Ndërlidhjet

logo-print

Gjoba minimale për shkelësit e zgjedhjeve


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ka evidencuar rreth 500 akuza për vepra penale ndaj personave të dyshuar për keqpërdorime në zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Këtë e konfirmon zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridona Kozmaqi, e cila thotë se me rastet janë marrë prokurorët komunalë.

“Prokurorët vendorë, gjatë periudhës kohore 1 janar - 30 qershor, 2011, i kanë kushtuar rëndësi të veçantë ndjekjes së kryesve të veprave penale lidhur me zgjedhjet. Gjatë kësaj periudhe kanë akuzuar 502 persona. Në të gjitha rastet, prokurorët kanë filluar procedurën, sipas detyrës zyrtare dhe jo nga kallëzimet penale, të ngritura nga policia apo dikush tjetër”, thotë Kozmaqi.

Instituti KIPRED, përmes një analize të publikuar, ka kritikuar hallkat e sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke thënë se ato kanë dështuar në ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të krimeve në zgjedhjet në Kosovë.

Betim Musliu, nga Instituti KIPRED, i cili është bashkautor i analizës, thotë se numri i deritashëm prej 502 akuzash, është tejet i vogël.

Edhe për rreth 4,500 komisionarë të tjerë ekzistojnë prova të pakontestueshme, për shkak se Qendra për Numërim dhe Rezultate i ka nxjerrë në shesh të gjitha manipulimet që janë bërë nga këta komisionarë”, thotë Musliu.

Sipas tij, edhe dënimet që u janë shqiptuar personave të gjetur fajtorë në gjykata, kanë qenë tejet të vogla për nivelin penal. Musliu i krahason ato me dënimet për kundërvajtje.

Dënimet për veprat penale gjatë procesit të zgjedhjeve i cilëson si të ulëta edhe Shukri Sylejmani, kryesues i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke thënë se ato mund t’i kthehen Kosovës si bumerang në zgjedhjet e ardhshme.

“Lartësia e atyre gjobave është minimale. Çdo shkelës i dispozitave të Ligjit mbi zgjedhjet, i cili gjobitet me 100 apo 200 euro... ju lutem, ai nuk dëgjon për atë gjobë fare. Nuk është më asnjë pengesë që ata t’i përsërisin të njëjtat shkelje në zgjedhjet e ardhshme. Ato dënime janë shumë të ulëta”, thotë Sylejmani.

Në anën tjetër, Kozmaqi thotë se edhe Prokuroria e Shtetit ka shprehur pakënaqësi lidhur me vendimet e gjykatave.

“Prokuroria e Shtetit ka kërkuar nga të gjitha prokuroritë komunale që të ushtrojnë ankesë ndaj atyre vendimeve të gjykatave. Ende nuk dimë nëse ka pasur përgjigje”, shprehet ajo.

Por, Musliu kritikon Prokurorinë e Shtetit se ka hetuar rastet e manipulimeve të zgjedhjeve vetëm në nivel komunal. Sipas tij, manipulimet kanë qenë enorme.

“Prokurori i shtetit duhet të urdhërojë Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës që t’i zgjerojë hetimet, në drejtim të hetimit të veprës penale ‘krim i organizuar’, për shkak se, për këto zgjedhje, nuk kemi të bëjmë me përgjegjësi individuale penale, por kemi të bëjmë me një grup të strukturuar. Këto krime nuk kanë mundur të kryhen në baza dhe suaza të individëve”.

“Pra, ka ekzistuar një bashkëpunim ndërmjet komisionarëve dhe kjo tregon për një bashkësi kriminale, e cila duhet të hetohet. Kjo nuk mund të hetohet nga niveli i prokurorëve komunalë”,
thotë Musliu.

Sipas Kozmaqit, Prokuroria Speciale është duke përgatitur edhe një raport lidhur me krimet në zgjedhje, që përfshin periudhën pas gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

“Raporti për tremujorin tjetër është duke u përgatitur dhe gjatë javës do të jetë i gatshëm. Do të dalin statistikat e reja që ka pasur raste edhe më të mëdha, lidhur me parregullsitë në zgjedhje. Këtu hyjnë edhe organizimet, financuesit dhe të gjitha këto”, thotë Kozmaqi.

Sipas analizës së Institutit KIPRED, Qendra për Numërim dhe Rezultate ka nxjerrë në pah se gjatë numërimit të votave në zgjedhjet e fundit, në 712 vendvotime, të cilat kanë përfshirë rreth 5 mijë komisionarë, janë manipuluar votat e kandidatëve që kanë konkurruar në zgjedhje.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG