Ndërlidhjet

Ahmeti: Kosova para kolapsit financiar


Shpend Ahmeti
Shpend Ahmeti
Raporti i Progresit ka verifikuar një regres për Kosovën, thotë nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ahmeti thotë se Kosova është pranë kolapsit financiar, dhe këtë e ka vënë në pah edhe Komisioni Evropian. Ai thotë se Qeveria do të hyjë në dialog politik me Serbinë për t’i dhënë veriut një status special, që sipas tij, do të cenojë interesat shtetërore dhe do të bosnjëzojë Kosovën.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, këtë javë u publikua Raporti i Progresit, ku Kosovës iu premtua lansimi i dialogut për vizat. Qeveria mirëpriti dhe e quajti ndër lajmet më të mira që nga pavarësia. Por, ju si opozitë keni shfaqur shqetësimin në lidhje me gjetjet e raportit. Pse?

SHPEND AHMETI
Raporti i Progresit është një verifikim nga një palë e tretë, në këtë rast një palë me rëndësi për ne se bën fjalë për gjasat e Kosovës që të integrohet në Evropë, por në anën tjetër na tregon neve se ku kemi arritur si shoqëri.

Nëse e shikojmë raportin në përgjithësi, përjashto këto dialogun për liberalizimin e vizave, i cili nuk mund të quhet se është pjesë e Raportit të Progresit, ne kemi parë ato vlerësime që i kemi thënë që nga fillimi i vitit, që Kosova faktikisht nuk po shënon progres në arritjen e qëllimeve të veta posaçërisht në bazat e shtetit e ato janë: ekonomia, gjyqësori dhe na kanë kritikuar shumë edhe në aspektin e luftës kundër korrupsionit. Prandaj nuk e di nëse Qeveria po e lexon raportin e njëjtë, mirëpo atë që kemi parë ne natyrisht se po tregon për një regres.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të shndërrohet ky që po e quani regres në progres?

SHPEND AHMETI
Unë i dëgjova përfaqësuesit e Qeverisë të cilët deklaruan se raporti është real, bile ka pasur anëtarë të Qeverisë që kanë thënë se raporti është më i mirë sesa që e kanë pritur ata vetë. Kjo do të thotë se ata po e pranojnë në njëfarë mënyre gjendjen reale dhe faktike që është në Kosovë dhe nuk është ky viti i parë që Raporti i Progresit na i thotë këto gjëra. Unë dëgjova deklarata ku thuhej se procesi i integrimit apo i Raportit të Progresit ka filluar sivjet.

Do të thotë, flitej se si do t’i ndajnë detyrat dhe do të punojnë për vitin e ardhshëm, ndërsa ne detyrat ne po i ndajmë qe 5-6 vjet dhe po ballafaqohemi në fakt edhe me probleme më të mëdha sesa ku kemi qenë para 5-6 vjetësh apo prej momentit kur kemi shpallur pavarësinë.

Nëse Raporti i Progresit në vitin 2011 të thotë se buxheti ka shënuar një regres në aspektin e planifikimit, që Kosova gjendet para një kolapsi fiskal, sepse nuk po planifikon mirë, nuk ka strategji të zhvillimit ekonomik dhe importon 10 herë më shumë sesa eksporton, atëherë çka të flasim ne për liberalizimin e vizave, kur në anën tjetër nuk do të kemi as para që të hamë bukë, e lëre më të flasim për udhëtime jashtë vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë përmendet buxhetin. Kosova është kritikuar për shkak të
dështimit të përmbushjes së marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), që është pasuar me ndaljen e fondeve nga FMN dhe Komisioni Evropian, gjë kjo që rrezikon buxhetin. Por, cili është rreziku pas dështimit eventual edhe të shitjes së PTK-së?

SHPEND AHMETI
Ne kemi thënë që kur është aprovuar Buxheti i Republikës së Kosovës, në muajin prill, se ky buxhet nuk është planifikuar mirë dhe rrezikon Kosovën, pra jo vetëm buxhetin e vitit 2011, por gjithë Kosovën. Kjo për shkak se premtimet që i kemi bërë ndaj FMN-së, që ata së bashku me Komisionin Evropian do të na jepnin 170 milionë euro për financim të buxhetit si dhe kombinimi me privatizimin e Postës janë gjëra që janë të rrezikshme dhe mund që të mos ndodhin sivjet për shkak të rritjes së pagave, si pasojë e premtimeve elektorale si dhe si rezultat i pagesës së autostradës, e cila është pothuajse pagesë e sigurt, sepse ata janë nëntë muaj para planit, vazhdojnë që të punojnë.

