Ndërlidhjet

Kosova meritoi dialogun për vizat


Pier Mirel (Foto nga arkivi)

Pier Mirel (Foto nga arkivi)

Zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, Pier Mirel, ka thënë në Prishtinë se Kosova meritoi nisjen e dialogut për vizat.

Autoritetet e Kosovës e kanë mirëpritur këtë, ndërsa janë zotuar se do të përmbushin në kohë rekord parakushtet e Komisionit Evropian për këtë proces, sikurse edhe kriteret tjera për proceset integruese.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pasi që ka marrë zyrtarisht Raportin e Progresit nga ana e drejtorit për zgjerim të Komisionit Evropian, Pier Mirel, e ka vlerësuar atë si një dokument bazë, nëpërmjet të cilit Kosova ndihmohet në arritjen e standardeve evropiane.

Ajo ka përshëndetur nisjen e dialogut për vizat, i cili është thënë se do fillojë zyrtarisht kah fundi i vitit.

Presidentja Atifete Jahjaga (foto nga arkivi)

Presidentja Atifete Jahjaga (foto nga arkivi)

“Besoj se në të ardhmen e afërt do të gjenden modalitete për marrëdhënie kontraktuale të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, që përcaktojnë qartë rrugën e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO. Ky është synim i vendit tim dhe gjithë rajonit”, ka thënë Jahjaga.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë për Zgjerim të BE-së, Pier Mirel, ka vënë në pah disa përparime që ka arritur Kosova, madje edhe në ato fusha ku vazhdimisht ka marrë kritika, siç është ajo e drejtësisë.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe ato që i ka quajtur zhvillime pozitive në luftimin e korrupsionit dhe veprave të tjera kriminale.

Mirel ka thënë se nga integrimi evropian përfitojnë të gjitha komunitetet, sikurse edhe të gjitha shtetet në rajon. Për këtë, ai ka kërkuar nga palët që të lënë të kaluarën prapa dhe të ripajtohen.

Duhet të vijë koha që të kthehet faqja dhe kthimi i faqes nënkupton që të punohet së bashku në projekte të përbashkëta. Integrimi evropian është vizon i përbashkët për shtetet në rajon. Ne mendojmë se lansimi i dialogut të vizave është merituar nga Kosova pikësëpari, por ne sigurisht se do të ndihmojmë për t’u siguruar se edhe reformat tjera do të miratohen dhe zbatohen”, ka thënë Mirel.

Kryeministri Hashim Thaçi (foto arkivi)

Kryeministri Hashim Thaçi (foto arkivi)

Në anën tjetër, gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se nisja e dialogut për viza është një lajm i mirë dhe sukses i shtetit të Kosovës.

Ai është zotuar në përmbushjen e shpejtë të parakushteve për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, regjim ky që në Ballkanin Perëndimor vlen vetëm për Kosovën.

“Qeveria është e vendosur që të vazhdojë edhe më fuqimisht përmbushjen në një afat rekord të të gjitha parakushteve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë Thaçi.

Komisioni Evropian, në raportin e sivjetmë, ka propozuar që të hartohet një agjendë gjithëpërfshirëse për veriun.

Pier Mirel, gjatë një konference të përbashkët për gazetarë me ministren e Integrimeve, Vlora Çitaku, ka qartësuar se pas kësaj ideje nuk qëndron ndonjë zhvillim politik.

Ai po ashtu ka dashur të sqarojë atë që e ka quajtur një keqkuptim në lidhje me strukturat paralele serbe në veri, të përmendura ndryshe në Raportin e Progresit.

“Dua të qartësoj nëse kemi pasur keqkuptime - se ne në raport kemi folur për strukturat e mbështetura nga Beogradi, e që nënkuptojnë strukturat paralele. Mendoj se është dashur të thuhet se kemi të bëjmë me struktura paralele dhe asgjë tjetër”, ka thënë Mirel.

Ndërkohë, presidentja Jahjaga ka shprehur qëndrimin e saj kundër modaliteteve të ndryshme që kanë qarkulluar në opinion në lidhje me veriun e Kosovës.

Ajo ka bërë të ditur se procesi i pavarësisë është proces i pakthyeshëm dhe ka thënë se si presidente kundërshton idenë e ndonjë “Ahtisari plus” apo administrimi ndërkombëtar të veriut, duke insistuar se zgjidhja e vetme për këtë pjesë gjendet në Pakon e Ahtisarit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG