Ndërlidhjet

Analistët: Gruevski ka dëmtuar vendin


Shtefan Fyle
Shtefan Fyle
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, me kritikat e shprehura ndaj komisionarit për zgjerim, Shtefan Fyle, ka rrënuar vullnetin e mirë të Bashkimit Evropian, që konfirmoi statusin e shtetit kandidat për Maqedoninë. Kështu shprehen analistët Mersel Bilalli dhe Zdravko Savevski.

Ata e cilësojnë si sinjal shumë të keq për të ardhmen e vendit prononcimin e Gruevskit me doza kritike ndaj komisionarit Fyle, i cili, gjatë prezantimit të Raportit të Progresit, shpalosi një sërë ngecjesh në reforma në raport me Maqedoninë.

“Një qëndrim i tillë sigurisht se nuk do ta avancojë demokracinë dhe nuk do ta anëtarësojë Maqedoninë në BE. Pozicionet e këtilla të mohimit të dështimeve personale dhe gjetja e fajtorëve të tjerë, janë tipike për politikat nacionaliste që janë udhëhequr në Ballkan”.

“Nëse problemet reale në ndonjë vend tentohet që të fshihen nga qytetarët, atëherë luani në kartën nacionaliste. Është e qartë se në një kartë të tillë luan edhe Gruevski, me qëllim të mbajtjes së popullaritetit, por duke rrezikuar të ardhmen e vendit”,
shprehet Savevski, ligjërues në Universitetin e Shkupit.

Nikolla Gruevski
Nikolla Gruevski
Mersel Bilalli, analist dhe profesor në Universitetin FON të Shkupit, reagimin e Gruevskit e vlerëson skandaloz.

“Jam i mendimit se ai është vetëm një reagim apo klithje e një personi, i cili zhytet dhe mbytet politikisht. Është shumë e dëmshme që për dobësitë e brendshme, mosorganizimin, kriminalitetin dhe shumë segmente tjera, të kërkohet alibi te faktori ndërkombëtar”, thotë Bilalli.

Ndërkohë, Savevski vlerëson se vërejtjet e theksuara në Raportin e Progresit janë reale, pasi Maqedonia, përveç moszgjidhjes së çështjes së emrit, ngec në shumë sfera.

“Gënjehemi thellë nëse mendojmë se problemi i vetëm për vendin tonë dhe anëtarësimin në BE është kontesti rreth emrit. Ne kemi ngecur në shumë sfera në procesin e reformave dhe duhet të punojmë shumë, në vend se t’i injorojmë rekomandimet e tilla, apo të pretendojmë për ndonjë komplot se të gjithë janë kundër Maqedonisë”, deklaron Savevski.

Sipas Bilallit, kritikat e Gruevskit më shumë janë lëshuar për përdorim të brendshëm, por pasojat e kësaj, siç thotë ai, do të jenë të mëdha për të ardhmen e vendit.

“Logjika e funksionimit të Gruevskit është që permanent duhet qëndruar në dritën e një patriotizmi që më duket se çdoherë është vetëm se aktrim i patriotizmit. Por, pa marrë parasysh, mendoj se pasojat politike i ndjen shteti dhe qytetarët e tij”.

“Jo rastësisht Maqedonia tani është e fundit dhe e fundit u përmend, për dallim nga disa vite më parë, kur ishte lider i marrëdhënieve ndëretnike dhe kapaciteteve demokratike”,
thotë Bilalli.

Mbrëmë, kryeministri maqedonas, Gruevski, pas marrjes së raportit, tha se strategjia e komisionarit Fyle në theksimin e çështjeve kritike sa u përket reformave në Maqedoni, nuk i ndihmon zgjidhjes së çështjes së emrit.

Gruevski nuk pajtohet me kritikat për ngecje në reforma, pasi, sipas tij, Maqedonia, gjatë 3 vjetëve të fundit, ka bërë reformat më të thella në 17 vjet në administratë, gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar si dhe në lirinë e shprehjes.
XS
SM
MD
LG