Tani ne i kemi humbur 170 milionë euro nga Fondi Monetar, 300 milionë që janë të parapara me privatizimin e PTK-së, për të cilin ne nuk pajtohemi, e cili as që po ndodh sivjet, dhe tani po ta shihni jemi në minus 500 milionë euro në planifikim. Pra, ne i kemi planifikuar si të hyra për sivjet dhe ato nuk kanë ardhur.

Tash ato 500 milionë për t’i kompensuar ose duhet që t’i shpenzojmë rezervat krejt, që po ndodh me një shpejtësi shumë të madhe, dhe mund të ndodhë që ne në fillim të vitit të ardhshëm të jemi pa asnjë euro në rezerva dhe pastaj rrezikohet edhe pagesa e pagave të punonjësve të sektorit publik për shkak të këtyre vendimeve ad hoc. Tani mund të ndodhë që qeveria t’i qaset një privatizimi edhe më të shpejtë të aseteve publike, që ta shpëtojë veten nga një krizë afatshkurtër, mund t’i qaset që t’i sjellë paratë e privatizimit në Kosovë që t’i financojë këto, do t’i quaja politika të papërgjegjshme, mirëpo mund të na shpëtojë për 3-4 muaj, por nuk mund të na shpëtojë nga aspekti i planifikimit të dobët dhe mungesës së zhvillimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, kryeministri Thaçi tha se këtë vit ka pasur një rritje si në mbledhjen e tatimeve nga Administrata Tatimore ashtu edhe nga të hyrat në Doganat e Kosovës. Nuk mjaftojnë këto për të ‘shpëtuar’ buxhetin?

SHPEND AHMETI
Jo, sepse në Raportin e Progresit kjo rritje është diku 15-16 për qind në të hyra, ndërsa të hyrat që po na mungojnë si pasojë e prishjes me FMN-në janë shumë më të mëdha, sesa rritjet që i kemi bërë në mbledhjen e taksave.

Në mbledhjen e taksave ka dy probleme që ne i shohim: sivjet kanë filluar, kur e kanë parë se kemi probleme me buxhet, do të thotë, kjo ka qenë edhe në vitin 2008, pse nuk kanë filluar atëherë që të mbledhin tatime më shumë, por filluan sivjet, pra ata paskan mundur edhe para dy vjetësh, por nuk kanë dashur ta bëjnë; dhe në aspektin tjetër, ne jemi në një krizë ekonomike që vjen si pasojë e krizës globale, por edhe e politikave këtu dhe tani po bëhet do ta quaja një ‘ndjekje e shtrigave’ e bizneseve, të cilat tani po dënohen për shumë e shumë gjëra dhe tani po ka edhe më shumë barriera për këto biznese.

Natyrisht aplikimi i ligjit është gjithnjë i mirë nëse aplikohet në mënyrë të barabartë dhe njëlloj, por ne nuk po mendojmë se kjo po ndodh. Po t’i shihni këtu ka pasur edhe vitin e kaluar falje të tatimeve për bizneset që kanë qenë direkt financuese të partisë në pushtet dhe këto gjëra edhe mund të dokumentohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Vetëvendosje edhe para masave te reciprocitetit, edhe tash, ka ngre zërin kundër importit të mallrave serbe, duke thënë se po e dëmtojnë biznesin kosovar. Ndërkohë aksioni i kësaj lëvizjeje për rrotullimin e kamionëve me mallra serbe nuk ka të ndalur. Pse duhet përdorur kjo metodë?

SHPEND AHMETI
Po, duhet në kohën e mosveprimit të Qeverisë, sepse po të ishim ne në qeveri, do t’i ndalnim mallrat në mënyrë institucionale, me vendime qeveritare. Nuk ka sot në botë shtete që kanë marrëveshje të tregtisë së lirë dhe nuk njihen mes vete. Edhe në ato raste kur Bashkimi Evropian p.sh. ka një marrëveshje me Tajvanin, edhe pse Tajvani nuk është i njohur nga të gjitha shtetet e BE-së, prapë se prapë bëhet për një interes ekonomik që ka edhe BE edhe Tajvani.

Ne nuk kemi interes ekonomik, sepse Serbia shet 400 milionë e ne vetëm 5 milionë euro mallra, pra nuk kemi interes ekonomik që të kemi marrëveshje të tregtisë së lirë. Tani shtrohet pyetja a kemi interes politik, çka po përfitojmë ne politikisht pse po ia lejojmë Serbisë, ndërsa ata sillen kështu me ne.

Ne po shpërblejmë Serbinë për sjelljet që i ka ndaj Kosovës qoftë në aspektin politik apo ekonomik. Prandaj, mendojmë se nuk është e drejtë. Në mungesë të vendimeve qeveritare, ishte në fillim reciprociteti që u bë shumë bujë, por tash jemi vërshuar me mallra serbe, ne mendojmë se mënyra më e drejtë janë aksionet e tilla politike, të cilat po shihet se edhe Qeveria ka një hezitim të madh t’i dënojë, apo çka të bëjë, sepse po e sheh se qytetarët po shprehin përkrahje të madhe për këto aksione. Qytetarët po e shohin padrejtësinë, padrejtësi që në fund të ditës reflektohet në kurriz të tyre për shkak të gjendjes ekonomike që e kemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, Komisioni Evropian pas publikimit të Raportit të Progresit bëri të ditur se Serbia mori statusin e kandidatit, ndërkohë që vetë BE-ja pranon se Serbia po mbështet strukturat paralele, që sot janë të barrikaduara në veri. Shumë thanë se për këto barrikada Serbia u ‘shpërblye’. Ju si e shihni këtë qasje të BE-së karshi Serbisë?

SHPEND AHMETI
Ne këtu kritikën e kemi për Qeverinë e Kosovës, për tërheqjen apo zmbrapsjen që e bëri pas aksionit të 25 korrikut, sepse mendojmë se tani gjendja në veri është më e keqe sesa që ka qenë para 25 korrikut.

Por, në anën tjetër, nuk e fajësojmë aq shumë BE-në, sesa që fajësojmë qëndrimin tonë që kemi ndaj shtetit tonë, flas për qëndrimin e qeverisë dhe institucioneve tona. Nuk është e çuditshme që sot p.sh. Serbia po ta lejojë një kamion që të hyjë nga Kosova, kjo shihet nga Brukseli si një kompromis i madh, ndërsa ne i lejojmë të gjitha mallrat dhe kjo shihet si një kompromis shumë i vogël...

RADIO EVROPA E LIRË
...përse?

SHPEND AHMETI
Për arsye se ata e kanë parë se ka tendenca te qeveria e Kosovës që të lëshojë pe për gjithçka, sepse po të mbanim një qëndrim më të fortë, atëherë kompromiset sadopak të vogla do të dukeshin shumë më të mëdha.

Ne për këtë periudhë, edhe pas marrëveshjes për vulat, ku Serbia nuk po na lejon që të shesim mallrat me dokumente të Kosovës, ndërsa ne vazhdojmë t’i lejojmë, ne kemi marrë një letër falënderimi nga Kuper(ndërmjetësi evropian në dialog), i cili thotë se përgëzon Kosovën për qasjen konstruktive ndërsa sipas fjalëve të tij, e kanë qortuar Serbinë.

Megjithatë, në ato aspekte të cilat me të vërtetë kanë kuptim dhe rëndësi, siç është statusi i kandidatit është Serbia ajo që po shpërblehet në tre vjetet e fundit për qasjen që e ka ndaj Kosovës, sepse nuk mund ta quajmë ndryshe këtë. Po ta shikoni veriun dhe Raportin e Progresit për Serbinë, aty edhe në Raportin e Progresit për Kosovën strukturat paralele quhen struktura të mbështetura nga Serbia. Ata po e pranojnë se Republika e Serbisë po i barrikadon rrugët në veri të Kosovës.

