Ndërlidhjet

Kastrati: Të largohen barrikadat në veri


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, thotë se banorët shqiptarë në veri janë duke e ruajtur besimin tek institucionet, përkundër situatës së tensionuar dhe problemeve për qarkullim si pasojë e barrikadave të vendosura nga strukturat paralele, njoftoi Komuna e Mitrovicës përmes një komunikate për media.

“Kemi vizituar Kodrën e Minatorëve, Lagjen e Boshnjakëve dhe Kroin e Vitakut. Gjendja e tyre është e rëndë për shkak të bllokimit të rrugëve, mirëpo sjellja e tyre vazhdon të jetë shumë e përgjegjshme karshi situatës” ka thënë Kastrati.

Ai këto komente i bëri të hënën në takimin e Komitetit lokal të sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.

Kastrati, tha se në të gjitha takimet që kanë pasur, duke përfshirë banorët e Bistricës Cerajës dhe Koshtovës, ka qenë kërkesë unanime që sa më shpejt të largohen barrikadat e vendosura në rrugë.

“Barrikadat ua kanë rënduar jetën të gjithëve, andaj kërkojmë nga strukturat e sigurisë që sa më parë t’i largojnë ato”, u shpreh Avni Kastrati.
XS
SM
MD
LG