Ndërlidhjet

Nuk duhet nxituar me dialog


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në intervistën për Radion Evropa e Lirë tha se dialogu nuk do të duhej të zhvillohej pa përgatitje, dhe çka është më kryesorja për një dialog të tillë, duhet të jetë një konsensus i plotë i partive politike.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi pas ndërprerjes së bisedimeve të fundit në Bruksel, tash më po flitet për nisjen e një dialogu politik me Serbinë. A konsideroni ju se duhet të ndodhë një dialog i tillë?

JAKUP KRASNIQI
Realisht edhe vetë fillimi i dialogut, konsideroj që ka qenë i ngutshëm, ka qenë edhe i papërgatitur, dhe e vërteta është se nëse veç duhet të kalohet në një dialog politik, që unë nuk dua ta paragjykoj se duhet apo nuk duhet, por në një gjë jam i bindur, që ky dialog nuk do të duhej të ngutej. Nuk do të duhej të zhvillohej pa përgatitje, dhe çka është më kryesorja për një dialog të tillë, duhet të jetë një konsensus i plotë i partive politike në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë i partive politike që janë të përfaqësuara në Kuvend, edhe të pozitës dhe opozitës.

Dhe pastaj, nëse këto bisedime që duhet të zhvilloheshin paraprakisht në mes të subjekteve politike në Kosovë, që më Kushtetutë këto bisedime do të duhej t’i zhvillonte presidentja e vendit, e tek pasi të arrihet konsensusi, atëherë të fillonin bisedimet. Ngutjet nuk besoj që prodhojnë efekte pozitive që i duhen Kosovës dhe në fund të fundit që i duhet sigurisë edhe stabiliteti jo vetëm në Kosovë, po në rajonin tonë që tani po e quajnë Ballkani Perëndimor.

RADIO EVROPA E LIRË
Për çka do të duhej të flitet në ketë dialog eventual politik?

JAKUP KRASNIQI
Në rend të parë, ata që e mendojnë që duhet të këtë nevojë të zhvillohet një dialog politik duhet të bëjnë një ofertë se cilat do të ishin temat e bisedimeve. Dhe pa u ditur se çka do të bisedohej në këtë dialog që tani po thuhet politik e nganjëherë edhe me ndonjë term tjetër, unë mendoj që nuk bën të hyhet në bisedime, se përsëri do të shpenzohet, kohë do të shpenzohet mund, dhe si zakonisht politika e Beogradit pastaj do të dalë e pakënaqur edhe nuk e pranon rezultatin e bisedimeve.

Praktika e ka treguar edhe pse kanë qenë pjesëmarrës në Rambuje, edhe pse kanë qenë pjesëmarrës në bisedimet e Vjenës, politika serbe gjithnjë ka dalë e pakënaqur. Unë konsideroj që dialogu politik është përmbyllur. Kosovën e kanë njohur me shumë se 80 vende të OKB-së, dhe mendoj se kjo është një njohje e fuqishme ndërkombëtare. Për Serbinë mendoj që ne asnjëherë nuk kemi thënë që nuk duhet të bisedohet, por temat e bisedimeve duhet të jenë raportet që duhet të ekzistojnë në mes të dy vendeve fqinje.

Kjo për të krijuar lehtësi për serbet në Kosovës, që mendoj e kemi një ofertë serioze, dhe Serbia nuk e ka një ofertë serioze për shqiptare që janë në pjesën jugore, sidomos në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Do të thotë nuk e kanë një ofertë serioze siç e kemi ne, me dokumentin gjithëpërfshirës dhe që e kemi pjesë të kushtetutës. Prandaj këto bisedime do të ishin realisht për përmirësimin e marrëdhënieve ne mes të dy vendeve, gjithnjë duke pasur parasysh standardet që janë vendosur në Evropë, në mënyrë të veçantë pas viti 1992.

Do të thotë, kjo do të ishte që këto bisedime të ishin të barabarta, që qëllimi të ishte partneriteti, jo me mundje kush është më i forti, kush është më i fuqishmi të vendosë, por të vendoset një partneritet. Mendoj që ne jemi të interesuar që të krijohen raporte partneriteti jo vetëm më Serbinë, por me të gjitha vendet e rajonit dhe jo në dëmin tonë. Pra, gjithçka që shkon dhe ka për qëllim partneritetin dhe krijimit të raporteve politike të shëndosha në siguri, në bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, është në interesi edhe të Serbisë edhe në interesin tonë.

Por jo, jo bisedime që prekin kufijtë e Kosovës jo bisedime që e prishin rregullimin e brendshme administrative të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush duhet t’i ndërmjetësojë këto bisedime politike nëse ndodhin?

JAKUP KRASNIQI
Këto bisedime politike realisht do të duhej t’i ndërmjetësonte Brukseli, pasi ne dëshirojmë të integrohemi në Bashkimin Evropian, dhe natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që kanë qenë dhe mbesin të interesuara për stabilitetin politik dhe sigurinë e rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë dhe të pamundësojnë lëvizjen e lirë të qytetareve. Si e shihini ju gjendjen në atë pjesë të Kosovës?

JAKUP KRASNIQI
Tani më nuk ka dyshim, gjendja në atë pjesë të Kosovës nuk është e mirë dhe përgjegjësia kryesore është në Beograd. Realisht, ajo pjesë e Kosovës pas një mbështetjeje të fuqishme, edhe njerëzore, edhe materiale e financiare, nuk do të mund te mbijetonte edhe përkundër ofertës tonë serioze. Ne nuk jemi duke bërë një politikë të dhunës ndaj asnjë pjese, ndaj asnjë qytetari në Republikën e Kosovës e as ndaj komunitetit serbë.

Konsiderojmë që ofertat që i kemi dhënë me dokumentin e Ahtisarit, që është edhe në Kushtetutë, për komunitetin serb të Kosovës i kalon të gjitha standardet e një komuniteti pakicë, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në Evropë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se përfundimisht do të zgjidhet çështja e veriut të Kosovës?

JAKUP KRASNIQI
Kjo çështje, unë gjithnjë e kam thënë, nuk është një çështje që mund të zgjidhet lehtë e lehtë. Nuk është një çështje që zgjidhet shpejtë. Por, unë jam i bindur që në gjithë ketë proces në gjithë ketë tollovi, ose përzierje pasigurish, konsideroj që më së shumti janë duke humbur qytetarët serbë të Kosovës, të cilët realisht do të duhej t’i ktheheshin jetës normale.

Jam i bindur se sundimi i rendit dhe ligjit, ndjekja e grupeve kriminale atje është në shërbim të atyre qytetarëve, pastaj edhe në stabilitetin në gjithë Kosovën. Realisht varet shumë se si do të reagojë Brukseli, se si do të komunikojë Brukseli me politikën në Beograd.

Unë mendoj që problemi i kësaj pjese të Kosovës nuk është në pjesën veriore të Kosovës, edhe pse diku thuhet edhe në Raportin e Progresit se problemi është aty. Unë e shoh problemin jo në serbët e Kosovës, unë problemin e shoh në politikën e Beogradit, e cila i përdor serbët e asaj pjese të Kosovës, për të destabilizuar Kosovën, dhe pastaj forcat politike në Serbi përpiqen që pozitën e vështirë të serbeve të krijuar gati me vetë dëshirë ta shfrytëzojnë për pozicione më të mira politike në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, ndër shqetësimet më të mëdha është përmendur të jetë moszbatimi i ligjeve dhe korrupsioni. Si mund të ketë përmirësime në këto dy drejtime?

JAKUP KRASNIQI
Është një e vërtetë e madhe që gjatë kësaj kohe kemi miratuar ligjet, por dihet edhe praktika e të gjitha vendeve ka treguar se është shumë më lehtë që të miratohen ligje dhe të mira, por vështirësi pastaj është në zbatimin e tyre. Ne jemi një shoqëri e re dhe realisht ende nuk i kemi ndërtuar kapacitete e mjaftueshme për ta përcjellë zbatueshmërinë e ligjeve, dhe institucionet që janë me përgjegjëse për zbatueshmërinë e ligjit, nuk janë të reformuara dhe kanë bërë tepër pak.

