Ndërlidhjet

Dështim i ndërsjellë i zotimeve?!


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
As pozitiv, as negativ, por real. Kështu presin të jetë Raporti i sivjetmë i Progresit për Kosovën zyrtarët e ekzekutivit kosovar. Por, analistët për çështje evropiane thonë se pas fjalës "raport real", në fakt mund të fshihet një gjendje jo e kënaqshme dhe që bie ndesh me kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian.

Sidoqoftë, zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, është i bindur se Kosova është në rrugë të drejtë dhe krahasuar me vendet e rajonit, sipas tij, në vend është arritur përparim.

“Kosova është në fazën e shtetndërtimit. Për një periudhë shumë të shkurtër kohore dhe duke e krahasuar me vendet tjera të rajonit, Kosova ka arritur një përparim të hatashëm”.

“Në fakt, BE-ja ka paqartësi ndaj Kosovës, sepse Kosova e ka rrugën e saj të trasuar. Duke i marrë parasysh të gjitha këto pengesa që i janë paraqitur Kosovës gjatë rrugëtimit të saj drejt BE-së, besoj se deri tash kemi arritur përparim të mirë”,
i tha Radios Evropa e Lirë zëvendësministri Kasapolli.

Shenoll Muharremi
Shenoll Muharremi
Por, duke u bazuar në disa përfundime të projekt-raportit, që kanë mundur të depërtojnë në media, analisti për çështje evropiane, Shenoll Muharremi, nuk pret raport pozitiv për Kosovën. Për më tepër, nga kjo gjendje, ai tha se më së shumti do të vuajnë qytetarët e rëndomtë.

“Ky nuk është Raporti i parë i Progresit për Kosovën. Prej vitit 2005, KE-ja e vlerëson Kosovën. Dhe, thjesht, ne shohim një vazhdimësi të vlerësimit jo shumë të mirë. Kosova duhet të krahasohet me vendet e rajonit dhe momentalisht jemi dëshmitarë se qytetari i Kosovës është qytetari që ka më së paku liri të lëvizjes - është ndër më të varfrit në Evropë”.

“Këto janë ato elementet shumë praktike për qytetarin, në bazë të të cilave ne e masim progresin“,
tha Muharremi.

Autoritetet e Kosovës, në anën tjetër, vazhdojnë të thonë se Kosova është e diskriminuar nga qasja e BE-së karshi shtetit të ri. Për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE-së, Kosova nuk mund të lidhë marrëdhënie kontraktuale me institucionet e BE-së, nuk ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave, e as që bëhet fjalë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Zëvendësministri Kasapolli flet për një trajtim ndryshe të Kosovës nga ana e Brukselit zyrtar.
Fakti që Kosovën nuk e kanë njohur pesë vendet e BE-së, e bën këtë rrugëtimin tonë goxha më të vështirë.

“Fakti që Kosova ka mbetur e fundit në procesin e liberalizimit të vizave, automatikisht na vë neve në një skaner pak më të ndryshëm sesa vendet tjera të rajonit. Por, edhe fakti që Kosovën nuk e kanë njohur pesë vendet e BE-së, e bën këtë rrugëtimin tonë goxha më të vështirë”, u shpreh Kasapolli.

Në anën tjetër, Shenoll Muharremi tha se Kosova mund të mos ketë përmbushur kriteret e kërkuara nga BE-ja, por edhe BE-ja, sipas tij, ka dy vjet, që nuk po i përmbush zotimet ndaj Kosovës.

“Fatkeqësisht, edhe pse ndihmon Kosovën me fondin e IPA-s, BE-ja nuk ka bërë sa duhet që ta afrojë Kosovën më pranë saj. Me plot përgjegjësi e them se, përveç që është instaluar dialogu zyrtar në proces të Stabilizim-Asociimit, asnjë premtim i BE-së për Kosovën nuk është zbatuar tash e dy vjet”.

“Andaj, edhe BE-ja, edhe autoritetet kosovare duhet të ulen dhe të shohin se çka nuk po funksionon me politikat që i kanë deri më tani. Nëse duan që t’i afrojnë marrëdhëniet e tyre dhe nëse Kosova dëshiron që të avancojë në BE, duhet të bëjë diçka ndryshe, ta ndërrojë qasjen. Thjesht, nuk kemi mundësi të vazhdojmë me qasjen e njëjtë“,
tha Muharremi.

Edhe pse Raporti i Progresit nuk është publikuar ende, mediat kosovare kanë siguruar disa pjesë nga ky raport.

Aty thuhet se për Bashkimin Evropian mbesin tri shqetësime të mëdha në Kosovë, e ato janë: krimi i organizuar, korrupsioni dhe liria e shprehjes.
XS
SM
MD
LG