Ndërlidhjet

Letoni: Mbështetësit e partisë pro-ruse protestojnë


Mbështetësit e partisë, e cila i përfaqëson interesat e pakicës ruso-folëse në Letoni, sot janë tubuar para Parlamentit të këtij vendi, në shenjë të pakënaqësisë për përjashtimin e kësaj partie nga bisedimet për formimin e koalicionit të ri qeverisës.

Policia tha se në protesta morën pjesë afro 2 mijë vetë në kryeqytetin Riga, derisa në Parlament mbahej sesioni i parë prej 17 shtatorit, kur u mbajtën zgjedhjet.

Partia Qendra Harmoni ka fituar një të tretën e deputetëve dhe është partia më e madhe për nga numri i deputetëve, por tri parti të qendrës së djathtë, që planifikojnë koalicion, e kanë përjashtuar atë nga bisedimet për shkak të dallimeve politike.

Qendra Harmoni thotë se është përjashtuar për shkak të mosbesimit tradicional të Letonisë ndaj ndikimit eventual të Rusisë.

Afro një e treta e 2.2 milionë banorëve të Letonisë, e flasin gjuhën ruse, si gjuhë të tyre të parë.
XS
SM
MD
LG