Ndërlidhjet

Raporti reflektoi defektet


Prishtinë
Prishtinë
Gjetjet, të cilat janë përshkruar në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, pasqyrojnë gjendjen reale në Kosovë, e cila është e rëndë, vlerësojnë përfaqësuesit e partive opozitare dhe ata të shoqërisë civile në vend.

Lutfi Haziri, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se Raporti i Progresit përshkruan një varg defektesh dhe problemesh, të cilat kanë reflektuar gjatë një viti në Kosovë.

“Fillon me mashtrimin elektoral, gjendje e cila është rikonstatuar nga ana e komisionarit për zgjerim, zoti Fyle; me mosreagimin adekuat të prokurorisë në dënimin e atyre që kanë abuzuar dhe kanë mashtruar votuesit; pastaj, vazhdon me të gjitha institucionet tjera, duke pasqyruar gjendjen reale”.

Lutfi Haziri
Lutfi Haziri
“Edhe te Kuvendi shihet edhe më tutje rol jashtëzakonisht i zbehtë në monitorim, ndërkohë që te Qeveria një organ shpenzues dhe keqmenaxhues i buxhetit, si dhe paaftësi në menaxhimin e situatave për sundimin e ligjit”, thotë Haziri.

Sipas tij, Raporti i Progresit ka shpërfaqur edhe të metat që kanë institucionet kosovare, të thirrura për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe gjendjen ekonomike, paralajmëruese për një kolaps të mundshëm buxhetor.

Mendim të ngjashëm lidhur me të dhënat që jep Raporti i Progresit shfaq edhe Ahmet Isufi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ky raport nuk ndryshon shumë nga ai i vitit të kaluar, ku ka pasur shumë defekte të theksuara, të cilat janë çështje e rendit, ligjit, pastaj zhvillimit ekonomik.

“Ky raport nuk ndryshon shumë nga ai i vitit të kaluar, ku ka pasur shumë defekte të theksuara, të cilat janë çështje e rendit, ligjit, pastaj zhvillimit ekonomik, çështje sociale dhe të tjera zhvillime, të cilat kanë të bëjnë me Kosovën”.

“Kjo është edhe një vërejtje për institucionet e vendit, të cilat duhet ta përmirësojnë imazhin e Kosovës, sepse janë të thirrura edhe para qytetarëve të Kosovës, por edhe para mekanizmave ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të ecë drejt rrugës së integrimeve”,
thotë Isufi.

Edhe eksperti i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, thotë se Raporti i Progresit ka nxjerrë në pah një varg “çështjesh shqetësuese”.

Shenoll Muharremi
Shenoll Muharremi
“Çështjet më shqetësuese për mua janë sidomos çështjet që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe fer, për shkak se zgjedhjet e lira janë bazamenti i kritereve politike të Kopenhagës”.

“Çështjet si reforma e administratës publike dhe shprehja e lirë, mendoj se janë çështje gjithashtu shqetësuese, për të konkluduar se edhe nga aspekti i zhvillimit ekonomik është thënë se është situatë tepër shqetësuese dhe nuk ka pasur zhvillim ekonomik. Unë mendoj se këto janë 3 apo 4 elementet më kyçe të Raportit të Progresit”,
thekson Muharremi.

Vënia në pah e fillimit të dialogut për liberalizimin e vizave është një nga çështjet që vlerësohet pozitivisht nga përfaqësuesit opozitarë në Kosovë dhe ekspertët.

Por, Muharremi thotë se ajo duhet shikuar edhe nga prizmi krahasues. Sipas tij, Kosova mbetet ende prapa kur kihen parasysh vendet e tjera të rajonit.

“Është fatkeqësi që Kosova vazhdon të jetë vendi që më së paku ka arritur progres në agjendën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian. Ne nuk guxojmë të vetëkënaqemi me një fillim të dialogut, por duhet në mënyrë strategjike të shikojmë se si të përparojmë, që të jemi në një vijë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.

“Unë shpresoj që të gjithë njerëzit që kanë pushtet të vendimmarrjes në Kosovë, ta shohin në aspektin krahasues Kosovën, krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm si Kosovë”,
thotë Muharremi.

Përfaqësuesit e opozitës në Kosovë, por edhe ata të shoqërisë civile thonë se përmbajtja e Raportit të Progresit ka qenë e pritshme edhe më herët dhe se në të nuk ka asgjë që do të mund të konsiderohej befasi.
XS
SM
MD
LG