Ndërlidhjet

Rekomandimi i përsëritur për Maqedoninë tregon se Brukseli i njeh përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë, ka theksuar në konferencën e vendeve të rajonit, të titulluar “Sfidat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, Stefano Sanino, drejtor i Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim, pranë Komisionit Evropian. Ai po ashtu ka shfaqur shpresën se Maqedonia së shpejti do të fitojë datë për fillim të negociatave.

Stefano Sanino

Stefano Sanino

"Kujdes të veçantë, vendet e rajonit duhet t’iu kushtojnë reformave në gjyqësi, administratës publike, luftës kundër korrupsionit, shoqërisë informatike dhe mediumeve, mirëmbajtjes së marrëdhënieve të mira ndëretnike, si dhe rritjes së zhvillimit ekonomik dhe punësimit, për çka anëtarësimi i vendeve të rajonit mund të shihet edhe si mundësi për zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve“, ka deklaruar Sanino.

Edhe kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka thënë se rekomandimi i ripërtërirë është mirënjohje për kontributin e qeverisë dhe të të gjithë qytetarëve në rezultatet e realizuara gjatë vitit të kaluar.

Ai ka thënë se dakordohet me konstatimin e Komisionit se fillimi i negociatave me Maqedoninë do të ndikojë pozitivisht ndaj reformave në zhvillimin e ekonomisë, si dhe ndaj marrëdhënieve ndëretnike.

"Jam i bindur se Maqedonia, në këtë moment, ka kapacitet t'i fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe do të jetë e drejtë dhe korrekte që kjo t'i mundësohet", është shprehur kryeministri Gruevski, duke shtuar se “Maqedonia po përballet edhe me një sfidë të madhe - padrejtësi të llojit të vet, të cilën po ia shkakton vendi fqinj, anëtar i BE-së, Greqia”.

Angazhimi i Qeverisë së Maqedonisë, ka theksuar më pas Gruevski, është i qartë: do të vazhdojë me reformat dhe me dërgimin e rezultateve konkrete për avancimin e mëtutjeshëm të shkallës së zbatimit të standardeve të BE-së në shoqërinë e Maqedonisë.

Në konferencën e sotme ”Sfidat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor” në Shkup, kanë marrë pjesë përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Turqia, Kroacia. Zëvendëskryeministri serb për euro-integrime, Bozhidar Gjeliq, në moment të fundit e ka anuluar pjesëmarrjen, për çka nikoqirja e kësaj konference, Teuta Arifi, ka shprehur keqardhje.

“Më vjen keq që në momentin e fundit, përfaqësuesi i Serbisë, zëvendëskryeministri Gjeliq, vendosi të mos vijë në këtë takim, edhe pse në bashkëpunim me të dyja palët ne arritëm bashkëpajtim, një marrëveshje të përbashkët, që ky takim do të nënkuptonte pjesëmarrjen e të dyja palëve - mendoj Kosovës dhe Serbisë”.

“Ashtu siç tha edhe eurodeputeti Sanino, pajtohem plotësisht dhe shpresoj që në të ardhmen të përshpejtohet dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, me qëllim që gjatë debateve të kësaj natyre, të gjithë të jenë të pranishëm”,
ka thënë Arifi.

Nga ana tjetër, ministrja për Çështje të Integrimeve në Kosovë, Vlora Çitaku, ka thënë se dialogu mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është një impuls i rëndësishëm për përmbushjen e kritereve gjatë procesit të integrimit në strukturat euroatlantike.

Vlora Çitaku

Vlora Çitaku

“Mbase është e rëndësishme të sqarohet se integrimi i përhershëm në BE është dialogu. BE-ja është ndërtuar mbi premisat e dialogut dhe bashkëpunimi rajonal është parakusht për procesin e integrimeve evropiane. Ne, si përfaqësues të tri vendeve të ndryshme të rajonit – Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë - por me një kombësi të përbashkët, jemi këtu për të rikujtuar se jo vetëm e kaluara është pjesë e rëndësishme e identitetit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët evropiane”, ka theksuar Çitaku.

Ministrja e Shqipërisë për Integrime, Majlinda Bregu, ka thënë se mungesa e dialogut politik është ajo që ka penalizuar Shqipërinë në Raportin e Progresit dhe se qeveria e vendit që përfaqëson ajo do të angazhohet me tërë kapacitetin politik për ta tejkaluar këtë.

“Besoj se kjo është problematika që në vullnetin e plotë të kësaj mazhorance nuk do të lërë asgjë pa ofruar ndaj opozitës – kuptohet, bëhet fjalë për propozime, të cilat nuk kërcënojnë Kushtetutën, ligjet e vendit. Janë propozime që e ofrojnë vendin me standardet evropiane, sepse bllokimi i vendit në procesin e integrimit nga opozita, është një përgjegjësi shumë e madhe para të gjithë shqiptarëve”, është shprehur Bregu.
XS
SM
MD
LG