Ndërlidhjet

Nën ethet e heqjes së barrikadave


Në veri...
Në veri...

Veriu i Kosovës po i kalon 24 orët e radhës nën ethet e paralajmërimeve të KFOR-it për heqjen e barrikadave nëpër rrugë, të vendosura nga serbët lokalë, nën udhëheqjen e strukturave paralele.

Ndërsa KFOR-i është në pritje të reagimeve të serbëve për heqjen e barrikadave deri nesër, kur edhe skadon afati i shtyrë, përfaqësuesit e këtij komuniteti i kanë vazhduar konsultimet dhe përmes mediave lokale i kanë dërguar mesazhe tejet negative KFOR-it.

Zyrtarë të KFOR-it kanë deklaruar se forca paqeruajtëse e ka kumtuar tashmë vendimin e komandantit të KFOR-it, gjeneralit Erhard Drevs, i cili ka shtyrë kohën e konvojeve të KFOR-it për furnizimin e trupave të KFOR-it në pikat kufitare deri të martën, duke u dhënë kështu më shumë kohë qytetarëve të veriut të Kosovës në largimin e barrikadave rrugore.

Nuk kemi se çka të shtojmë diçka të re me atë që është thënë në komunikatën e djeshme”, ka thënë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.

Përfaqësuesit e komunave të Leposaviqit, Mitrovicës veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë kërkuar më shumë kohë dhe komandanti i KFOR-it ka vendosur t’u ofrojë atyre një ditë shtesë. Komandanti i KFOR-it vlerëson vullnetin e tyre për t’i hapur rrugët për furnizimin e trupave të KFOR-it në Pikën 1 (Jarinje), Pikën 31 (Bërnjak) dhe Kampin Nothing Hill”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Ndërsa është në pritje të vendimeve të serbëve të veriut për heqjen e barrikadave, KFOR-i zotohet se misioni i forcës paqeruajtëse është ta ruajë një ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Policia e Kosovës konfirmon tubimin e rreth 500 personave në fshatin Zupç të Zubin Potokut. Në përpjekje të mbrojtjes së barrikadave nëpër rrugë, përfaqësuesit e serbëve kanë dërguar atje edhe fëmijë dhe të moshuar.

Zëdhënësi i Policisë rajonale për Mitrovicën, Besim Hoti, ka thënë se tubime të tilla të serbëve janë shënuar gjatë ditës në veri të Kosovës, ku janë përfshirë të gjitha kategoritë dhe moshat, në përpjekje për ruajtjen e barrikadave të vendosura.

Besohet të jenë mbi 300 qytetarë që qëndrojnë pranë barrikadës në fshatin Zupç të komunës së Zubin Potok, me pretendimet e tyre për të mbrojtur atë barrikadë nga ndonjë intervenim i mundshëm nga EULEX-i dhe KFOR-it për largimin e saj. Ka prani të qytetarëve të të gjitha moshave - fëmijë, gra, persona të moshuar, të të gjitha kategorive”, ka thënë Hoti.

Ndërkohë, njëri nga liderët e serbëve të veriut, Milan Ivanoviq thotë se KFOR-i u ka dhënë një afat shumë të shkurtë serbeve dhe i ka paralajmëruar ata në mënyrë ultimatumi se ka plan për heqjen e barrikadave, nëse këtë nuk e bëjnë vetë pjesëtarët e komunitetit serb.

KFOR-i nuk mund t’i heqë barrikadat aq lehtë. Ndoshta mund t’i heqin barrikadat në periudha kohore ditën apo natën, kur aty nuk ka prani aq të madhe të njerëzve, por ndërkohë mund të shtohet numri i njerëzve, dhe se KFOR-i nuk mund të kalojë mbi trupat e njerëzve që rrinë qetë në këto barrikada”, thotë Milan Ivanoviq.

Sipas tij, është më së miri që KFOR-i të presë deri të mërkurën, kur serbët do të mblidhen në asamblenë e komunave serbe të Kosovës, për të diskutuar veprimet e mëtutjeshme.

Ai thotë se KFOR-i ka dalë nga mandati që ka në Kosovë. Sipas tij, KFOR-i nuk mund të veprojë në interes të institucioneve të Kosovës.

Ai kërkon nga kjo forcë që të mbetet neutrale ndaj statusit, duke përsëritur se serbët e veriut i kanë institucionet e tyre dhe nuk u interesojnë vendimet e Qeverisë së Kosovës, të cilën ata nuk e njohin.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se cilat do të jenë veprimet e KFOR-it gjatë ditës së martë, kur edhe skadon afati i zgjatur për serbët që t’i heqin barrikadat e vendosura nëpër rrugë.

XS
SM
MD
LG