Ndërlidhjet

Nuk arrihet marrëveshje


Zubin Potok

Zubin Potok

Takimi i përfaqësuesve të serbëve të veriut me ata të KFOR-it për heqjen e barrikadave, sipas mediave serbe ka përfunduar pa marrëveshje.

Njëri nga përfaqësuesit e serbëve, Slavisha Ristiq ka thënë se KFOR-i ka paraqitur një kërkesë të re, që së bashku me konvojin e NATO-s të kalojnë në veri edhe përfaqësues të EULEX-it.

“Gjenerali austriak Johan Luif na ka dhënë ultimatum se ata dëshirojnë lëvizje të lirë si për KFOR-in ashtu edhe për EULEX-in, gjë kjo që e dëgjojmë për herën e parë dhe të cilën e shohim si qëllim për minuar përpjekjet për marrëveshje”, citojnë mediat serbe, Slavisha Ristiqin.

Ky mision është vënë në anën e shqiptarëve duke mundësuar dërgimin e policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak.

Serbët kanë thënë se nuk do të pranojnë kalimin e EULEX-it, pasi sic janë shprehur ata ”ky mision është vënë në anën e shqiptarëve duke mundësuar dërgimin e policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak”.

Në anën tjetër, KFOR-i hesht në lidhje me takimet e sotme. Zyrtarët e këtij misioni nuk kanë komentuar në lidhje me takimet e as me veprimet e mundshme, pasi që më herët kishin thënë se po që se nuk do ketë marrëveshje, do të hiqnin vetë ata barrikadat.

Takimit mes KFOR-it dhe përfaqësuesve serbë i ka parapri mbledhja e të ashtuquajturit kuvend i komunave serbe, në të cilën u miratuan disa pika ku ndër të tjera kërkohej nga “kryetarët ilegalë të komunave veriore që në bisedimet me përfaqësuesit e KFOR-it të gjejnë zgjidhjen për furnizimin e trupave të KFOR-it në veri të Kosovës”.

Përfaqësuesit e serbëve të veriut kanë kërkuar që bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës të mbahen nën ombrellën e Këshillit të Sigurimit, në përputhje me rezolutën 12 44 duke thënë se nuk pranojnë që në veri të zbatohen marrëveshjet e arritura në dialogun që zhvillohet në Bruksel.

Po ashtu është kërkuar që hetimet për ngjarjet në Jarinë të bëhen nën mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Zubin Potokut, Stevan Bozhoviq, ka thënë se miratimi i këtyre pikave nuk nënkupton edhe heqjen e barrikadave, por vetëm mundësimin e furnizimit të ushtarëve të KFOR-it në veri.

Assesi heqja e barrikadave, por vetëm furnizimi i ushtarëve të KFOR-it. Natyrisht, furnizimi dhe kalimi i atyre ushtarëve do të jetë i kontrolluar nga ana e qytetarëve, që i bie jo të hiqen barrikadat, sepse ato janë mjete ët luftës sonë për të drejtat tona”, ka thënë Bozhoviq.

KFOR-i ka shtyrë brenda pak ditësh tri herë afatet për heqjen e barrikadave, ndërsa konvoji i nisur dje për të furnizuar ushtarët në veri përmes rrugëve tokësore ka hasur në rezistencën e banorëve në barrikada.

Ndërkohë, në një deklaratë para takimit përfaqësuesi i serbëve të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq ka bërë të qartë se në veprimet e tyre kanë mbështetjen Beogradit.

Udhëheqja shtetërore e Serbisë është me popullin në Kosovës dhe ne jemi në kontakt me Beogradin përmes ministrit për Kosovën, Goran Bogdanoviqit. Ata na japin mbështetje në luftën tonë paqësore”, ka thënë Nedeljkoviq.

E diela ishte përcaktuar fillimisht si afat për largimin e barrikadave nga ana e paqeruajtësve dhe po atë ditë, në komunikatën e KFOR-it thuhej se “përfaqësuesit e komunave të Leposaviqit, Mitrovicës veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë kërkuar më shumë kohë dhe komandanti i KFOR-it ka vendosur t’u ofrojë një ditë shtesë”.

Ndërkohë, një ditë më parë, komandanti i KFOR-it në Kosovë, Erhard Drevs, tha se “është i zhgënjyer” që serbët në pjesën veriore të Kosovës, nuk i kanë larguar barrikadat dhe ka konkluduar se “qytetarët në veri nuk e kanë kaluar testin”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG