Ndërlidhjet

logo-print
Çka do të ndodhë me buxhetin e vendit, nëse nuk privatizohet Postë-Telekomi i Kosovës? A do të ketë mungesë të mjeteve financiare, a do të ndërpriten projektet kapitale apo do të rrezikohen rezervat buxhetore?!

Këto shqetësime janë shfaqur pas paralajmërimeve të Telekomit kroat për tërheqjen nga gara për blerjen e PTK-së. Një hap i tillë do të pamundësonte privatizimin e ndërmarrjes me një ofertues në garë.

Por, privatizimi i PTK-së është i përfshirë në Ligjin për buxhetin e Kosovës, i cili është miratuar në marsin e këtij viti. Një gjë e tillë pat ngritur dyshimet e ekspertëve se buxheti ka nevojë për mjetet që do t’i sillte shitja e 75 për qind të aseteve të Postë-Telekomit.

Për të gjitha këto, njohës të çështjeve ekonomike dhe zyrtarë të qeverisë tani japin vlerësime të ndryshme.

Qeveritarët thonë se Kosova nuk rrezikohet nga asnjë krizë buxhetore në rast të mosprivatizimit eventual të PTK-së.

Kjo e fundit, sipas Muharrem Shahinit, zëdhënës në Ministrinë e Financave, mund të ndikojë vetëm në rezervat buxhetore.

“Në takimet e fundit që ministri Bedri Hamza ka pasur me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është arritur që privatizimi i PTK-së të largohet nga marrëveshja me Fondin”.

“Kështu që privatizimi apo mosprivatizimi ndikon vetëm në rezervën buxhetore. Në rast se do të ndodhte që PTK-ja të privatizohej, rezerva do të ishte më e lartë; në të kundërtën, rezerva do të jetë më e ulët”,
thotë Shahini.

Agron Demi, nga Instituti Për Studime të Avancuara - GAP, thotë se përveç financimit të autostradës Vërmicë - Merdarë, Qeveria e Kosovës do të jetë e obliguar të ndërpresë realizimin e të gjitha projekteve kapitale.

Sipas tij, të gjitha projektet buxhetore parashohin që të ketë të hyra buxhetore prej më shumë se 300 milionë euro, ndërsa “gjithmonë është aluduar në shitjen e PTK-së”.

“Zgjidhje e mundshme nga mungesa e 300-milionëshit të PTK-së do të ishin kursimet në investimet kapitale, të cilat Qeveria e Kosovës i ka lënë për fundvit çdoherë, ndërsa kësaj radhe mund t’i ndërpresë të gjitha, përveç autostradës”, thekson Demi.

Edhe Muhmet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik, thotë se mosprivatizimi i PTK-së do të çrregullonte buxhetin e këtij viti. Sipas tij, buxheti do të ballafaqohet me deficit të lartë. Sadiku vë në dyshim edhe mundësinë e financimit të autostradës Vërmicë - Merdarë.

“Me mosshitjen e PTK-së, po shihet se buxheti i Kosovës definitivisht është i çrregulluar. Do të kërkohen veprime të mençura të qeverisë, në mënyrë që të zbutet kjo goditje fiskale, sepse Kosova edhe këtë vit ballafaqohet me apetite shpenzuese, të cilat nuk korrespondojnë me kapacitetin e të hyrave buxhetore”, thotë Sadiku.

Por, Muharrem Shahini, nga Ministria e Financave, është i bindur se nuk do të rrezikohet asnjë projekt, pasi, siç thotë ai, qeveria nuk ka paraparë që ndonjëri nga projektet të financohet nga shitja e aseteve të PTK-së.

“Pagat po merren, autostrada po përfundon, kështu që nuk parashihet ndonjë krizë nga mosprivatizimi i PTK-së”, thekson Shahini.

Në muajin prill të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka aprovuar planin ekonomik të quajtur ”Vizioni i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, prioritetet për periudhën 2011-2014”, në të cilin thuhet se në muajin tetor, 2011, duhet të shpallet kompania fituese për privatizimin e PTK-së, ndërsa përmbyllja financiare duhet të ndodhë në muajin dhjetor.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG