Ndërlidhjet

Robert Ford, bërja e ndryshimit në Siri


Robert Ford

Robert Ford

"Washington Post"

Nëse ju e pyesni vetveten se çka mund të bëjnë diplomatët në një periudhë të zvogëlimit të forcës ushtarake dhe të komunikimeve të menjëhershme, duhet ta keni parasysh rastin e ambasadorit amerikan në Siri, Robert Ford.

Ai ishte takuar me opozitën e Sirisë në gjithë vendin, duke e rrezikuar kokën e vet, proces ky që e kishte egërsuar regjimin e presidentit Bashar al-Asad.

Fordi është një shembull i diplomacisë së formës së lirë, që Shteteve të Bashkuara do t’u duhet derisa i tërheq forcat e veta nga luftërat në Irak dhe Afganistan.

Ai po e projekton fuqinë amerikane në mënyrë të qetë, nëpërmjet këshillave të protestuesve dhe të rrjeteve, e jo duke e mbështjellë opozitën me flamurin amerikan, që do të ishte përqafim i vdekjes për ta.

Me zotin Ford mund të flitet me telefon dhe, në këtë moment, për fat të keq, kjo është e vetmja mënyrë që shumica e gazetarëve të Shteteve të Bashkuara mund të flasin me të.

Gjatë bisedës ai i thekson këshillat themelore, që u ka ofruar liderëve opozitarë në takime. Ato ishin se duhet të mbesin paqësor dhe t’i rezistojnë rrëshqitjes drejt dhunës sektare.

Fordi kështu e finalizon mesazhin e tij: “Mos u bëni të dhunshëm. Kjo është kryesore. Nëse e bëni këtë, ju po luani ashtu siç ka dëshirë qeveria”.

Megjithatë deri tash, siç thekson zoti Ford, vrasjet sektare “janë sigurisht në rritje”, në Siri është një cikël shqetësues i sulmeve dhe hakmarrjes, që i përkujton përleshjet e sunitëve kundër shiitëve, në Irak në vitin 2006.

Armiqësia e përgjakshme në Siri është ndërmjet shumicës sunite dhe minoritetit alavit, që ka qeverisur prej vitit 1970, kur babai i presidentit Asad e pat marrë pushtetin.

Raportet nga të dy palët janë të tmerrshme: forcat e sigurisë së Sirisë i rrethojnë disidentët dhe i torturojnë disa prej tyre. Forcat opozitare janë angazhuar në vrasje ndëshkimore. Burime perëndimore dhe të qeverisë së Sirisë thonë se ushtarëve të zënë ndonjëherë u ishte prerë koka dhe bile edhe ishin copëtuar; disa të zënë alavitë i kishin pasur sytë e nxjerrë

Protestuesit brohorisin “paqësore, paqësore”. Por, zyrtarët e Sirisë dhe ata të Shteteve të Bashkuara e kanë konfirmuar raportin në Nju Jork Tajms, se qyteti në pjesën qendrore të Sirisë, Homs, që ishte seli e protestave, po lëvizë kah lufta civile, me pika kontrolli, që i shënojnë zonat e konfliktit.

Militantët e Sirisë kanë filluar të pretendojnë se ata po e ndërtojnë krahun ushtarak, sipas modelit të revolucionit në Libi, dhe disa nga NATO-ja kërkojnë zonë të ndalim fluturimit.

Ka edhe spekulime perëndimore se armata e Turqisë mund ta krijojë një strehim të tipit të Bengazit në Libi, përgjatë kufirit verior. Por, tash për tash, bisedimet e këtilla për betejë të armatosur, në të shumtën e rasteve, janë fantazi: Asadi ende mund ta okupojë çfarëdo hapësire brenda një dite, nëse ai dëshiron ta bëjë këtë.

Misioni i ambasadorit amerikan Ford, ishte ta inkurajojë opozitën e brendshme që të veprojë së bashku politikisht.

Ajo që i duhet opozitës siriane është hapësira politike në të cilën ajo do të piqej dhe do të zhvillohej në rezistencë të bashkuar dhe jo të dhunshme kundër Asadit.

Për t’u takuar me protestuesit, ambasadori Ford ka marrë rrezik të konsiderueshëm personal. Kur ai e injoroi qeverinë dhe udhëtoi guximshëm në qytetin Hama, në muajin korrik, vetura e tij ishte stolisur me lule nga protestuesit mirënjohës.

Por, ai ishte pritur me vezë dhe domate nga turma proqeveritare kur e kishte vizituar një lider opozitar muajin e kaluar në Damask. Ambasada e Shteteve të Bashkuara ishte sulmuar nga banditët proqeveritarë, po ashtu, në muajin korrik.

Zoti Ford po ecë nëpër teh, por është mirë të shihet një diplomat amerikan në udhëheqje për ndryshim, në vend të ushtrisë amerikane. (f. b.)
XS
SM
MD
LG