Ndërlidhjet

Përgjigje ndaj Iranit

  • RFE /RL

Mansor Arbabsiar, njëri nga të akuzuarit për komplot.

Mansor Arbabsiar, njëri nga të akuzuarit për komplot.

Arabia Saudite thotë se po shqyrton ndërmarrjen e “hapave të vendosur” lidhur me komplotin e mbështetur nga Irani, për të vrarë ambasadorin saudit në Uashington.

Në kumtesën e transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve SPA, dënohet ai që cilësohet si komplot për vrasje “të tmerrshme dhe mizore”, ndërsa thuhet se Arabia Saudite do t’i vazhdojë kontaktet dhe koordinimin me Shtetet e Bashkuara lidhur me këtë çështje.

Kjo kumtesë u publikua pasi presidenti amerikan, Barak Obama, bisedoi me Mbretin Abdullah, lidhur me këtë komplot të dyshuar.

Shtëpia e Bardhë tha se Obama dhe Mbreti Abdullah u pajtuan se konspiracioni i dyshuar “paraqet shkelje flagrante të normave fundamentale ndërkombëtare, të etikës dhe të ligjit”.

Shtëpia e Bardhë thotë se liderët e Shteteve të Bashkuara dhe ata të Arabisë Saudite janë të përkushtuar për vazhdim të “përgjigjes së fuqishme dhe të unifikuar ndërkombëtare” ndaj përgjegjësve për këto aksione.

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara kanë shpallur këtë javë se kanë zbuluar një konspiracion për të vrarë ambasadorin saudit në Uashington dhe kanë akuzuar anëtarët e Qeverisë së Iranit dhe Forcën Kuds - njësi elite e gardës Revolucionare të Iranit - për përfshirje.

Irani i ka hedhur poshtë akuzat si fabrikim të Shteteve të Bashkuara.

Hillari Klinton

Hillari Klinton

Por, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, vlerësoi se komploti i dyshuar është “përshkallëzim i rrezikshëm i qëndrimit afatgjatë të Qeverisë së Iranit për përdorim të dhunës politike dhe sponsorizim të terrorizmit”.

Zëdhënësja e saj, Viktoria Nuland, tha se Shtetet e Bashkuara po tubojnë vendet për ta rritur presionin politik dhe ekonomik ndaj Iranit.

“Sa herë që ne vetë i ndërmarrim sanksionet e natyrës së tillë, i inkurajojmë vendet të shohin se çka kemi bërë dhe nëse ato kanë mundësi të njëjtë, të na përcjellin atje ku munden. Po ashtu, të shohin tani në marrëdhëniet e tyre me Iranin, që mund të jenë të ndryshme nga raportet tona, pra të shohin se çfarë presioni ekonomik dhe politik mund të mbajnë në shkallë kombëtare”, tha Nuland.

Sipas saj, Shtetet e Bashkuara ritheksojnë ripërtëritjen e sanksioneve, duke pasur parasysh se një numër i shteteve nuk po i imponojnë në mënyrë të plotë sanksionet ekzistuese.

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara kanë arrestuar personin Mansor Arbabsiar, shtetas i natyralizuar amerikan, me pasaportë amerikane dhe iraniane, nën akuzat se i ka dërguar 100 mijë dollarë në një xhirollogari të një banke amerikane, për ta financuar konspiracionin e dyshuar.

Autoritetet amerikane kanë akuzuar për përfshirje edhe iranianin e dytë, Gholam Shakuri, që besohet se është në liri në Iran.

Të dy personat janë të akuzuar për konspiracion me zyrtarët iranianë, për ta vrarë ambasadorin saudit, Abdel al-Juber, në tokën e Shteteve të Bashkuara, duke përdorur eksploziv.

Mediat zyrtare të Iranit raportuan se Ministria e Jashtme e këtij vendi e ka ftuar ambasadorin e Zvicrës në Teheran, që i përfaqëson interesat e Shteteve të Bashkuara në këtë vend, që “fuqishëm të protestojë kundër akuzave të Shteteve të Bashkuara”.

Ministri i Jashtëm iranian, Ali Akbar Salehi, është cituar t’i ketë akuzuar Shtetet e Bashkuara për “skenar djallëzor”, ndërsa ka premtuar se Uashingtoni "do t’i kërkojë falje" Iranit.

Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit e ka dënuar komplotin e dyshuar si “shkelje flagrante” të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve. (f.b.)

Lexoni edhe këtë:
Shkatërrohet komploti
XS
SM
MD
LG