Ndërlidhjet

FC Kosova, ekip i vogël me ëndrra të mëdha


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Pesë minuta pas nisjes së pjesës së dytë, stagnimin e lojës e prish një kundërsulm i ashpër, i mbuluar nga një top i lartë dhe i lezetshëm që fluturon mbi portierin.

Papritmas, portat hapen dhe ekipi vendës dyfishon rezultatin brenda minutave. Në fund të lojës, rezultati mbyllet 3 me 0 për ekipin vendës, i cili pat një mori shansesh.

Klubi Futbollistik Kosova Schaerbeek mund të jetë vetëm një ekip amator që duhet të kalojë gjashtë divizione tjera para se të arrijë në Ligën e Premierës Belge. Por, kjo nuk mund të thuhet edhe për tifozët e klubit Kosova.

Për ta, ai është më shumë sesa një ekip futbolli. Është pjesë e identitetit të tyre, është si një familje e dytë. Tifozët vënë në pah se klubi ka ekzistuar shumë kohë para se vetë Kosova të njihej ndërkombëtarisht si shtet dhe të hapte një ambasadë në Bruksel.

Janë pothuaj 200 tifozë që shohin lojën - një numër i konsiderueshëm nëse merret parasysh se ka një sërë klubesh më të mira të futbollit në qytet.

Një nga ta është Avni Bakalli, i cili tregon se çka nënkupton ekipi për të.

“Ekipi përfaqëson komunitetin mysliman në Bruksel. Por, po ashtu përfaqëson çdo gjë që shqiptarët duan nga një ekip futbolli - disiplinën, vullnetin për të fituar, vëllazërinë dhe në veçanti besimin e ndërsjellë”, shprehet Bakalli.

Një tjetër tifoz, të cilit djali, nipi dhe kushëriri i luajnë për ekipin Kosova, përmbledh me pak fjalë se përse e do këtë klub.

“Kemi vuajtur shumë në histori, por tash kemi një klub mes nesh, ku mund të takohemi, të pimë, të bisedojmë për gjithçka dhe asgjë, por mbi të gjitha për futbollin”, thotë ai.

Drejtuesi i klubit Kosova, Xhevat Abazi, ka qenë lojtar 20 vjet më parë, kur edhe është themeluar klubi. Ai i thotë Radios Evropa e Lirë se do të kishte edhe më shumë njerëz që shikojnë lojën, po qe se do të kishin një fushë futbolli më të mirë.

“Mbështetësit i kemi gjithmonë këtu. Gjithmonë na kanë mbështetur. E patë dhe vetë sot dhe është diçka mahnitëse”, thotë Abazi.

Ekipi, kur luan në cilësinë e vendësit, është i kufizuar që lojën ta zhvillojë në Astro Turf, një lloj fushe futbolli e rrethuar dhe me rërë, në komunën multietnike të Shaerbikut në Bruksel, qytet prej 40 mijë banorësh, ku jeton një shumicë e komunitetit shqiptar.

Më parë, ekipi ka ndarë një fushë futbolli me dy klube fqinje, por ajo është mbyllur për shkak të ndërtimeve.

Kur Xhevati ishte ende një lojtar, klubi përbëhej nga imigrantët që vinin nga Kosova dhe gjendej në fund të sistemit të ligave të futbollit në Belgjikë. Sot është ngjitur lart për të kaluar një divizion dhe po synon ngjitjen lart në ligën tjetër.

Për më tepër, FC Kosova tash i ka 140 lojtarë dhe nga një ekip për secilën moshë nga 6 deri në 21 vjeç.


Klub multietnik

Sekretari i Klubit, Afrim Kas, i tha Radios Evropa e Lirë se klubi po bëhet gjithnjë e më shumë multietnik, meqë po vijnë lojtarë nga Turqia, Maroko dhe disa shtetet afrikane.

“Në fillim, kur u formua klubi, ka qenë një familje e mirë, e vogël, që përfaqësonte komunitetin shqiptar, por tash është zhvilluar në një klub për tërë Brukselin dhe periferinë”, thotë Kas.