Si mund që Qeveria e Kosovës të ketë një qasje fqinjësore, të mirë ndaj një shteti që ka pretendime territoriale dhe ta bllokon jetën në një pjesë të territorit të shtetit tonë? Po t’i ndodhte kjo çfarëdo shteti evropian do ta shihni ju se çfarë përgjigje do të kishin ato shtete evropiane, të cilat neve na mësojnë që të lëshojmë pe, ndërsa në shtetet e tyre kjo do të ishte absolutisht e papranueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te raportet me Serbinë, në ditët e fundit është folur shumë për mundësinë e nisjes së një dialogu politik. Ju keni shprehur shqetësimin. Ku bazoheni ju kur thoni se Qeveria do të hyjë në një dialog të tillë dhe çka në fakt do të sillte ai?

SHPEND AHMETI
Ne kemi shprehur shqetësimin me çfarëdo lloj dialogu me Serbinë, sepse e kemi quajtur se ky është dialog pa principe. Në princip nuk jemi kundër dialogut, por jemi kundër dialogut pa principe dhe këtu Serbia neve na ka shumë borxh për të kaluarën, por edhe për të tashmen, sepse nuk është se tani ka ndaluar t’i bëjë të gjitha ato të këqija.

Ajo vazhdon të jetë shumë armiqësore ndaj Kosovës. Ne nuk jemi armiqësorë ndaj Serbisë. Ata janë kundër nesh, prandaj ne nuk mund të sillemi ndryshe. Ne mendojmë se i gjithë ku dialog ka filluar në mënyrë që t’i mundësohet Serbisë statusi i kandidatit dhe për këtë ka qenë e dëmshme për Kosovën, sepse kjo ka qenë një marrëveshje apo dialog në mes të Brukselit dhe Beogradit në dëm të Kosovës.

Kjo, sepse ne pothuajse as që jemi palë negociuese aty. Më së pari merren vesh Brukseli me Beogradin dhe pastaj neve na i kumtojnë lajmet dhe natyrisht bëhen vizitat e kryenegociatores me bashkëpunëtorët të cilët gjithmonë janë të gatshëm të pranojnë çka do që servohet prej qarqeve të tilla.

Po e shohim se është rekomanduar statusi i kandidatit, megjithatë shkruan aty, me kuptimin se do të vazhdojë dialogu dhe se Serbia do të ketë qasje konstruktive. Unë mendoj se po përgatitet një takim mes Tadiqit dhe Thaçit që në një mënyrë do të dëshmonte se po takohen këto dy shtete, në mendjen e Hashim Thaçit sepse në mendjen e Tadiqit takohet vetëm një palë, mirëpo Tadiq nuk e ndryshon qasjen ndaj Kosovës e të gjitha këto për të diskutuar në fund veriun. Ne mendojmë se nuk po flitet këtu për ndarje, por një status special më shumë sesa që ofrohet në pakon Ahtisari për veriun e Kosovës, e që bazohet në 6-pikëshin e famshëm të Ban Ki Munit, ku veriu është një realitet i ri i krijuar pas 25 korrikut dhe do të na e shesin si zgjidhje kompromisi.

Në anën tjetër flasin për ndarje, që të na frikësojnë neve nga ndarja dhe ne fillojmë nga pakoja e Ahtisarit dhe kompromisi do të jetë një status special.

RADIO EVROPA E LIRË
... dhe ju mendoni se me një status të tillë special do të cenoheshin interesat shtetërore të Kosovës?

SHPEND AHMETI
Patjetër. Ne do të kishim një bosnjëzim të Kosovës. Ne e kemi parë këtë dhe kjo po na çuditë se si nuk po mësojmë prej gabimeve të shteteve tjera. Ne jemi të interesuar që ta kemi një shtet funksional, shtet demokratik, asgjë më shumë dhe as më pak se çfarëdo shteti evropian.

Por, kjo ndarje, kjo mundësi me shtete brenda shteteve, të funksionimit të tillë e cenon edhe demokracinë, edhe interesat e shtetit të Kosovës, sepse nuk do të ketë as zhvillim politik e as ekonomik të shtetit tonë në ato kushte. Ne po e shohim në Bosnje se çka po ndodh. Më shumë se 15 vjet pas Dejtonit nuk mund ta ndryshojnë një kushtetutë për shkak të njëqind lloj strukturave që i kanë krijuar.

Ata kanë më shumë se 200 anëtarë kabinetesh, ministra në nivele të ndryshme dhe natyrisht që shteti bëhet jofunksional.
XS
SM
MD
LG