Ndërlidhjet

Obama bisedon me mbretin Abdullah


Shtëpia e Bardhë bëri të ditur që presidenti, Barak Obama, të ketë zhvilluar një bisedë me mbretin e Arabisë Saudite, Abdullah, lidhur me komplotin e dyshuar të iranianëve ndaj ambasadorit të Arabisë Saudite në Uashington.

Shtëpia e Bardhë, përmes një deklarate, tha se Obama dhe mbreti janë pajtuar që komploti i dyshuar “paraqet një shkelje flagrante të normave themelore ndërkombëtare, etike dhe ligjore”.

Deklarata poashtu thekson përkushtimin e liderëve amerikanë dhe saudi-arabë për nxitjen e “një përgjigjie të fuqishme dhe të unifikuar ndërkombëtare me të cilën do të mbahen përgjegjës ata që kanë synuar komplotin”.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, e quajti të mërkurën komplotin e dyshuar një “eskalim të rrezikshëm të shkeljeve politike dhe sponzorizimit të terrorizmit nga qeveria e Iranit”.

Irani, ndërkaq, ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se ato janë bërë me qëllim të shpërqëndrimit të vëmendjes së amerikanëve nga problemet ekonomike.

Shtetet e Bashkuara akuzuan këtë javë dy burra me origjinë iraniane për konspiracion me zyrtarët iranianë me qëllim vrasjen e ambasadorit të Arabisë Saudite në Shtetet e Bashkuara, Abdel al Xhubir.
XS
SM
MD
LG