Ndërlidhjet

S'ka monitorim të zbatimit të ligjeve


Kuvendi i Kosovës - foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës - foto nga arkivi
Në Kosovë vazhdon të ketë mungesë të zbatimit dhe monitorimit të mirëfilltë të ligjeve. Kështu të paktën vlerësojnë disa nga deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës dhe përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili monitoron punën e Kuvendit.

Driton Selmanaj, nga kjo organizatë, thotë se ende nuk ka iniciativë nga komisionet parlamentare për të nisur punën rreth monitorimit të zbatueshmërisë së ligjeve, të cilat tashmë kanë hyrë në fuqi.
E gjithë energjia e komisioneve është drejtuar në draftimin e ligjeve, e jo edhe në monitorimin e zbatimit të tyre.

“Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës i obligon komisionet parlamentare që të monitorojnë zbatimin e ligjeve. Në këtë rast, jo vetëm në këtë legjislaturë, por edhe në ato të kaluarat, kemi pasur një neglizhencë pothuajse në maksimum të kësaj kompetence. E gjithë energjia e komisioneve është drejtuar në draftimin e ligjeve, e jo edhe në monitorimin e zbatimit të tyre”, thotë Selmanaj.

Por, Behar Selimi, nënkryetar i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se për zbatueshmërinë e disa ligjeve të aprovuara që janë kompetencë e Komisionit, ka filluar monitorimi.

“Muajin e kaluar dhe këtë muaj kemi filluar të theksojmë më tepër rolin monitorues të parlamentit karshi organeve ekzekutive, përkatësisht zbatimit të ligjeve. Aktualisht kemi dy ligje që po përpiqemi t’i monitorojmë në Komisionin për Legjislacion”, thotë Selimi.

Nga ana tjetër, Vjosa Osmani, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë së në drejtim të monitorimit të zbatueshmërisë së ligjeve duhet të ketë vullnet më të madh nga të gjitha institucionet e vendit.

“Ka ende shumë hapësirë për përmirësim në këtë drejtim, sepse kemi filluar pothuajse nga zero - edhe pse është detyrë e parlamentit që të monitorojë zbatimin e ligjeve. Kemi hasur në shumë probleme se qeveria nuk është mësuar dhe nuk po i pëlqen të bashkëpunojë me parlamentin si duhet”, thotë Osmani.

Përgjegjësinë dhe rolin më të madh për monitorimin e ligjeve, sipas Behar Selimit, e ka ekzekutivi i vendit.

“Qeveria ka për detyrë të monitorojë zbatimin dhe i ka kapacitetet dhe mundësitë më të mëdha sesa që i ka Kuvendi i Kosovës, në kuptimin e ekspertizës, në kuptimin edhe logjistik, edhe teknik, edhe profesional”, shprehet Selimi.

Driton Selmanaj, nga KDI-ja, thotë po ashtu se krahas mosangazhimit të kuvendit për monitorimin e zbatueshmërisë së ligjeve, edhe Qeveria e Kosovës nuk po interesohet për një gjë të tillë.

“Fatkeqësisht, as nga ana e qeverisë nuk kemi parë ndonjë lëvizje në këtë drejtim, ndërkohë që komisionet parlamentare, çdo vit, në planet e tyre të punës parashohin edhe këtë aktivitet - monitorimin e zbatimit të ligjeve”, thotë Selmanaj.

Organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë vënë në pah se Kosova ka ligje të avancuara, por, sipas tyre, nëse nuk gjendet zgjidhje për zbatimin e tyre, kjo mangësi do të bëjë që Kosova të jetë larg shtetit ligjor.
XS
SM
MD
LG