Ndërlidhjet

NYT: Nevoja për garanci reale


Izraelitët festojnë lirimin e ushtarit Gilad Shalit.
Izraelitët festojnë lirimin e ushtarit Gilad Shalit.
"New York Times"


Të gjithë ndanë gëzimin me izraelitët për lirimin e ushtarit Gilad Shalit, i cili mbahej nga Hamasi për pesë vjet. I mbetet popullit të Izraelit të debatojë nëse marrëveshja – e cila përfshin lirimin e mbi 1,000 të burgosurve palestinezë – do ta bëjë vendin e tyre të sigurt apo do ta çojë në më shumë dhunë.

Ka shqetësime se marrëveshja në fjalë mund ta pengojë marrëveshjen për paqe ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, çfarë është e vetmja garanci reale për siguri të qëndrueshme të të dyja palëve.

Tani, kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka bërë kompromis me Hamasin, ekziston droja se për ta provuar ashpërsinë e tij, ai do të jetë më pak i gatshëm për të bërë kompromisin e nevojshëm për rigjallërimin e bisedimeve. Ka frikë se edhe presidenti palestinez, Mahmud Abas, dhe grupi i tij, Fatah, do të dobësohen.

Edhe zoti Netanjahu, edhe Hamasi janë në kërkim të fitores politike, pasi zoti Abas depërtoi në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe rriti popullaritetin e tij, kur kërkoi nga Kombet e Bashkuara anëtarësim të plotë të vendit të tij të padefinuar.

Vetëm pesë muaj më parë, Netanjahu kërkoi ndërprerjen remitancave të taksave për Autoritetin Palestinez, ndërsa u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë ndihmën, pasi zoti Abas u përpoq të krijonte një qeveri të unitetit me Hamasin, i cili kontrollon Gazan.

Shtrohet pyetja: nëse zoti Netanjahu mund të negociojë me Hamasin, i cili qëllon me raketa Izraelin dhe refuzon të njohë ekzistencën e Izraelit, përse nuk mund të negociojë seriozisht me Autoritetin Palestinez?

Mbështetësit e Netanjahut thonë se koalicioni i tij është aq i brishtë, saqë nuk mund t’i bëjë kompromiset e nevojshme për të ndihmuar rinisjen e bisedimeve për paqe. Por, ai ishte mjaft i fortë për të shkuar kundër dëshirës së familjarëve të viktimave izraelite, të cilat pësuan nga të burgosurit palestinezë, të liruar nga vetë Netanjahu.

“E di se çmimi është shumë i rëndë për ju”, u kishte shkruar ai familjarëve. Por, përse nuk mund të bëjë një apel të ngjashëm për ngrirjen e ndërtimeve në Bregun Perëndimor, për hir të sigurisë së Izraelit?!

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre duhet të vazhdojnë përpjekjet për rikthimin e negociatave. Zoti Abas duhet ta shohë marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve si sfidë për autoritetin dhe kredibilitetin e tij. Mënyra më e mirë për të forcuar qëndrimin e tij është të udhëheqë popullin në krijimin e shtetit palestinez përmes negociatave.

Netanjahu u pa se nuk e ka problem të bëjë kompromise dhe zgjidhje të vështira. Ai vetëm nuk do. Dhe kjo nuk do ta bëjë Izraelin më të sigurt. (v.t.)
XS
SM
MD
LG