Ndërlidhjet

logo-print

Shkatërrohet toka e punueshme


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Shkatërrimi i tokës bujqësore në Kosovë është bërë fenomen shqetësues për autoritet kompetente dhe shoqërinë në përgjithësi, thonë përfaqësues të institucioneve të larta.

Procesi i shkatërrimit dhe dëmtimit të tokës bujqësore, sipas tyre, paraqet problem shqetësues për sigurimin e ushqimit në të ardhmen.

Kosova ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 mijë e 887 kilometra katrorë.

Nga kjo sipërfaqe, tokë bujqësore llogariten të jenë 577 mijë hektarë, nga e cila, rreth 500 hektarë shkatërrohen vetëm brenda një viti, thotë Idriz Gashi,shef i divizionit për tokë bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas tij, rajonet më të sulmuara nga ky fenomen janë përgjatë rrugës Prishtinë – Shkup.

Një ndër sfidat kryesore me të cilat përballet Kosova sot, është edhe humbja e madhe e tokës bujqësore, nga ndërrimi i destinimit. Arsyet janë të shumta, si arsye më e madhe është migrimi i popullatës prej zonave rurale drejt zonave urbane për një jetë më të mirë. Një sistem dinamik i ndërtimit, kërkesa për tokë për ndërtim, zona industriale për zona tregtare, dhe dukuri të tjera”, thotë Gashi.

Por, Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në Kuvendin e Kosovës, mohon shifrat e Ministrisë se Bujqësisë.

Ai thotë se mbi 1000 hektarë tokë bujqësore, brenda një viti në Kosovë, betonohet, shkatërrohen ose asgjësohen.

Hasani, madje e thotë se mbi tokën bujqësore po bëhet gjenocid, që nëse vazhdon më këtë ritëm të shkatërrimit, është shqetësuese, se Kosova në vitet e ardhshme do të mbetet pa tokë bujqësore.

Në bazë të ligjit, të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës, kanë bërë shkelje të ligjit, dhe ata kanë përgjegjësi për brezin e tashëm dhe të ardhshëm, që do të betonojnë tokën. Dhe ne si Kosovë, deri në 15 vjet do të mbesim pa tokë dhe do të ecim nëpër beton”, shprehet Hasani.

Edhe ekspertë të bujqësisë, pohojnë se deri në fund të kësaj dekade, Kosova do të ketë krizë në sigurimin e ushqimit, nga degradimi i tokës bujqësore.

Për këtë, Xhevdet Elezi, profesor në Fakultetin e Bujqësisë, kërkon nga autoritetet kompetente një kujdes më të vëmendshëm ndaj tokës bujqësore.

Toka në relacion me numrin e banorëve në Kosovë, gjendet në limitin e fundit, kur një kombi i paraqitet kriza për t’u ushqyer” thekson Elezi.

Nait Hasani, konsideron se arsye e shkatërrimit të tokës, është vetë ligji për tokën bujqësore, në bazë të cilit, sipas tij, kompetencat janë të përziera në mes Ministrisë se Bujqësisë dhe komunave të Kosovës.

Sipas këtij ligji, çdo pëlqim për shfrytëzimin e tokës, e lëshon ministria, ndërsa vendimet i marrin komunat përkatëse.

Është një ngatërresë, sepse përgjegjësinë Ministria e Bujqësisë ia hedh komunave, ndërsa komuna ia hedh ministrisë, sepse ministria lëshon pëlqime ndërsa komuna merr vendime. Kështu, kjo ngatërresë, apo kjo bazë që është deleguar te komunat, atëherë kryetarët e komunave kanë qenë të papërgjegjshëm në mbrojtjen e tokës bujqësore”, shprehet Hasani.

Se Ministria e Bujqësisë nuk është i vetmi institucion që bën trajtimin e tokës bujqësore, thotë edhe Idriz Gashi.

Ekziston Ligji për tokat bujqësore, ku ministria në bazë të këtij ligji e bën mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, ndërsa zbatimet e tyre i bëjnë Kuvendet Komunale. Ata kanë përgjegjësi ligjore që të bëjnë parandalimin e ndërtimeve në tokat bujqësore, të cilat janë jashtë zonave urbane dhe janë pa plan”, thotë Gashi.

Si do që të jetë, ekspertët thonë se sipërfaqja e tokës së punuar në Kosovë është mjaft e ulët, që llogaritet të jetë 0.15 hektarë për kokë banori. Ndërkaq, sipas standardeve ndërkombëtare, minimumi ekzistencial për prodhimin e ushqimit të mjaftueshëm, është 0.17 hektarë për kokë banori.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG