Ndërlidhjet

SHBA: Kemi kontakt direkt me Iranin

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë pasur “kontakt direkt” me zyrtarët e Iranit, lidhur me komplotin e dyshuar për vrasjen e ambasadorit saudit në Uashington.

Lidhur me këtë çështje ka njoftuar zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland.

“Ne kemi pasur kontakt direkt me Iranin. Nuk do të jap detaje të tjera, por vetëm do të them se ne kemi pasur kontakt direkt me Iranin për këtë çështje”, u tha mbrëmë reporterëve në Uashington Nuland.

Ajo tha se kontakti ka ndodhur të mërkurën, por nuk njoftoi lidhur me nivelin ose për kanalet e mundshme të kontaktit.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani nuk kanë marrëdhënie diplomatike, kështu që Uashingtoni përfaqësohet nga Ambasada e Zvicrës në Teheran.

Me siguri se Uashingtoni dhe Teherani kanë shumë për të biseduar lidhur me komplotin e dyshuar për vrasje. Megjithatë, mbetet të shihet se sa progres do të bëhet nga përpjekja për të biseduar, për shkak të përshkallëzimit të luftës së fjalëve lidhur me incidentin.

Duke folur për incidentin, për të parën herë në mënyrë publike, presidenti amerikan, Barak Obama, mbrëmë vlerësoi se operacioni i dyshuar ishte pjesë e “modelit të sjelljes së rrezikshme dhe të pamatur” nga ana e Teheranit.

Ai premtoi se do të synojë “sanksione më të ashpra” kundër Iranit dhe akuzoi zyrtarët e “niveleve të larta” të Qeverisë së Iranit se duhet të përgjigjen për aksionet e tyre.

Përgjigjja e Teheranit, deri tash, ishte që Uashingtoni të përqeshej lidhur me akuzat, duke thënë se ai me qëllim kishte bërë fabrikime për ta dëmtuar imazhin e Iranit.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Ali Ahani, tha dje se “ky skenar patetik dhe konspirues është aq i plogshtë saqë edhe vetë mediat amerikane dhe qarqet politike po e shohin atë me dyshim”.

Por, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, i hodhi poshtë akuzat e tilla.

Viktoria Nuland - foto nga arkivi

Viktoria Nuland - foto nga arkivi

“Kur ju shikoni në këto detaje, duket sikur diçka në filma dhe ky çdoherë është reagimi i parë. Ky ishte reagimi i parë kur për këtë përpjekje ishin informuar disa persona të lartë në qeveri".

"Por, derisa ju filloni të jepni më tepër detaje për atë se çka dimë ne dhe kur e morëm vesh dhe si e mësuam këtë gjë, atëherë kjo ka besueshmëri”,
tha Nuland.

Agjencia Reuters ka raportuar sot se zyrtarët brenda qeverisë, që e kanë studiuar rastin, kanë pranuar se e kaluara e kontrolluar dhe sjellja jodiskrete e të dyshuarit kryesor, fillimisht i kishte bërë ekspertët për Iranin skeptikë, sa i përket autenticitetit të komplotit.

I dyshuari Mansor Arbabsiar ishte arrestuar pas kontaktit me personin, për të cilin ai besonte se e përfaqësonte kartelin e drogës në Meksikë, për ta aranzhuar vrasjen e ambasadorit saudit, Abdel al-Juberi.

Por, komploti i dyshuar ishte zbuluar kur doli se gangsteri ishte informator sekret i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Miqtë dhe fqinjët thonë se Arbabsiar, shtetas i natyralizuar amerikan, e kishte një sjellje disi të çuditshme dhe se kishte pasur një mori dështimesh në biznes.

Njëri nga partnerët e tij të biznesit, Dejvid Tomsha, i tha shtypit se nëse zyrtarët amerikanë besojnë se e kanë arrestuar agjentin e lartë sekret, ata gabojnë.

“Nëse ata shikonin për agjentin 007, ata e kanë mister Binin”, tha Tomsha.

Por, Uashingtoni thotë se për Arbabsiarin, që e ka mbajtur pasaportën e tij iraniane, ka dëshmi të fuqishme se ishte mbështetur nga forca elite iraniane Kuds.

Zyrtarët amerikanë thonë se para arrestimit, ai i kishte lehtësuar dy transfere në shumë prej 100 mijë dollarësh nga një bankë tejoqeanike në Shtetet e Bashkuara, si paradhënie për vrasjen e planifikuar.

E pyetur nëse komploti i dyshuar ishte një operacion i kryer nga disa në regjimin e Iranit, pa dijeninë e të tjerëve, zëdhënësja Viktoria Nuland tha:

“Ne sigurisht besojmë se regjimi iranian është nën presion. Ne sigurisht besojmë se ekzistojnë mospajtime të brendshme në vazhdimësi".

"Nëse mënyra se si ky komplot është kompletuar reflekton disa nga këto tensione, nuk mund të them asgjë. Por, sigurisht duket se atje ekzistonte involvimi i një shkalle të dëshpërimit”,
tha Nuland.

Uashingtoni konsideron se komploti i dyshuar mund të ishte në masë të madhe vdekjeprurës dhe se kjo siguron se kriza e fundit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ende është në shkallën më të paparashikueshme. (f.b.)

Lexoni edhe këto:
Shkatërrohet komploti
Përgjigje ndaj Iranit
XS
SM
MD
LG