Ndërlidhjet

logo-print

Vështirë të bisedohet me Serbinë


Flamuri i Serbisë

Flamuri i Serbisë

Dialogu me Serbinë është i vështirë dhe po rrëshqet kah tema të nxehta politike, thonë deputetët kosovarë.

Sipas tyre, vazhdimi i gjendjes së rëndë në veri dhe i dialogut, njëkohësisht, mund të përfundojë me bisedime pikërisht për këtë problem, të cilat konsiderohen të dëmshme dhe në kundërshtim me interesat e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi thotë se një vlerësim më korrekt rreth bisedimeve dhe ecurisë së tyre mund ta japë Qeveria e Kosovës.

Ndërsa nuk beson që ky proces deri më tani ka devalvuar, Krasniqi megjithatë rikujton qeverinë se bisedimet me Serbinë janë të vështira, pasi që ky vend, nënvizon ai, nuk është i interesuar për zgjidhjen e problemeve ndërshtetërore.

Gjatë gjithë kësaj periudhe është treguar se Serbia vështirë pajtohet edhe me atë që pajtohet.

Unë nuk mund të them se këto bisedime po dështojnë apo nuk po dështojnë, por ne kemi thënë nga fillimi se këto bisedime do të jenë të vështira dhe të gjata. Sipas përvojës sonë, nuk është lehtë të bisedohet me Serbinë. Kjo përvojë e jona me Serbinë është edhe para luftës, pastaj në Rambuje si edhe në Vjenë. Gjatë gjithë kësaj periudhe është treguar se Serbia vështirë pajtohet edhe me atë që pajtohet”, thotë Krasniqi.

Ndërkohë, opozita vazhdon t’í bëjë thirrje qeverisë që t’í lëshojë bisedimet dhe të orientohet në normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës.

Ish ministri i jashtëm, Skender Hyseni, aktualisht deputet i LDK-së, thotë se sjelljet e Qeverisë së Kosovës kanë ndikuar që Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të rekomandojë krijimin e një agjende gjithëpërfshirëse për veriun, që sipas tij, duhet të jetë shqetësuese për Kosovën.

Kjo kërkesë në Raportin e Progresit është një nga kërkesat shqetësuese dhe hapësirën për t’ú gjendur kjo kërkesë në këtë raport e ka krijuar Qeveria e Kosovës me veprime gjysmake, ose me improvizime në veri, të papërgatitura ashiqare. Tash kjo po shihet. Dhe, krejt kjo ka krijuar një hapësirë krejt të panevojshme që Komisioni Evropian të del me kërkesa shtesë për Republikën e Kosovës”, thekson Hyseni.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani thotë se mungesa e strategjisë gjithëpërfshirëse të Qeverisë së Kosovës për veriun, mund të ndikojë që të tjerët të propozojnë zgjidhje, të cilat, sipas tij, mund të mos jenë në harmoni me interesat e vendit.

Ramadani thotë se normalizimi i gjendjes në veri duhet të jetë prioritet, kurse i rekomandon qeverisë që të dalë nga procesi i bisedimeve me Serbinë.

E vetmja mënyrë që e parandalon vendosjen e veriut në tavolinën e bisedimeve në kuptimin politik është normalizimi i situatës atje, sundimi i ligjit dhe investimet ekonomike”, thotë Ramadani.

Ndërsa kanë shprehur rezerva e kritika në raport me dialogun Kosovë – Serbi, me arsyetimet se ai mund të përfshijë në vete edhe çështjen e veriut, deputetët kosovarë i kanë dhënë mbështetje KFOR-it në përpjekje për të liruar rrugët e bllokuara nga serbët lokal të organizuar nga strukturat paralele në atë pjesë.

Normalizimi i gjendjes në veri është konsideruar si një prej parakushteve që Kosova duhet ta arrijë para se të bisedojë për çfarëdo temash me Serbinë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG