Ndërlidhjet

Shtatë vjet burg për Timoshenkon

  • RFE /RL

Timoshenko pata gjyqit në Kiev, 11 tetor 2011.

Timoshenko pata gjyqit në Kiev, 11 tetor 2011.

Ish-kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoshenko, është dënuar me shtatë vjet burg, për shkak të “abuzimit me detyrën zyrtare”.

Zëdhënësi i partisë së Timoshenkos, Mikola Tomenko, i tha shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se Timoshenko do të apelojë vendimin e sotëm të gjykatës.

Drejtësia në Kiev tha se ish-kryeministrja e Ukrainës ka tejkaluar kompetencat e saj, kur ka urdhëruar kompaninë energjetike Naftogaz të nënshkruajë marrëveshje për gazin natyror me Gazpromin e Rusisë, në vitin 2009.

Gjykatësi Rodon Kirejev tha se Timoshenko i ka shkaktuar dëme shtetit, në vlerë prej 190 milionë dollarësh.

“Julia Volodimirovna Timoshenko është gjetur fajtore për krime të ndëshkueshme sipas nenit 365, pjesa 3 e Kodit Penal të Ukrainës dhe është dënuar me shtatë vjet burg”, tha Kirejev.

Akuzat rrjedhin nga marrëveshja 10-vjeçare e gazit natyror, e ndërmjetësuar nga vetë Timoshenko dhe kryeministri rus, Vladimir Putin, në janar të 2009-ës.

Kiev, 11 tetor 2011.

Kiev, 11 tetor 2011.

Derisa vendimi u lexua nga gjykatësi Kirejev, mijëra mbështetës të Timoshenkos ishin tubuar jashtë ndërtesës së gjykatës, ku ndodheshin edhe forca të shumta policore.

Prokurorët e shtetit kanë akuzuar Timoshenkon – kundërshtaren kryesore politike të presidentit Viktor Janukoviq – për shpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa kanë kërkuar nga gjykatësit dënimin me shtatë vjet burg të saj, që është edhe dënimi maksimal.

Qeveria e Janukoviqit thotë se marrëveshja ka bërë që Ukraina t’i paguajë Gazpromit shuma të mëdha parash për furnizimet me gazin natyror.

Por, Timoshenko, e cila ishte udhëheqëse e Revolucionit të Portokalltë në vitin 2004, mohon çdo keqbërje. Ajo thotë se rasti është pjesë e hakmarrjes politike nga ana e Janukoviqit, i cili, sipas saj, mezi e ka fituar në zgjedhjet presidenciale të 2010-ës.

Duke folur më herët para gazetarëve në Kiev, Timoshenko tha se vendimi i gjykatës kundër saj është i motivuar politikisht.

“Asnjë njeri në botë apo në Ukrainë nuk u beson krimeve që janë shpallur këtu. Andaj, askush, as Janukoviqi, as Kirejevi, nuk do të jenë në gjendje të përlyejnë emrin tim”, tha Timoshenko.

Ajo po ashtu u bëri thirrje ukrainasve të qëndrojnë të guximshëm kundër asaj që ajo e përshkroi si “nëpërkëmbje të jetës së tyre dhe të Ukrainës nga ana e regjimit të Janukoviqit”.

Julia Timoshenko

Julia Timoshenko

“Dua t’iu bëj thirrje miliona ukrainasve... Ju kërkoj të mos keni frikë nga regjimi. Nëse frikësoheni, jeta juaj do të nëpërkëmbet, ashtu si edhe Ukraina. Mos u frikësoni! Ju duhet të mbroni Ukrainën dhe jetët tuaja me kurajë dhe forcë”, tha Timoshenko.

Edhe para shpalljes së vendimit të sotëm, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimin se Ukraina po përdor “drejtësi selektive” për të ndjekur penalisht Timoshenkon.

Ukraina ishte lart edhe në agjendën e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët u takuan të hënën në Luksemburg.

Burimet në Bruksel kanë sugjeruar se nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë mund të jetë në rrezik, nëse vendimi ndaj Timoshenkos konsiderohet i padrejtë.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka thënë se BE-ja dhe Ukraina ishin në drejtim të nënshkrimit të Marrëveshjes për Asociim.

Por, të hënën, Eshton tha se BE-ja “nuk është optimiste lidhur me gjykimin”. Ajo paralajmëroi se vendimi kundër Timoshenkos mund ta bëjë më të ashpër procesin e ratifikimit, si dhe mund të dëmtojë perspektivën për lidhje më të ngushta ndërmjet BE-së dhe Ukrainës.

Franca dhe Gjermania janë në mesin e vendeve që mund të nxisin ngadalësimin e marrëveshjeve BE-Ukrainë, për shkak të, siç thuhet, natyrës politike të gjykimit të Timoshenkos.

Marrë parasysh vendimin e sotëm, Kievi duhet të kërkojë mënyra për të zbutur kritikat ndërkombëtare. (v.t.)
XS
SM
MD
LG