Ndërlidhjet

Kuvajti në proces të njohjes së Kosovës


Kuvajtit do ta njoh Kosovën në një të ardhme të afërt, tha kryetari i Asamblesë Nacionale të këtij vendi, Jasem Muhamad al-Kharafi. Me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ai al-Kharafi po qëndron në vizitë në Prishtinë.

“Ne në fakt themi se Kuvajti e ka njohur Kosovën, por se këtë duhet ta formalizojë qeveria e Kuvajtit e që presim ta bëjë së shpejti për të hapur edhe më tej udhët e bashkëpunimit”, ka thënë Jakup Krasniqi pas një takimi që zhvilloi me al-Kharafin.

Kurse al-Kharaf ka theksuar se kryeministri i Kuvajtit e ka njoftuar se udhëzimet e Princit të Kuvajtit kanë qenë dhe janë drejt njohjes së Kosovës dhe “në ditët e ardhshme, do të ndodh edhe njohja e Kosovës zyrtarisht”.

“Shpresoj që të kemi dobi të dyja vendet, para njohjes, edhe pas njohjes. Shpresoj që të mos humbim kohë, si dy vende, që praktikisht të fillojmë me hapa konkretë, drejt zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet nesh”, ka thënë al-Kharafi.

“Ne biseduam me kryetarin e Kuvendit edhe për bashkimin ndërmjet anëtarëve të të dy parlamenteve, dhe po ashtu kemi biseduar që anëtarët e të dy parlamenteve duhet të nxitojnë që ta kompensojnë kohën e kaluar para njohjes së Kosovës, në mënyrë që këto marrëdhënie të forcohen, menjëherë pas njohjes”, theksoi ai.

Sipas tij, shumë shpejt pas njohjes së Kosovës duhet të pasojnë edhe vizitat reciproke nga udhëheqjet e të dy vendeve për të kompensuar atë që është humbur.

Al Kharafi ka takuar edhe kryeministrin, Hashim Thaçi, ndërsa do të qëndroj në Prishtinë deri të hënën.
XS
SM
MD
LG