Dhe në ketë rrafsh mendoj që pengesa kryesore për mos zbatueshmërinë e ligjeve, në rend të parë është prokuroria dhe gjyqësori të sistemi i drejtësisë, ndoshta pas tyre vjen një përgjegjësi e Kuvendit, e komisioneve të Kuvendit për të mbikëqyrur zbadueshmërinë e ligjit, edhe se në këtë rrafsh mendoj qe kemi një shtim të përgjegjësive të Kuvendit. Pastaj mendoj që një përgjegjësi mjaft e madhe ka edhe mosgatishmëria e trupave tjerë ekzekutivë për të respektuar ligjet që janë në fuqi.

Ndërsa sa i takon korrupsionit, ndoshta është përshtypja e tillë, megjithatë nëse kemi parasysh përgjigjen që është dhënë nga organet që janë përgjegjëses, si sistemi i drejtësisë, se aty nuk ka korrupsion, që në fakt ka shpesh herë, mendoj që behet një gabim në shoqërinë tonë. Mendojnë se Agjencia Anti Korrupsion e ka përgjegjësin për ta luftuar korrupsionin, që në fakt unë mendoj që ajo e ka për obligim të ngrijë çështjen e korrupsionit, shqetësimet e saj në luftën kundër korrupsionit, por veprimin e prokurorisë e policisë hetimore dhe pa veprimin e gjyqeve.

Asnjë vend nuk ka mundur ta luftojë korrupsionin dhe as ne nuk do të mundemi. Do të thotë duhet të jetë një gatishmëri e të gjitha kapaciteteve të shoqërisë kosovare për ta luftuar ketë dukuri, e cila realisht dëmton zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe duke dëmtuar zhvillimin ekonomik të Kosovës, i dëmton të gjithë qytetaret e sidomos ata që vërtet presin ta kenë një vend punës dhe ta kenë një jetë më të dinjitetshme ne shoqërinë tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
PDK-ja para pak ditësh ka shënuar përvjetorin e 12-të të themelimit. Megjithatë, flitet për acarim të raporteve në mes jush dhe kryetarit të partisë. Sa është e vërtetë kjo?

JAKUP KRASNIQI
Mendoj se disa gjëra nganjëherë vetë mediat janë të interesuar që t’i fryjnë. Megjithatë unë kam shfaqur mendimin tim ndryshe për shumë zhvillime në Kosovës dhe në shoqërinë kosovare, dhe konsideroj që kam pasur të drejtë për këto shqetësime dhe nuk heq dorë nga ato që i kam thënë. Por fundi i fundit, mendimet ndryshe nuk e dëmtojnë as Partinë Demokratike, mendimet ndryshe nuk e dëmtojnë as zhvillimin e demokracisë në Kosovë.

Realisht praktika dhe jeta ka treguar se vetëm aty ku ka uniformitet të mendimeve, ku ngulfaten mendimet e ndryshme, ku ngulfaten idetë e ndryshme, nuk zhvillohet demokracia. Ne duhet ta kuptojmë se zhvillimi i demokracisë është në mendime të ndryshe është në idetë të ndryshme ne pikëpamje të ndryshme që ka për obligim shoqëria për të ardhur deri të zgjidhjet me të mira. Dhe zgjidhjet me të mira nuk behën pa debate, pa kundërshtime dhe pa u përpjekur për ta ndryshuar ketë gjendje.

Ne nuk mund të kënaqemi as në shoqërinë kosovare, s’mund të kënaqemi me gjendjen që kemi në media, as në subjektet politike, kështu që komplet duhet të përpiqemi dhe të angazhohemi të sjellim ndryshime që janë në interes të shoqërisë dhe të zhvillimit të demokracisë në Kosovës. Nëse dikush e kupton se mendimet ndryshe dhe idetë për të dërguar ketë zhvillim të demokracisë përpara janë acarime, atëherë le të mbeten edhe të acaruara.
XS
SM
MD
LG