Ndërlidhjet

logo-print
Qeveria e Kosovës duhet të gjejë formën ose strategjinë që të heqë nga rendi i ditës çështjen e dy vendkalimeve kufitare, Bërnjak dhe Jarinë, në veri të vendit, thotë analisti për çështje politike, Halil Matoshi.

Sipas tij, kompromis i mirë do të ishte ndarja e një përqindjeje të të hyrave nga këto dy vendkalime kufitare për tri komunat në veri të Kosovës, të cilat, siç thotë ai, kanë ngelur të varfra dhe të pazhvilluara për shkak të mossundimit të ligjit dhe krimit të organizuar.
Halil Matoshi

Halil Matoshi


“Për hir se ata janë shtetas të Kosovës, Qeveria e Prishtinës do të duhej të lëshonte pe. Një pjesë ose një përqindje e të hyrave atje të mbetet për zhvillimin e gjithëmbarshëm të qytetarëve kosovarë atje”.

“Për çfarëdo aranzhimi tjetër, pas 17 shkurtit të vitit 2008 dhe pas zbatimit të Paketës së Ahtisarit, Kosova nuk mund të bisedojë, sepse Kosova nuk ka tokë për të koncesionuar ose për t’i falur Serbisë”
, thotë Matoshi.

Analisti Leon Malazogu thotë se Serbia po tenton që përmes vënies në tavolinë të çështjes së vendkalimeve kufitare, të imponojë bisedimet politike për veriun e Kosovës.

Por, sipas tij, ekziston vetëm një mënyrë për të biseduar për vendkalimet kufitare.

“Vendkalimet kufitare, për kah natyra, janë temë që i përket më shumë se një shteti. Mendoj që me Serbinë nuk duhet biseduar sa i përket organizimit të vendkalimit kufitar nga ana kosovare”.

“Por, në qoftë se ka ndonjë hapësirë që të diskutohet për ndonjë marrëveshje dypalëshe për vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa u diskutuar se si e organizon Kosova në anën e vet kufirin - gjë që është e drejtë sovrane e saj - atëherë mbase kjo do të mund të ishte një zgjidhje kreative”, thotë Malazogu.

Zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, në mënyrë kategorike, kanë përjashtuar mundësinë që Kosova të bisedojë për çështje politike me Serbinë dhe gjithashtu kanë hedhur poshtë mundësinë që çështja e vendkalimeve kufitare në veri të shtrohet si temë bisedimesh në dialogun me Serbinë.

Analisti Malazogu përjashton çdo mundësi që Serbia të ketë të drejtë të shtrojë çështje të tilla në dialog.
Serbia po kërkon njëfarë lloj shpëtimi moral përpara qytetarëve të saj dhe atyre në veri të Kosovës.

“Nuk ka të drejtë legjitime që të kërkojë dhe të bisedojë qoftë për veriun, qoftë për vendkalimet kufitare në veri. Serbia po kërkon njëfarë lloj shpëtimi moral përpara qytetarëve të saj dhe atyre në veri të Kosovës. Në të njëjtën kohë, nuk i përmbush obligimet që i ka marrë para bashkësisë ndërkombëtare për të vazhduar dialogun”, thekson Malazogu.

Sipas Matoshit, bisedimet politike në rrethanat aktuale janë të pamundura, por ato nuk mund të përjashtohen në një të ardhme, nëse qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës ndryshon.

Matoshi thotë se, tash për tash, ka humbur kuptimi për çfarëdo bisedimesh, qofshin ato teknike apo politike.

“Nëse Serbia objektivisht i qaset ndërrimit të diskursit politik ndaj Kosovës dhe fillon shtendosja reale ndërmjet këtyre dy kombeve dhe dy shteteve, mund të bisedohet me Serbinë, do të thotë, në nivele politike - nëse Serbia jep shenja se do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Përndryshe, nuk ka më kurrfarë kuptimi për kurrfarë bisedash, qofshin ato teknike apo politike”, thotë Matoshi.

Analistët e çështjeve politike vlerësojnë se edhe bisedimet e deritashme, të cilat janë quajtur teknike, të shumtën e rasteve kanë pasur ngjyrime politike, gjë që, sipas tyre, është e natyrshme kur bisedojnë dy shtete që nuk e njohin njëri-tjetrin.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG