Ndërlidhjet

logo-print
Forcat paqeruajtëse të KFOR-it nuk u kanë dhënë serbëve të veriut të Kosovës asnjë ultimatum apo afat për heqjen e barrikadave, me të cilat kanë bllokuar rrugët.

Zëdhënësi i KFOR-it, Frenk Martin, i tha Radios Evropa e Lirë se, megjithatë, është e rëndësishme që të mundësohet lëvizja e lirë, çfarë “është e rëndësishme edhe për forcat paqeruajtëse”.

“Edhe më tutje po shpresojmë se do të kemi sukses për të gjetur zgjidhje gjatë ditëve në vijim, por nuk kemi dhënë ultimatume dhe nuk kemi përcaktuar afate”, tha Martin.

Sipas tij, në rast se serbët refuzojnë të heqin barrikadat, aksionet e KFOR-it lidhur me këtë çështje do të varen nga vendimet e misionit EULEX.

Zëdhënësi i këtij misioni, Nikolas Hatën, tha se pozicioni i EULEX-it mbetet i pandryshuar dhe se të gjitha opsionet e mundshme janë të hapura edhe më tutje.

“U bëjmë thirrje të gjithë njerëzve që kanë vënë barrikadat, t’i heqin ato, sepse kjo është në të mirën e gjithë bashkësisë. Nga to më së shumti pëson popullata lokale. Vendkalimet 1 dhe 31 janë të hapura, por rrugët ende janë të bllokuara. Sa i përket së ardhmes, unë nuk dua të spekuloj. Të gjitha opsionet edhe më tutje vazhdojnë të mbeten të hapura”, tha Hatën.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës thonë se KFOR-i e ka të njohur qëndrimin e serbëve të veriut, i cili mbetet i pandryshuar.

Kërstimir Pantiq, lider i serbëve të veriut të Mitrovicës, tha se mënyra se si do të sillen qytetarët serbë, do të varet nga veprimet e KFOR-it, EULEX-it dhe të Qeverisë së Kosovës.

Mitrovicë

Mitrovicë

Ai tha se barrikadat do të hiqen nëse doganierët e Kosovës do të tërhiqen nga vendkalimet kufitare. Në rast se KFOR-i vendos t’i heqë barrikadat, sipas tij, kjo do të sillte një konfrontim në mes të serbëve lokalë dhe KFOR-it.

“Ne ua kemi bërë të qartë përfaqësuesve të KFOR-it se nëse situata del nga kontrolli, ne nuk do të jemi në gjendje ta kontrollojmë atë dhe nuk mund të marrim përgjegjësinë për atë që mund të ndodhë”, tha Pantiq.

Por, ndryshe vlerëson Branko Niniq, përfaqësues i serbëve të Leposaviqit. Sipas tij, nëse forcat e KFOR-it do të nisen në një aksion për heqjen e barrikadave, atëherë serbët do të kundërshtojnë të qetë dhe me metoda demokratike.

“Është e vështirë t’i bindim qytetarët që të largohen nga barrikadat pa u arritur ndonjë marrëveshje. Ne do të përpiqemi që e gjithë kjo të kalojë në mënyrë të qetë dhe pa incidente”.

“KFOR-i e ka forcën dhe mund ta bëjë këtë me forcë. Serbët me siguri se nuk do të shkaktojnë incidente, por, varësisht nga situata, ata do të marrin disa masa”,
tha Niniq.

Sipas tij, serbët dëshirojnë t’i relaksojnë raportet me KFOR-in dhe nuk kanë dalë në barrikada për të kundërshtuar forcat paqeruajtëse, por “për të kundërshtuar instalimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në hapësirat ku jetojnë ata”.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG