kosovës si shtet, por edhe BE-së që ka ardhur këtu që të kujdeset për sundimin e ligjit që të pastrohet veriu nga krimi”, ka deklaruar Beqaj.

Sidoqoftë, ide dhe opsione për veriun ka pasur viteve të fundit nga më të ndryshmet.

Por, që nga zhvillimet e 25 korrikut dhe më pas ato të 16 shtatorit për marrjen nën kontroll të pikave doganore nga ana e autoriteteve të shtetit të Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtar e që u pasuan me kundërshtim, bllokim rrugësh dhe tensione nga serbët lokal, opsionet që më së shumti qarkullojnë aktualisht kanë të bëjnë me faza kalimtare të vendosjes së veriut nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG