Ndërlidhjet

Procesi i deritashëm konkurrues për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës është mbyllur sot si i pasuksesshëm, ndërsa pritet të hapet një proces i ri. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili ka thënë se pas tërheqjes nga konkurrimi të Telekomit kroat për privatizimin e PTK-së, Komiteti Qeveritar për Privatizim ka marrë vendim që ta mbyllë procesin.

“Ne kemi mbetur me një ndërmarrje, e cila ka shprehur interesim për të vazhduar me procesin, për marrjen e memorandumit informues dhe nënshkrimin e deklaratës së konfidencialitetit. Gjithmonë në frymën e marrjes së vendimeve, të cilat kërkojnë proces konkurrues dhe kërkojnë vendime, të cilat gjithmonë marrin parasysh maksimizimin e transaksionit, Komiteti Qeveritar për Privatizim sot ka marrë vendim për ta shpallur të mbyllur këtë proces dhe për të filluar përgatitjet për një proces të ri, i cili do të shkojë konform orientimeve strategjike që ka Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, vendimi për ndërprerjen e procesit është marrë konform kompetencave kushtetuese për të ruajtur asetet dhe për të mos shkuar në privatizim me çdo kusht.

“Është diskutuar shumë se do të ketë probleme financiare edhe në raport me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Vendimi të cilin e kemi marrë sot, është vendim për të ardhmen e vendit. Është vendim, i cili nuk lejon në asnjë moment transaksione, të cilat nuk do të jenë në harmoni me standardet ndërkombëtare dhe të cilat nuk do ta maksimizonin. Pra, është një vendim jashtëzakonisht i përgjegjshëm i Qeverisë së vendit”, ka thënë Beqaj.

Përfaqësuesit e opozitës kanë vlerësuar se ka qenë e pritur që procesi i privatizimit të PTK-së të ballafaqohet me probleme. Hikmete Bajrami, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se mbyllja e procesit konkurrues pa ndonjë rezultat të suksesshëm, nuk është ndonjë befasi.

“Llogaritja në të hyrat nga privatizimi në buxhetin për vitin 2011, ka ndikuar që komplet procesi të dështojë. Sigurisht, këta kanë marrë disa oferta në fillim, por ofertat kanë qenë shumë të ulëta. Ndonëse nuk kemi informacione, të gjithë investitorët e kanë ditur që janë shumë të ulëta dhe se Qeveria e Kosovës po llogarit në paratë e PTK-së. Kjo ka ndikuar që kompanisë t’i ulet vlera dhe të vijë përfundimisht deri te tërheqja e investitorëve. Si proces, në tërësi, ka ndikuar në uljen e vlerës reale”, është shprehur Bajrami.

Ajo ka thënë se dështimet në procesin e privatizimit të PTK-së duhet t’i shërbejnë Qeverisë së Kosovës si përvojë që në të ardhmen të jetë më e kujdesshme sa i përket këtij procesi.

“Besojmë se qeveria ka marrë mend dhe nuk fut më asete publike në Ligjin e buxhetit të vitit 2012, sepse, thjesht, nuk mund të llogarisë. Është e paligjshme dhe nuk mund të llogarisë në diçka që varet krejtësisht nga mekanizmat e tregut”, ka deklaruar Bajrami.

Sidoqoftë, ministri Beqaj nuk ka precizuar ndonjë afat kohor se kur mund të rinisë procesi i privatizimit të PTK-së, por ai ka thënë se Qeveria do të përgatitet për një gjë të tillë. Ai gjithashtu ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka komunikim të rregullt me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG