Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Nisja e dialogut për viza-lajm i mirë


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, mirëpriti publikimin e Raportit të Progresit, ndërsa e quajti lajm të mirë dhe sukses për Kosovën vendimin për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave.

“Lajm i mirë, sukses i shtetit të ri të Kosovës dhe konkretisht fillimi i perspektivës evropiane me hapa konkretë dhe është meritë e shtetit të Kosovës, institucioneve të tij, i vizionit tonë evropian për ndërtimin e Kosovës së re, demokratike dhe evropiane. Kjo dhe progresi që do të arrihet në kuadër të këtij procesi paraqet një avancim të procesit të integrimit evropian”, tha kryeministri Thaçi në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ai u zotua në përmbushjen e shpejtë të parakushteve për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën- regjim ky, që në Ballkanin Perëndimor vlen vetëm për Kosovën.

“Qeveria është e vendosur që të vazhdojë edhe më fuqimisht përmbushjen në një afat rekord të të gjitha parakushteve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave”, tha kreu i ekzekutivit kosovar.

Ai u zotua edhe për adresimin e sfidave që dalin nga Raporti i Progresit si reforma zgjedhore apo sundimi i ligjit.

Kryeministri tha se, deri në fund të vitit, do të themelohet një Këshill Kombëtar për Iintegrime Evropiane, i cili do të hartojë një strategji afatgjate për proceset integruese.
XS
SM
MD
LG