Ndërlidhjet

logo-print

Regjistrimi të realizohet, por me ligj të ri


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Dështimi i regjistrimit të popullsisë është pasojë në radhë të parë e mangësive të shumta në ligjin e debatueshëm që lë hapësira për interpretime të ndryshme gjatë zbatimit të tij nga regjistruesit në terren.

Osman Kadriu, profesor i së drejtës kushtetuese, thotë se regjistrimi duhet të mbahet për shkak të rëndësisë së madhe që ka në përcaktimin e parametrave për zhvillimin e ardhshëm të vendit, por vetëm pas miratimit të një ligji të ri me konsensus të plotë mes të gjitha partive politike.

Regjistrimi patjetër duhet të realizohet, është një proces shtetëror me peshë politike, ekonomike, juridike.
Regjistrimi patjetër duhet të realizohet, është një proces shtetëror me peshë politike, ekonomike, juridike. Për regjistrimin, Parlamenti duhet të sjellë ligj dhe natyrisht gjatë miratimit të këtij ligji duhet të vlerësohet interesi i përbashkët i të gjitha bashkësive etnike. Regjistrimi gjithashtu duhet të miratohet me konsensus të të gjitha partive politike në pushtet dhe opozitë”, shprehet Kadriu.

Ai thotë se me rëndësi të madhe është që gjatë miratimit të ligjit të ri të mos lihen hapësira për interpretime të ndryshme që do ta rrezikonin edhe regjistrimin e ardhshëm.

Duhet të miratohet ligj i cili nuk do të ketë dispozita kundërthënëse njëra me tjetrën, e dyta, ligji që nuk do të ketë zbrazëtira juridike dhe e treta ligji duhet të jetë gjithëpërfshirës që mos të ketë nevojë për interpretime të dispozitave konkrete, ligji të jetë korrekt, konkret, i saktë dhe gjithëpërfshirës me dispozita që do të ishin në frymën e Kushtetutës”, thekson Osman Kadriu.

Pikërisht interpretimi i ndryshëm i ligjit në teren, çoi në dështimin e regjistrimit pasi për shkak të dallimeve të shprehura gjatë tetë ditëve të këtij procesi u regjistruan vetëm se një e katërta e popullatës.

Dallimet në veçanti kishin të bëjnë me regjistrimin e qytetarëve me punë të përkohshme jashtë vendit që pjesën dërrmuese e përbëjnë shqiptarët.

Partitë e opozitës në vazhdimësi kanë akuzuar qeverinë për, siç janë shprehur, tendenca për manipulim të procesit për përfshirjen pa përjashtim të gjithë diasporës.

Por, pavarësisht kësaj, ekspertët shqiptarë thonë se do të ishte absurde të pretendohet në përqindje më të ulët të shqiptarëve në krahasim me regjistrimin e para dhjetë viteve.

Popullata maqedonase në natalitet merr pjesë me 57 për qind, kurse popullata shqiptare me vetëm një të katërtën e popullsisë në Maqedoni, merr pjesë me 33 për qind.
Izet Zeqiri, deputet dhe profesor universitar, thotë se të dhënat e një studimi të realizuar flasin për rritje të vazhdueshme të numrit të shqiptarëve.

Popullata maqedonase në natalitet merr pjesë me 57 për qind, kurse popullata shqiptare me vetëm një të katërtën e popullsisë në Maqedoni, merr pjesë me 33 për qind. Elementi tjetër është mortaliteti ku popullata maqedonase merr pjesë me 70 për qind, kurse ajo shqiptare me vetëm 16 për qind. Duke u bazuar në këto të dhëna relevante dhe duke marrë për bazë edhe migrimet ne vijmë në konstatimin se popullata shqiptare në Maqedoni ka rritje për dallim nga regjistrimi i popullsisë i realizuar në vitin 2002”, u shpreh Zeqiri.

Shpallja e regjistrimit të pavlefshëm nga ana e Kuvendit ndodhë pikërisht në ditën kur ishte paraparë të mbaronte ky procesi i nisur më 1 tetor.
XS
SM
MD
LG