Ndërlidhjet

Shkupi reagon ndaj Raporti të Progresit 2011


Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë është vlerësuar pozitiv nga autoritetet në Shkup- në veçanti fakti i rikonfirmimit të statusit të shtetit kandidat.
Por, zyrtarët kanë reaguar lidhur me mospërfshirjen e termit, “maqedonas” nga raporti.

Presidenti Gjorgje Ivanov, tha se raporti paraqet një pasqyrë reale të shoqërisë maqedonase dhe të zhvillimit të saj në përputhje me kriteret relevante për integrim evropian.

"Gatishmëria e Maqedonisë për përmbushjen e procesit të reformave mbetet e lartë. Shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë faktorët relevant që të japin kontributin e tyre për vazhdimin e vlerësimeve pozitive për përparimin e Maqedonisë”, ka theksuar presidenti Ivanov.

Megjithatë, ai ka shprehur keqardhjen për, siç ka thënë, “respektimin selektiv të standardeve të Kombeve të Bashkuara gjatë hartimit të tekstit të raportit” .

Presidenti Ivanov tha se me këtë praktikë e mosemërtimit të termit “maqedonas”, Komisioni Evropian nuk i ndihmon procesit të bisedimeve me Greqinë për zgjidhje të pranueshme të çështjes së emrit.

Ndërkohë, partitë opozitare kanë thënë se raporti i KE-së në të cilin nuk caktohet data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE është edhe një dëshmi se Maqedonia nuk ka shënuar progres në procesin e integrimeve.

“Lajmi i keq është zgjerimi i listës së kritikave me çështjet e korrupsionit, lirisë së mediave, politizimi i administratës dhe gjyqësorit si dhe me rritja e shkallës së papunësisë”, ka deklaruar Radmilla Shqerinska, zyrtare e lartë e Lidhjes Socialdemokrate duke shprehur brengosjen edhe ajo për siç ka thënë zhdukjen e mbiemrit “maqedonas” edhe në këtë raportin e këtij viti.
XS
SM
MD
LG