Megjithatë, shumica nga 11 lojtarët aktivë, janë nga Kosova. Por, urdhrat nga banka jepen në gjuhën frënge. Trajneri i ekipit, është Kristof Shonjans, një belg i cili për pesë vjet ka qenë portier i ekipit para se të lëndohej dhe të përshëndetej me dorëzat.

Edhe pse ekipi edhe më tutje ka një identitet të fuqishëm etnik, Shonjans nuk sheh ndonjë vështirësi që si një i huaj të japë instruksione.

“Ata nuk janë kosovarë, ata janë lojtarë. Për mua, ata janë lojtarë dhe me të vërtetë nuk është me rëndësi nëse janë kosovarë, spanjollë, belgë apo suedezë. Është e njëjta gjë”, thotë ai.

Megjithatë, krenaria e veshjes së bluzës kuq e zi me shqiponjën dykrenare është më se evidente te secili nga lojtarët.

Ledio Kertusha, kapiteni i ekipit, thotë se ai luan për shtetin dhe popullin e tij, por vë në pah se klubi Kosova Schaerbeek është një lloj makine e rëndësishme për integrim në Belgjikë.

“Është mirë për ne, sepse do të na integrojë më shumë dhe mund t’i tregojmë secilit se edhe ne kemi vend në këtë shoqëri”, thotë Kertusha.

Ekipi edhe më tej ruan stilin ballkanik të futbollit që karakterizohet me një temperament të lartë, gjestikulacione të egra në drejtim të referit dhe simulim teatrik kur i afrohen zonës së penalltive.

Kas thotë se është një moto e klubit që të luajë atë formë futbolli, me të cilën do të argëtoheshin si të vjetrit, ashtu edhe të rinjtë.

“Është një spektakël. Fëmijët që vijnë këtu, duan të argëtohen. Kjo është gjëja më e rëndësishme për klubin, argëtimi”, thotë Kas.

Suksesi relativ i klubit paraqet problemet e veta. Buxheti vjetor prej 4 mijë eurosh është i vogël, por do të mund të rritet nëse klubi vazhdon të ngjitet lart në tabela.

Lojtarët nuk marrin paga dhe ata që drejtojnë klubin nuk e bëjnë këtë për para, por e kanë hobi. Por, referët duhet të paguhen dhe përdorimi i fushës së futbollit për shumë ekipe të të rinjve, nuk është i lirë.

Deri më tash, sponsorizuesit nga bizneset lokale, pagesat e anëtarësimit dhe një shumë e vogël e mbledhur nga biletat mund të përmbyllin shpenzimet. Por, Abazi pret që komuna do të ndihmojë po ashtu me mjete financiare, në mënyrë që të tria ekipet e Sharbekut të kenë fusha të vërteta futbolli dhe pajisje më të mira.

“Nuk është projekt njëvjeçar, por diçka që merr kohë shumë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ekipe të të rinjve, por në të njëjtën kohë do të përmirësojmë ekipin primar. Por, jo e tëra varet nga ne. Neve na duhet mbështetja nga komuna, kur është në pyetje infrastruktura dhe financa. E tërë kjo na duhet, por tashmë kemi talentët”, thotë Abazi.

Një fushë e përkohshme e re e futbollit tashmë është gjetur në një pjesë tjetër të Sharbekut, ku gjendet edhe statuja e heroit kombëtar shqiptar të shekullit XV, Skënderbeut. Mbase, ai do të shohë klubin se si do të vazhdojë të ngjitet në ligat e futbollit.

Tifozët shpresojnë se klubi jo vetëm se do të eksportojë futbollistë në ekipet e ligave më të larta, por një ditë presin ta shohin ekipin e tyre favorit të luajë vetë kundrejt klubeve më të mëdha në tërë vendin.

“Është një e ardhme e mirë. Është një e ardhme, për këtë jemi këtu dhe kjo e ardhme është që një ditë të luajmë në ligën e parë”, thotë një tifoz i klubit Kosova. (a.i.)
XS
SM
MD
LG