Ndërlidhjet

SHBA: Kontakt direkt me Iranin lidhur me komplotin


Departamenti amerikan i shtetit thotë se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë pasur “kontakt direkt” me zyrtarët e Iranit, lidhur me akuzat amerikane se qeveria në Teheran kishte lidhje me komplotin për ta vrarë ambasadorin e Arabisë Saudite në Uashington.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland, tha se ajo beson se kontakti kishte ndodhur dje, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

“Ne kemi pasur kontakt direkt me Iranin. Nuk do t’ju japë detaje të tjera, por vetëm do të them se ne kemi pasur kontakt direkt me Iranin, për këtë çështje”, u tha mbrëmë reporterëve në Uashington, zëdhënësja Viktoria Nuland.

Regjimi i Iranit i ka hedhur poshtë akuzat se ka dorë në këtë komplot dhe ka theksuar se ky është një fabrikim i përpiluar për të krijuar tensione të mëtejshme ndërmjet Iranit dhe vendeve të tjera në Lindjen e Mesme.

Presidenti Barak Obama, në komentet e para publike për këtë çështje, tha se do të kërkoj “sanksionet më të ashpra” kundër Iranit.
XS
SM
MD
LG