Ndërlidhjet

PD, PS, bashkëfajtore për refuzimin e BE-së


Tiranë - foto nga arkivi
Tiranë - foto nga arkivi
Shqipëria nuk mori sërish statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Siç edhe pritej, publikimi i Raportit të Progresit për Shqipërinë nxori në pah ngërçin politik, si shkakun kryesor të këtij zhvillimi negativ për vendin.

Analistët thonë se raporti ishte i qartë, konkret dhe dëshmues. Mentor Kikia thotë se dy partitë e mëdha janë bashkëfajtore për këtë refuzim, për të dytën herë, të statusit.

“Përgjegjësia është absolutisht e të dyja palëve. Në një peshore mund të anojë kush më pak dhe kush më shumë, por është absolutisht e të dyja palëve. Kam përshtypjen se të dyja palët, nëse duan vërtet të mos humbasin shansin tjetër të marrjes së statusit, duhet të mendojnë që secila ka përgjegjësinë e vet - janë absolutisht të dyja palët përgjegjëse”, thotë Kikia.

Analisti Frok Çupi thotë se përgjegjëse kryesore për këtë raport aspak pozitiv të Brukselit është opozita - refuzimi i saj për të bashkëpunuar për integrimin.

“Përgjegjësia kryesore është e Partisë Socialiste, e cila ka zënë rrugën. Nëse dikush zë rrugën, çfarë do t’i bësh?! Domethënë, ka zënë rrugën gjysma e përfaqësimit popullor. Ne tani jemi përpara dilemës: jemi apo jo pro-evropianë?”, shprehet Çupi.

Por, për analistët më shqetësuese është situata pas kësaj. Ngërçi politik, sipas tyre, ka shumë pak gjasa të zgjidhet shpejt, me gjithë deklaratat optimiste të zyrtarëve të lartë të Brukselit, për sinjale për dialog që vijnë nga të dyja palët.

“Bashkimi Evropian flet në atë mënyrë, sepse është Evropë dhe flet në mënyrë elegante. Sigurisht nuk i mbyll shtigjet, nuk thotë që është keq edhe për nesër. Unë mendoj se kjo çështje do të shkojë zvarrë sa kohë që Partia Socialiste të udhëhiqet nga një lidership i tillë”, thotë Çupi.

Ndërsa, Kikia shprehet:

“Ata janë më shumë të prirë të inkurajojnë. Kanë parasysh faktin që opozita më në fund hyri në parlament - një detyrë e zakonshme për një forcë politike - ka sinjale bashkëpunimi pasi të dyja palët parimisht kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë për reformën zgjedhore - edhe kjo prapë një detyrë fare normale për një klasë politike. Dyshoj seriozisht se jemi sërish përballë të njëjtit mur që kemi dy vjet që i biem me kokë”.

Në Tiranë, Raporti i Progresit për Shqipërinë, si gjithnjë, u lexua ndryshe nga të dyja forcat e mëdha politike. Ato adresuan akuza të ndërsjella që fajësonin kundërshtarin politik për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat.
XS
SM
MD
LG