Ndërlidhjet

logo-print

Shkatërrohet komploti

  • RFE /RL

Erik Holder dhe Robert Muller gjatë konferencës për gazetarë në Uashington, 11 tetor 2011.

Erik Holder dhe Robert Muller gjatë konferencës për gazetarë në Uashington, 11 tetor 2011.

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara thonë se kanë shkatërruar një komplot, i cili dyshohet të jetë orkestruar nga Qeveria iraniane, për të vrarë ambasadorin e Arabisë Saudite në SHBA.

Në konferencën për gazetarë në Uashington, prokurori i përgjithshëm, Erik Holder, tha se dy të akuzuarit janë Mansor Arbabsiar, shtetas amerikan, i cili mban dhe një pasaportë iraniane, si dhe Gholam Shakuri, anëtar i forcës Kuds, e cila është degë e Gardës Revolucionare të Iranit.

“Ankesa pretendon se ky konspiracion është konceptuar, sponsorizuar dhe drejtuar nga Irani. Kjo përbën shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe të Shteteve të Bashkuara, përfshirë konventën, e cila në mënyrë eksplicite mbron diplomatët nga të qenët të cenuar”, tha Holder.

Ky i fundit bëri të ditur se Arbabsiar është arrestuar më 29 shtator dhe se ka dhënë “informacione të vlefshme në lidhje me rolin e Qeverisë iraniane në të”. Shakuri mbetet i lirë në Iran, tha Holder.

Dy personat në fjalë akuzohen për komplot për vrasjen e një zyrtari të huaj, kospiracion për të përdorur armë të shkatërrimit në masë dhe konsipracion për të kryer akt të terrorizmit ndërkombëtar.

Ambasadori i Arabisë Saudite në SHBA, Adel al-Jubei.

Ambasadori i Arabisë Saudite në SHBA, Adel al-Jubei.

Zyrtarët thonë se komploti i dyshuar përfshin vendosjen e bombës në restorantin ku qëndronte ambasadori saudit. Sipas të njëjtave burime, plani është shkatërruar para shpërthimit të eksplozivit.

Prit Baharara, prokuror i qarkut jugor të Nju Jorkut, ku janë ngritur akuzat, dha detaje të tjera:

“Ankesa ka bërë publik një komplot të mirëfinancuar dhe shumë të rrezikshëm, që kishte prioritet kryesor vrasjen e ambasadorit saudit në Shtetet e Bashkuara. Detajet e këtij rasti janë trishtuese, pasi tregojnë se të pandehurit nuk janë shqetësuar për shkaktimin e viktimave në mesin e amerikanëve të pafajshëm, në tokën amerikane, në mbështetje të planit të tyre vrasës”.

Edhe drejtori i FBI-së, Robert Muller, i cili po ashtu mori pjesë në konferencë, tha se komploti do të çonte në numër të madh viktimash, po qe se do të kishte sukses.

“Ndonëse proklamohet si faqet e një skenari të Hollivudit, ndikimi do të ishte shumë real, ndërsa shumë jetë do të humbeshin. Këta individë nuk kanë respekt për viktimat, për qytetarët e pafajshëm që mund të lëndohen ose të vriten nga ky tentim i vrasjes”, tha Muller.

Duke folur pas publikimit të akuzave, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se komploti i dyshuar “kalon kufirin”, ndërsa “Irani duhet të japë llogari për të”.

“Do të konsultohemi me miqtë dhe partnerët tanë në mbarë botën për mënyrën se si t’i dërgojmë një mesazh të fuqishëm, se ky lloj veprimi, i cili shkel normat ndërkombëtare, duhet të marrë fund”, tha Klinton para gazetarëve.

Departamenti i Thesarit ka ngrirë asetet e Shakurit dhe të Arbabsiarit në Shtetet e Bashkuara, sikurse edhe të tre personave të tjerë – Kasem Soleimani, Hamed Abdollahi dhe Abdul Reza Shahlai – të cilët thuhet të jenë zyrtarë të lartë të forcës Kuds, të përfshirë në komplotin e dyshuar.

Ambasada e Arabisë Saudite në Uashington, përmes një deklarate, tha se komploti i dyshuar është “i neveritshëm” dhe se përbën “shkelje të parimeve të njerëzimit”.

Irani ka reaguar menjëherë pas shpalljes së akuzave, duke i quajtur ato trillime. Ali Akbar Javanfeker, këshilltari për media i presidentit Mahmud Ahmadinexhad, tha se akuzat e SHBA-së “janë një skenar i fabrikuar për të larguar vëmendjen publike nga problemet e brendshme”.

Ndërkohë, Arbabsiar ka bërë paraqitjen e parë në gjykatën federale të Nju Jorkut dhe përmes avokatit të tij ka thënë se nuk do të pranojë fajin për akuzat. (v.t.)
XS
SM
MD
LG