Ndërlidhjet

Topalli: Udhëheqja e PS-së, celulë anti-evropiane


Jozefina Topalli gjatë vizitës në selinë qendrore të Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Jozefina Topalli gjatë vizitës në selinë qendrore të Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Lidershipi i Pasrtisë Socialiste është kthyer në një celulë anti-evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Topalli, aktualisht jemi në pritje të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Çka mund të pritet nga ky raport, duke pasur parasysh, veçanërisht, kërkesën e Shqipërisë për status të vendit kandidat për pranim në Bashkimin Evropian?

JOZEFINA TOPALLI
Unë do ta ndaja në dy pjesë: e para – në tërësi, raporti besoj se është realist dhe do të jetë pozitiv, ashtu siç është klima në tërësi në Shqipëri. Këtu kam parasysh situatën ekonomike, pavarësisht nga fakti se Shqipëria është e rrethuar nga kriza në Greqi në jug, në Itali në perëndim dhe nga vendet, të cilat janë në vështirësi ekonomike.

Në këtë kuptim, modeli i Shqipërisë, si model ekonomik, ka funksionuar, meqë vendi ynë asnjëherë nuk ka qenë në recesion, ndryshe nga shumë vende, që jo vetëm na rrethojnë, por edhe përtej atyre, që i kemi afër.

Ndërsa, sa i takon aspektit të statusit të vendit kandidat, unë besoj se shqiptarët do ta paguajnë edhe një herë bojkotin dhe bllokadën që opozita i ka bërë Parlamentit, gjatë këtyre dy vjetëve.

Është një çmim, që shqiptarët e pafajshëm duhet ta paguajnë për një politikë ose për lidershipin e një partie, që, me sa duket, është edhe një lloj celule anti-evropiane.

Natyrisht, unë ndjehem keq kur e them një gjë të tillë, por ne duhet të jemi të ndershëm me njëri-tjetrin, duhet ta themi të vërtetën ashtu siç është.

Si kryetare e Kuvendit, unë është dashur të përballem me frymën e anti-parlamentarizmit dhe në tërësi të anti-shtetit.

Në këtë kuptim, shqiptarët duhet të paguajnë për diçka që nuk e meritojnë, për diçka që nuk e kanë bërë, por mendoj se është edhe momenti që secili prej shqiptarëve duhet ta pyesë veten nëse ia vlen më që t’i përgjigjesh një lidershipi të një partie, që është kthyer edhe në një celulë anti-evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët bojkotin politik të opozitës. Por, edhe pas kthimit të saj, prapëseprapë, duket se gjërat nuk po lëvizin. Këtu kam parasysh veçanërisht kërkesën e opozitës për ndryshim të rregullores së punës së Kuvendit, përfshirë votimin e fshehtë...

JOZEFINA TOPALLI
Kjo është një justifikim ose përpjekje e dështuar për të gjetur një mburojë nga sytë e shqiptarëve dhe gjithë botës, pasi ata, në fakt, vazhdojnë ta bojkotojnë votimin e ligjeve me 3/5.

Kuvendi i Shqipërisë, gjatë dy vjetëve, ka votuar 400 ligje, që ishin ligjet e reformave të mëdha ekonomike dhe kanë bërë të mundur që Shqipëria të mos kalojë në recesion.

Në fund të fundit, detyra jonë është që të shohim se sa para shkojnë në xhepat e shqiptarëve. Ajo që ata përpiqen ta përdorin si mburojë, në fakt nuk mbulon, sepse është vetëm gjethja e fikut.

Pavarësisht nga kjo, ne jemi të hapur për të përmirësuar çdo gjë që mund të përmirësohet edhe në raport me rregulloren e Kuvendit, edhe në raport me ligjet e tjera.

Nëse ka ndonjë nen, që bie në kundërshtim me rregulloren e Parlamentit Evropian, padyshim që jemi të hapur për ta përmirësuar, megjithëqë kam bindjen e thellë dhe këtë e them me një ndërgjegje të plotë, se rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë është ndër rregulloret më moderne dhe më demokratike që ekziston sot në Evropë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po përse atëherë e kundërshtoni votimin e fshehtë në parlament, që personalisht e keni sugjeruar?

JOZEFINA TOPALLI
Jo. Ndoshta nuk jemi kuptuar mirë. Dekretet e presidentit nuk mund të votohen kurrë në mënyrë të fshehtë, sepse nuk votohen në mënyrë të fshehtë në asnjë vend. Sa u takon emrave të tjerë, që do të zgjidhen në institucione të ndryshme, le t’u qëndrojmë atyre modeleve, siç i përdor edhe Evropa.

Natyrisht mund ta adaptojmë - po të kemi kurajë për t’i mos fshehur vetvetes dhe ndërgjegjes sonë - ta përdorim edhe votën që përdor Kongresi dhe Senati Amerikan.

Unë personalisht mendoj se përpara shqiptarëve duhet të themi se nuk kemi përse të fshihemi pas asgjëje, as pas kutive të votimit, as pas perdeve, për të thënë që vullneti im politik është ky.



RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, si e shihni vazhdimin e dialogut politik në Shqipëri, si një gjë kyçe për zhvillimet politike në vend?

JOZEFINA TOPALLI
Unë besoj se pas dëmit që i është bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërësi, me bojkotin dhe bllokimin, që besoj se kjo do të reflektohet edhe në Raportin e Progresit, pavarësisht se Kuvendi ka kaluar 400 ligje dhe se opozita nuk voton ligjet me 3/5 - kanë mbetur peng katër ligje - përtej perdes, të gjithë deputetët, të majtë dhe të djathtë, rrinë me njëri-tjetrin dhe diskutojnë me njëri-tjetrin.

Kështu që është një gjë aq artificiale, por që përdoret duke menduar se mbase kështu mund të dëmtohet Sali Berisha. Fakti është se në zgjedhjet e fundit, shqiptarët folën qartë dhe në fakt i dhanë të kuptojë zotit Rama, në nivel kombëtar, se do të ketë edhe më pak vota.

Në fakt, ai pat më pak se në 2009-ën, pa folur për humbjen e tij personale në këto zgjedhje, që unë si politikane e shoh si një humbje poshtëruese, sepse nëse je lider i një partie, humb zgjedhjet politike, humb zgjedhjet lokale...

RADIO EVROPA E LIRË
Por, zoti Rama thotë se do të ketë rezultate më të mira në të ardhmen...

JOZEFINA TOPALLI
Në fakt, zgjedhjet e 8 majit treguan se koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha mori dyfishin e votave që e kishte marrë në 2009-ën, ose përkthyer në mandate, ka marrë së paku 17 mandate më tepër se në 2009-ën.

Nëse zoti Rama mendon se kështu do t’iu hedhë hi syve të shqiptarëve, ju garantoj se pas dy vjetëve kjo diferencë do të rritet edhe më shumë në favor të koalicionit. Por, kjo është për sa u takon partive politike.

Ajo që mua më intereson, është vendi dhe ecja përpara e vendit. Ne mbetemi të fokusuar për një Shqipëri të zhvilluar, që do të thotë se ne duhet të fokusohemi në reformat ekonomike, se ne duhet të fokusohemi në adaptimin e inovacioneve dhe të të rejave teknologjike, sepse shqiptarët janë një popull inteligjent, që e kapin menjëherë të renë, janë një popull që kanë demonstruar gjatë këtyre 20 vjetëve se, pavarësisht nga vështirësitë, e kanë bërë rrugën më të gjatë për një kohë të shkurtër dhe ia kanë dalë që të ndjehen mirë me veten e tyre dhe në sytë e të tjerëve.

Këto janë bërë pavarësisht nga përpjekjet për ta mbajtur si peng nga një grup i vogël në krye të Partisë Socialiste, që unë do të doja përsëri ta theksoj, si një celulë anti-evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë, presidenti Bamir Topi ka sugjeruar se do të mund të formonte një parti të re. Nëse kjo ndodh, a keni shqetësime se do të dobësohej Partia Demokratike?

JOZEFINA TOPALLI
E para, nuk ka asnjë shqetësim. E dyta, kjo nuk është diçka e papritur, as e panjohur. Besoj se do të merrte nga e majta, sepse zoti Topi ka luajtur në fushën e majtë gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo nuk më intereson aq, sa më dhemb fakti që kjo është një fyerje ndaj karriges së presidentit.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse mendoni se është fyerje?

JOZEFINA TOPALLI
Në bazë të Kushtetutës, ai duhet të jetë figura që bashkon popullin dhe jo që punon për një parti të caktuar. Ai ishte i sinqertë pasi që doli vota e tij në sytë e të gjithë shqiptarëve – ‘live’, me të parë dhe me të dëgjuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka zëra që thonë se ju jeni ndër personalitetet më me ndikim në Partinë Demokratike, pas zotit Berisha. Në këtë perspektivë, a e shihni veten në ndonjë post edhe më të lartë në Shqipëri?

JOZEFINA TOPALLI
Nuk e kam lidhur kurrë punën time me postet e caktuara. Ajo që unë mendoj deri në 2013-ën është të drejtoj Kuvendin e Shqipërisë, duke menduar për reformat e tjera në fushat fiskale, në fushat e zhvillimit të bujqësisë, të teknologjisë, të ekonomisë në tërësi. Kjo është ambicia ime, ky është vullneti im dhe këtu jam e fokusuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas vitit 2013, mendoni eventualisht për postin e presidentes?

JOZEFINA TOPALLI
Unë mendoj t’i fitojmë zgjedhjet e 2013-ës, sepse vendi ka nevojë për një lidership, i cili është dëshmuar ose është i suksesshëm për të lëvizur vendin nga një vend i pazhvilluar drejt një Shqipërie të zhvilluar në 2017-ën. Kjo është ambicia ime.

RADIO EVROPA E LIRË
Si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, si e vlerësoni bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe në përgjithësi bashkëpunimin e institucioneve të dy vendeve?

JOZEFINA TOPALLI
Të shkëlqyer – në të gjitha nivelet, në shkëmbimet midis komisioneve, midis kryetarëve të kuvendeve. Në fakt janë lidhje vëllazërore, unë nuk mund t’i quaj thjesht lidhje formale midis dy kuvendeve.


Sot unë mund të jap edhe një lajm tjetër të gëzuar – Kuvajti ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke rritur numrin e vendeve dhe duke bërë të mundur që për një periudhë të shkurtër, Kosova të hyjë realisht, thellësisht, në proceset integruese, si e gjithë pjesa tjetër e Ballkanit dhe e Evropës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilin aspekt të bashkëpunimit do ta veçonit?

JOZEFINA TOPALLI
Të gjitha, nuk di t’i ndaj. Ne jemi një – në aspektin ekonomik, në aspektin politik, në aspektin e qenies njerëzore. Ajo që gjithë ne shqiptarët dimë – kudo qofshim, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni apo në Mal të Zi – është se ne jemi një komb, një komb që jemi faktor në Ballkan, një komb që s’i kemi bërë kurrë keq askujt, një komb që shikon drejt integrimit dhe që do të bashkohemi në këto procese integruese.
  • 16x9 Image

    Fatmir Bujupi

    Fatmir Bujupi, karrierën e gazetarit e filloi në moshën 23 vjeçare në Radio Prishtinë, në vitin 1976, ku punoi për më tepër se 10 vite.  Ka të kryer Fakultetin Teknik – Dega e Makinerisë në Prishtinë. Prej muajit prill të vitit 2000 punon në programin për Kosovën në Radion Evropa e Lirë në Pragë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG