Ndërlidhjet

Liria e shtypit me probleme

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim


Lajmet televizive ruse mund të duken shumë më spërkatëse sesa mishërimi i vjetër i saj sovjetik, por shumë shikues do të ju tregojnë se përmbajtja e tyre ndryshon shumë pak.

Raportet e ndryshme tregojnë për udhëheqësit e vendit duke vizituar fabrika, duke qeshur me homologët e huaj, duke qortuar vartësit e tyre, gjë që shumë njerëz thonë që është propagandë e ngathët.

Televizioni NTV, një nga tri rrjetet kryesore, shpesh e ka kritikuar Kremlinin, përpara se Vlladimir Putin të bëhej president në vitin 2000. Pronari i NTV ishte i burgosur përkohësisht, dhe stacioni i tij ishte marrë me forcë nga kompania shtetërore Gazprom.

Ky rast më pas u bë një model për atë që ka ndodhur në mediat e tjera.

NTV iu bashkua kanaleve shtetërore 1 dhe 2, duke transmetuar raportet e Aleksei Simonovit, kreu i Fondacionit për mbrojtjen e lirisë së shtypit Glasnost, i karakterizuar si agjitacion dhe propagandë e miratuar nga Kremlini.

Kanal i katërt, i pavarur REN-TV, u mbajt më gjatë. Por, tani që më shumë se 60 për qind të aksioneve të tij i takojnë një konglomerati të metaleve dhe një firme të naftës, suksesi i të cilave varet nga marrëdhëniet me qeverinë, REN-TV gjithashtu funksionon brenda kufijve të paracaktuar.

Sipas Qendrës Levada, që është agjenci e pavarur për sondazhe, kjo është e gjitha që Kremlinit i duhet për të manipuluar opinionin publik. Sepse, rreth 80 për qind e popullsisë atje i merr lajmet nga këto televizione të kontrolluara nga shteti.

Përfaqësuesi i kësaj agjencie, Denis Volkov, thotë se ngjarjet të cilat Kremlini nuk dëshiron të publikohen, si skandali ndërkombëtar për vdekjen e avokatit Sergei Magnitski në burg, zakonisht nuk dihen në publik, “sepse televizionet shtetërore nuk i raportojnë ato”.

Por, kjo nuk nënkupton se në Rusi nuk ka shtyp të lirë. Shembull i kësaj është “Novaya Gazeta”, një gazetë javore e cila u vlerësua pozitivisht për hetimin e çështjeve të tilla si korrupsioni zyrtar dhe abuzimet në Çeçeni.

Por, nderin e raportimit të pavarur kjo gazetë e ka paguar rëndë: katër prej gazetarëve të saj janë vrarë ose kanë vdekur në rrethana misterioze që prej vitit 2003, duke nxitur bashkë-pronarin, miliarderin Alexander Lebedev, të kërkojë që stafit t’u lejohet të mbajnë armë, duke thënë se shteti kishte dështuar në mbrojtjen e tyre.

Mbështetja e fuqishme nga Lebedev dhe ish-lideri sovjetik Mikhail Gorbachev - të cilët së bashku kanë 49 për qind të aksioneve – ka ndihmuar mbrojtjen e kësaj gazete nga presioni i qeverisë, ndërsa kontrollimi i 51% nga ana e personelit siguron pavarësinë editoriale.

Për më tepër, qarkullimi i kësaj javoreje, kryesisht në Moskë dhe Shën Petersburg, e që është nën 200.000 kopje, nuk e rrezikon autoritetin e pushtetit.

Zëvendës redaktori i "Novaya Gazeta", Andrei Lipski, i cili është përgjegjës për politikë dhe media thotë:

"Është një paradoks, por edhe autoritetet kanë nevojë për ‘Novaya Gazeta”. Jo më pak se si burim informacioni për informata tëpakëndshme për njëri-tjetrin”, thotë Lipsi.

Në mesin e burimeve tjera të respektuara të lajmeve është gazeta "Vedomosti". Në pronësi të grupit medial finlandez Sanoma dhe që publikohet si shtojcë e "The Wall Street Journal" dhe "Financial Times", kjo e përditshme është e njohur për temat e saj në biznes dhe politikë.

Një tjetër gazetë me respekt të mjaftueshëm në Rusi është edhe gazeta Kommersant. Kjo gazetë ishte pronë e Boris Berezovskit por më pas u ble nga miku i Kremlinit Alisher Usmanov, në vitin 2006.

Atëherë zëvendës redaktori Kirill Rogov, i cili më pas dha dorëheqjen, tha se shitja siguron që "Kommersant" nuk do të "mbetet e pavarur".

"Kommersant ishte një herë në pozitën e mrekullueshme e unike pasi ishte e pavarur nga kontrolli i Kremlinit dhe nga pronari i gazetës por kjo ka përfunduar”.

Temat e ndaluara thuhet se përfshijnë gjithçka që do të mund të dëmtonte imazhin e autoriteteve, si korrupsioni në rend të parë, lufta në mes të elitave më të fuqishme, dhe të dhënat personale në lidhje me anëtarët kryesorë të Putinit dhe qarqet e Presidenti Dmitry Medvedev.

Megjithatë "Kommersant" dhe gazeta të tjera vazhdojnë të publikojnë raporte të ndryshme me tone kritike ndaj qeverisë.

Në anën tjetër, interneti po e mbush paksa këtë zbrazëti informacioni.

Rogov, themeluesi i faqes së parë të internetit me lajme në Rusi, e vlerëson internetin si mundësi ku gazetarët, ekspertët e bllogerët mund të sjellin tema në diskutim publik, jashtë mediave tradicionale të kontrolluara.

Sociologë të ndryshëm ndajnë lexuesit në dy kategori. Interneti- që përfshin kryesisht njerëz të rinj lexues që mund të kenë qasje në çfarëdo informacioni që duan, dhe televizioni - që përfshin njerëzit që dëgjojnë atë që autoritetet dëshirojnë të dëgjohet.

Megjithatë Akelsei Simonov nga Fondacioni Glasnost thotë se kjo nuk e zgjidh problemin.

"Interneti nuk është ilaq, është vetëm një medium. Por nuk është zgjidhja e asaj që njerëzit duan tani", tha Simonov.

Denis Volkov në anën tjetër thotë se vetëm 5 deri ne 6 % e popullit rus informohen nga interneti, prandaj kjo nuk ka ndonjë ndikim të madh në qytetarët e zakonshëm.

Edhe mediat më të lira në Rusi "nuk mund të jenë plotësisht të lira", thotë Rogov. "Sepse nuk mund të ketë media krejtësisht të lira në një vend që nuk është i lirë" përfundon ai. (e.b.)
XS
SM
MD
LG