Ndërlidhjet

Konferencat dhe papunësia


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Papunësia në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësim për shoqërinë dhe autoritetet kosovare. Ky problem nuk kalon në heshtje. Nga autoritetet kompetente përmendet kryesisht gjatë fushatave zgjedhore, ndërsa shoqëria civile, duke mos përjashtuar as institucionet e ndryshme, e trajton atë në konferenca, takime apo edhe raporte.

Por, me gjithë premtimet se shkalla e papunësisë në vend do të ulet, niveli i të papunëve mbetet mbi 40 për qind.

Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) thonë se konferencat që kanë për temë papunësinë, kanë efektet e tyre, por, siç thuhet, përmirësimi i tregut të punës varet nga institucionet qeveritare.

Hasan Abazi, nënkryetar në BSPK, thotë se konferencat, megjithatë, mbajnë të alarmuar nivelin e papunësisë, ndërsa nxjerrin edhe konkluzione për reduktimin e tij.

“...por, gjërat konkrete duhet të vijnë nga Qeveria e Kosovës dhe faktorët relevantë që investojnë në Kosovë. Deri më tash, jo që nuk kemi ulje të papunësisë, por kemi ngritje të shkallës së papunësisë”, thotë Abazi.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, debatet që kanë të bëjnë me nivelin e papunësisë, i shohin si aktivitete propaganduese.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se takimet e organizatave të ndryshme ndodhin edhe për shkak të arsyetimit të shpenzimeve të tyre buxhetore.
...është koha kur duhet të jemi shumë më tepër të fokusuar në formën substanciale të konferencave, e jo të jenë arsyetim i shpenzimeve.

“Vërtet është koha kur duhet të jemi shumë më tepër të fokusuar në formën substanciale të konferencave, e jo të jenë arsyetim i shpenzimeve ose shpenzime të buxheteve të parapara për vite kalendarike”.

“Rekomandimet dhe pikat referuese që janë si konkludim i takimeve, të jenë ato që do të adresohen në instanca më të larta, aty ku vendoset për ambient biznesor, aty ku vendoset për krijimin e vendeve të reja të punës dhe aty ku vërtet do t’i promovojmë vlerat e Kosovës“,
thotë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Çdo konferencë apo hulumtim që pasqyron gjendjen reale dhe faktike në terren dhe që prezanton arsyen e rritjes apo uljes së shkallës së papunësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e vendos në dokumentet strategjike për këtë çështje, thonë zyrtarë të kësaj ministrie.

Por, megjithatë, Behxhet Gaxhiqi, zëdhënës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se edhe pse mbahen shumë debate për këtë çështje, asnjë rekomandim apo konkludim nga organizatat joqeveritare apo edhe institucionet vendore e ndërkombëtare, nuk ka arritur në adresë të kësaj ministrie.

“...qoftë nga konferencat rajonale, apo konferencat e ndryshme të organizatave joqeveritare, nuk kemi ndonjë që i është drejtuar Ministrisë së Punës. Por, gjithsesi, nëse ne jemi pjesëmarrës në ndonjë konferencë të tillë, patjetër se - në bazë të agjendës dhe planit që është paraparë - ne i marrim për bazë ato segmente që mund të inkorporohen në bazë të dinamikës dhe planit të Ministrisë së Punës”, thotë Gaxhiqi.

Para dhjetë ditësh, Instituti i Financave të Kosovës ka mbajtur konferencën e dhjetë ndërkombëtare, me temë: “Mundësitë e zvogëlimit të shkallës së papunësisë dhe të varfërisë në Kosovë”.

Kryetari i këtij instituti, Isak Mustafa, thotë se nga ky takim kanë dalë rekomandime të shumta, por ai pranon se këto rekomandime ende nuk janë dërguar tek autoritet qeveritare.

“Ne tash u shpërndajmë librat ku gjenden rekomandimet, se si duhet të zbatohen këto”, thotë Mustafa.

Sidoqoftë, edhe Raporti i Progresit i rekomandon Qeverisë së Kosovës që të angazhohet më tepër në rritjen e punësimit, duke vlerësuar se shkalla e punësimit mbetet shumë e ulët, ndërsa papunësia e të rinjve dhe papunësia afatgjate mbesin ende shumë të larta.
XS
SM
MD
LG