Ndërlidhjet

logo-print
Drejtuesit e Komisionit për Reformën Zgjedhore thonë se ende nuk kanë marrë pajtueshmërinë e partive politike për çështjet kryesore që kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Valdete Daka, drejtuese e Grupit Punues për Zgjedhjet, tha se tri partitë politike - PDK, LDK dhe AAK - ende nuk kanë dhënë propozimet e tyre për ndryshimet në sistemin zgjedhor.

“Tri partitë nuk i kanë dhënë rekomandimet. Tash i mbetet komisionit të vendosë”, tha Daka.

Procesi i reformimit të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme është duke shkuar shumë ngadalë dhe partive politike nuk po u ngutet që ta reformojnë sistemin zgjedhor në vend, kanë thënë së fundmi përfaqësuesit e Zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë.

Kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli, i tha Radios Evropa e Lirë se, në ditët në vijim, partitë politike pritet të dalin me rekomandimet e tyre konkrete.

Ai i mohoi ngecjet në punë, në drejtim të reformave.

“Ne jemi duke vazhduar me punë e sipër. Konkretisht nesër, komisioni do t’i ketë rekomandimet e Grupit Punues lidhur me Komisionin Qendror Zgjedhor”, tha Demolli.

Sipas tij, ndryshimet në Ligjin zgjedhor nuk do të mund të arrihen pa një marrëveshje të përbashkët të subjekteve politike.

Opsioni i listave të hapura ose të mbyllura, si dhe përcaktimi në një apo më shumë zona zgjedhore janë çështje më të ndjeshme, rreth të cilave pritet të vendosin partitë politike dhe Komisioni për Ndryshimin e Ligjit.

Betim Gjoshi, anëtar i Grupit Punues për Zgjedhjet nga PDK-ja, thotë se çështja e listave të hapura është ende duke u diskutuar brenda partisë së cilës i takon.

“Ligji është në fazën e ndryshimit. Për temat që kanë qenë në diskutim, kemi dhënë qëndrimet tona. Ndërsa një pjesë, si sistemi zgjedhor me lista të hapura, është në diskutim të brendshëm në parti. Ne do të jemi për modelin më demokratik, që është në të mirën e votueseve”, deklaroi Gjoshi.

Kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli, foli edhe për qëndrimin e LDK-së rreth kësaj çështjeje. Sipas tij, edhe LDK-ja është në fazën e konsultimeve të brendshme.

“Lidhja Demokratike është në fazën e punës. Tashmë është themeluar një grup punues, i cili është duke u marrë me çështjen e zonave dhe listave. Ai grup është në punë e sipër dhe po i bën analizat e veta”, tha Demolli.

Por, marrë parasysh, siç thuhet, parregullsitë në zgjedhjet e kaluara, Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, tha se partia e tij është duke i analizuar me kujdes të gjitha çështjet rreth reformimit të Ligjit për zgjedhje.

Duke ditur se është një çështje shumë me rendësi - për shkak të parregullsive që kanë ndodhur në të kaluarën - po i japim më shumë rëndësi, më shumë përmbajtje këtij ligji. Nuk po ngutemi, për shkak se mendojmë se duhet të jetë një ligj, i cili mundëson edhe demokratizimin e vendit, por edhe zgjedhje të lira dhe të pandikuara”, theksoi Isufi.

Njohësit e sistemeve zgjedhore thonë se Komisioni për Reformën Zgjedhore dhe Grupi Punues për Zgjedhjet duhet të punojnë më shpejt dhe në mënyrë më transparente.

Të martën pritet që Komisioni për Reformën Zgjedhore të diskutojë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG